Kërko

Vatican News
Mons Pietro Budi vescovo e scrittore albanese del 1600 Mons Pietro Budi vescovo e scrittore albanese del 1600  

29 janar 1622 imzot Pjetër Budi i dhuron “Doktrinën e Kërshtenë” Bibliotekës së Vatikanit

Më 29 janar të vitit 1622, ipeshkvi e shkrimtari madh, imzot Pjetër Budi i dhuroi Bibliotekës Apostolike të Vatikanit kopjen origjinale të veprës së parë të tij “Doktrina e Kërshtenë “ (Dottrina Christiana), përkthim i katekizmit të shën Robert Belarminit, botuar në Romë në vitin 1618. Në fund të faqes së veprës shkruan "Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622" (Autori ia dha [këtë kopje] dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622).

R.SH. - Vatikan

 

Kujtojmë se si sot, më 29 janar të vitit 1622, ipeshkvi katolik e shkrimtari shquar shqiptar, imzot Pjetër Budi i dhuroi Bibliotekës Apostolike të Vatikanit kopjen origjinale të veprës së parë të tij “Doktrina  e Kërshtenë “ (Dottrina Christiana), përkthim i katekizmit të shën Robert Belarminit, që u botua në Romë në vitin 1618. Në fund të faqes së veprës shkruan "Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622" (Autori ia dha [këtë kopje] dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622). 

Dy breza pas dom Gjon Buzukut, vjen figura e dytë më e madhe e letërsisë së hershme brenda Shqipërisë, ajo e Imzot Pjetër Budit (1566-1622), autorit të katër veprave fetare, me përmbajtje të doktrinës së krishterë, në gjuhën shqipe. Imzot Pjetër Budi lindi në fshatin Gur i Bardhë, në krahinën e Matit. Vajti e mësoi për prift në Kolegjin Ilirik të Loretos (Collegium Illyricum ), afër Ankonës, në Itali, ku studiuan shumë të rinj e priftërinj shqiptarë, si të viseve tjera të Ballkanit e të Evropës Qendrore. Në moshën njëzetenjëvjeçare Pjetër Budi shugurohet meshtar katolik, dhe dërgohet menjëherë me shërbim në Maqedoni e Kosovë. Më 1610 përmendet si 'kapelan i të krihsterëve’ në Shkup', kurse më 1617 si kapelan në Prokuple, në Serbinë jugore.

Një vit më parë, mu në Prokuple, ishte mbajtur një mbledhje e lëvizjeve të ndryshme kombëtare kryengritëse për të organizuar një mësymje të madhe kundër turqve. Në Kosovë, dom Pjetër Budi erdhi në kontakt me katolikë françeskanë nga Bosnja, kontakte që në vitet e mëvonshme dhanë frytet e veta, sepse ndihmuan që të rritej mbështetja për qëndresën shqiptare kundër pushtuesve otoman.

Më 1599 Dom Pjetër Budi u emërua Vikar i Përgjithshëm (vicario generale) i Kishës katolike në Serbi, vend që e mbajti për shtatëmbëdhjetë vjet. Si përfaqësues i Kishës katolike në Ballkanin e pushtuar nga turqit, dom Pjetër Budi jetoi dhe punoi në një atmosferë politike pa dyshim të nderë. Misioni i tij kishtar ishte nga shumë anë një veprimtari e jashtëzakonshme, për përforcimin e jetës shpirtërore të grigjës besimtare, që kishte në udhëheqje e nën mbrojtje, si dhe për kultivimin e vetëdijes kombëtare e të vlerave etnike e kulturore të popullit shqiptar.

Imzot Pjetër Budi digjej nga dëshira e zjarrtë për ta parë popullin e vet të lirë nga zgjedha turke dhe punoi pa pushim për arritjen e këtij qëllimi. Dihet se në këtë periudhë ai ka pasur kontakte me figura që u dëgjohej fjala si Françesko Antonio Bertuçi (Francesco Antonio Bertucci) dhe me kryengritës shqiptarë që luftonin për të përmbysur sundimin osman. Por ipeshkvi imzot Pjetër Budi nuk ishte kurrsesi nacionalist mendjengushtë. Me sa mund të gjykohet, veprimtaria e tij, atëherë e më vonë, synonte një kryengritje të përgjithshme të të gjithë popujve të Ballkanit, përfshirë edhe bashkatdhetarët myslimanë.

Më 1616 imzot Pjetër Budi shkoi në Romë ku qëndroi deri 1618 për të mbikëqyrur botimin e veprave të veta.  Nga marsi 1618 e deri aty nga shtatori 1619 ai vajti për një shtegtim tetëmbëdhjetëmujor në Santiago de Kompostela në Spanjë, te shenjtërorja e njohur e Shën Jakut Apostull. Kur u kthye në Romë në vjeshtën e vitit 1619, ai u përpoq të tërhiqte vëmendjen e Kuries Romake, çka do të thotë të Selisë së Shenjtë të Romës kundrejt  gjendjes së mjerueshme të të krishterëve shqiptarë dhe të siguronte mbështetje për qëndresë.

Më 20 korrik 1621 u emërua ipeshkëv i Sapës dhe Sardës (Episcopus Sapatensis et Sardensis), do të thotë i krahinës së Zadrimës, dhe u kthye në Shqipëri një vit më pas. Puna e tij atje qe njëkohësisht fetare e Kishtare dhe e natyrës kombëtare e politike.

Një nga synimet e imzot Pjetër Budit ishte që  të rriteshin thirrjet meshtarake vendore, pra shqiptare, të rritej kleri vendas për të plotësuar nevojat  shpirtërore e posaçërisht edhe ato kombëtare, pasi për veprimtaritë ungjillëzuese e apostolike, përkujdeseshin edhe misionarët e huaj, edhe pse jo gjithmonë arrinin t’i plotësonin nevojat e shqiptarëve vendas, veprimtari kjo që nuk do të arrihet të realizohet për shkakun e shumë vështirësive që ekzistonin, nga mungesa e strukturave si Seminaret, Kishat dhe shkollat filozofie e teologjike, deri tek mjetet për mirëmbajtjen e studentëve e tjera.

Në dhjetor 1622, pak ditë para Krishtlindjes, ipeshkvi imzot Pjetër Budi u mbyt duke kaluar lumin Drin.  Është hamendësuar të ketë qenë viktimë e ndonjë komploti për ta zhdukur këtë figurë të rëndësishme kombëtare e kishtare, ndonëse dëshmitë për këtë nuk janë të sigurta (18). Të dhënat biografike që kemi për këtë autor vijnë nga një letër e datuar 15 shtator 1621, të cilën imzot Pjetër Budi ia drejtonte kardinalit Goxadinit (Gozzadini) në Romë, në të cilën ai parashtron planet e strategjinë për një kryengritje në Ballkan kundër otomanëve. Në këtë letër ai theksonte edhe: "... gjatë shtatëmbëdhjetë vjetëve, me aq sa munda, nuk i kam rreshtur kurrë përpjekjet për të ndihmuar e lehtësuar ata popuj, përfshirë edhe priftërinjtë, me modele fetare, duke shkruar vazhdimisht libra fetarë në gjuhën e tyre, si në atë të Serbisë edhe në atë të Shqipërisë, ashtu siç janë parë në mbarë ato vende në ditët tona."

Kjo do të na jepte të kuptonim se gjatë viteve të shërbimit në Kosovë e Maqedoni, ipeshkvi imzot Budi i ka kushtuar energjitë e veta hartimit dhe përkthimit të veprave me përmbajtje fetare të krishterë, tashmë të humbura. Përndryshe, si mund të shpjegohej botimi i katër veprave në gjuhën shqipe me gjithsej një mijë faqe brenda pesë vjetësh? Vepra e parë e imzot Pjetër Budit është Dottrina Christiana ose Doktrina e Kërshtenë, një përkthim i katekizmit të shën Robert Belarminit (Roberto Bellarmino, 1542-1621). U botua në Romë më 1618 dhe një ndër kopjet origjinale ruhet në Bibliotekën e Vatikanit (R.I. VI. 449). Kryefaqja e titullit përmban këto të dhëna: "Dottrina Christiana. Composta per ordine della fel.me. Di Papa Clemente VIII. Dal. R. P. Roberto Bellarmino Sacerdote della Compagnia di Giesv. Adesso Cardinale di Santa Chiesa del Titolo di S. Maria in Via. Tradotta in lingua albanese. Dal Rever. Don Pietro Bvdi da Pietra Biancha. In Roma, Per Bartolomeo Zannetti. 1618. Con Licenza de' Superiori."
(Vepra “Doktrina e Krishterë”, e hartuar për nder të kujtimit dritëplotë të Papa Klementit VIII nga Shën Robert Belarmini, prift i Shoqërisë së Jezusit, tani Kardinal i Kishës së Shenjtë të Shën Marisë in Via. Përkthyer në gjuhën shqipe nga i nderuari Don Pjetër Budi nga Guri i Bardhë. Në Romë, nga Bartolomeu Zaneti 1618. Me lejen e Eprorëve.) E shënuar me dorë në fund të faqes është "Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622" (Autori ia dha [këtë kopje] si dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622).

Shën Robert Belarmini nga Montepulçano ishte Kardinal dhe Jezuit, i kanonizuar dhe i shpallur doktor i Kishës më 1930, vepra Doktrina Kristiane mjaft e përhapur e të cilit, ashtu si veprat e tij të tjera, e kishte dëshmuar si teolog të zotin në konflikt me protestantizmin dhe në mbrojtje të të vërtetave të doktrinës së krishterë, sipas Kishës katolike romake. Vepra Doktrina Kristiane 'e vogël' e tij, një vepër që Kundërreforma kishtare e rekomandonte posaçërisht për përdorim misionar, kishte qenë botuar së pari më 1597 dhe më pas qe përkthyer në një numër gjuhësh, përfshirë gjuhën angleze, arabe (1613) greke (1616) e tjera. Përkthimi shqip i Doktrinës Kristiane prej imzot Pjetër Budit përbëhet nga 169 faqe.

Doktrina Kristiane në gjuhën shqipe u rishtyp nga Kongregata  e Selisë së Shenjtë Propaganda Fide në Romë. Për këtë duhet të ketë pasur një numër relativisht të madh kopjesh nga botimet e viteve 1636, 1664 dhe 1868. Dihet se më 1759 në depot e Kongregatës Propaganda Fide kishte ende gjithsej 960 kopje të librit (19). Me interes të madh letrar e fetar, si katekizëm, përmbajtje e doktrinës së krishterë,  vepra ka edhe pesëdhjetë e tri faqe me vjersha fetare apo shpirtërore në shqip, rreth 3000 vargje, shtojcë për Doktrinën e Kërshtenë.

Këto vargje përbëjnë poezinë më të hershme në dialektin gegë. Mjaft nga këto vargje qenë përkthyer nga latinishtja ose italishtja, por një pjesë janë origjinale.
Botimi i dytë i Budit përmban tri veprat e tij të tjera. Ballina mban titullin: "Ritvale Romanvm et Specvlvm Confessionis. In Epyroticam linguam a Petro Bvdi Episcopo Sapatense & Sardanense translata. Sanctissimi Domini Nostri Gregorii XV liberalitate typis data. Romae, apud Haeredem Bartholomaei Zannetti. 1621. Svperiorvm permissv." (Rituali Romak dhe Pasqyra e të Rrëfyemit, përkthyer në gjuhën epirote (shqipe) nga Pjetër Budi, ipeshkёv i Sapës dhe Sardës. Dhënë për shtyp me bujarinë e zotit tonë më të përndershëm Grigor XV. Romë. Bartolomeu Zaneti 1621. Me lejen e eprorëve.)

Po në dorëshkrim në fund të faqes është "Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622" (Autori ia dha [këtë kopje] si dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622). Kjo vepër ende ruhet në Vatikan (Barberini VI. 56).

Ky botim përmban:

1) Rituale Romanum ose Rituali Romak, një përmbledhje prej 319 faqe lutjesh dhe kungatash me komente në gjuhën shqipe;

2) një vepër e shkurtër me titull Kush thotë Meshë keto kafshë i duhetë me shërbyem, 16 faqe shpjegime meshash, dhe;

3) Speculum Confessionis ose Pasëqyra e t'rrëfyemit, një përkthim 401 faqesh ose, më saktë, një përshtatje e Specchio di Confessione të Emerio de Bonis, i cilësuar nga Budi si "një lloj bashkëbisedimi shpirtëror fetar shumë i dobishëm për ata që nuk kuptojnë gjuhë tjetër përveç gjuhës amtare shqipe."

Si Rituali Romak ashtu edhe Pasqyra e të Rrëfyemit kanë shtojcë në vargje në gjuhën shqipe. Gjuha e përdorur nga Budi në veprat e tij është një formë arkaike e gegërishtes që ruan disa tipare fonetike interesante(20). Eqrem Çabej (1908-1980) ka vërejtur se Budi është munduar më fort të ndjekë një farë norme letrare se të shkruajë thjesht në dialektin vendës të tij, gjë që përsëri mund të merret si tregues i ekzistencës së një farë tradite letrare në Shqipërinë veriore. Alfabeti i përdorur prej tij është i ngjashëm me atë të paraardhësit, Gjon Buzukut, ndonëse Budi në asnjë vend nuk e zë në gojë Buzukun.

Në shikim të parë  imzot Pjetër Budi mund të merret si përkthyes e botues tekstesh fetare nga latinishtja dhe italishtja. Në të vërtetë rëndësia e tij si shkrimtar i prozës e kapërcen këtë cak. Parathëniet e ndryshme, letrat baritore, shtojcat dhe passhënimet e tij, që arrijnë në mbi njëqind faqe prozë origjinale në shqip, zbulojnë një stil dhe talent të konsiderueshëm. Krahasuar me dom Gjon Buzukun para tij e me imzot Pjetër Bogdanin një shekull më pas, gjuha e imzot Pjetër Budit është më e mirëfilltë, më e gjallë e idiomatike. Për shembull, për shumë terma të huaj që përdor, ai përpiqet të japë sinonimet me origjinë nga shqipja. Edhe pse jo aq i hollë e i thellë sa Bogdani me leksikun e tij më të madh, Budi mbetet shkrimtari më i vetvetishëm e më prodhimtar i periudhës.

Pjetër Budi është gjithashtu shkrimtari i parë në Shqipëri që iu përkushtua poezisë. Veprat e tij përfshijnë rreth 3300 vargje fetare, thuajse të gjitha në strofa katër vargje me rimë të këmbyer. Kjo poezi, nëntëmbëdhjetë poema gjithsej, përfshin si përkthime poetike ashtu edhe poezi origjinale nga Budi vetë, si edhe të paktën një e ndoshta edhe dy vjersha(21) nga një Pal Hasi ose Pali prej Hasit.

Pjesa më e madhe e kësaj poezie është tetërrokëshe, që është dhe normë në poezinë popullore shqiptare. Edhe pse poezisë fetare të Budit nuk i mungon stili, meqenëse përmbajtjen e ka imitim të poezisë moraliste italiane e latine të kohës, ajo nuk është mjaft origjinale. Atij i pëlqejnë më shumë temat biblike, panegjirikët dhe motivet universale si, fjala vjen, ai i pashmangshmërisë së vdekjes. As rimat e tij nuk janë gjithmonë elegante, gjë që vjen pa dyshim pjesërisht edhe nga leksiku i tij i kufizuar, që është llogaritur deri në 2453 fjalë(22).

Në parathënien e tij për Doktrinën e Kërshtenë, Budi thotë: "Më parë hodha (d.m.th. kopjova) në gjuhën tonë dy kapituj të Ditës së Gjyqit të fundit, shkruar nga shumë i përndershmi e i devotshmi prifti Pal i Hasit." Kjo Ditë e Gjyqit ishte një përshtatje mjeshtërore në gjuhën shqipe, sipas ritmit të saj tetërrokësh, himnit të njohur latinisht të mesjetës Dies irae, dies illa të murgut françeskan Toma nga Çelano (Thomas da Celano, rreth 1200-1255):

"Dies irae, dies illa
Solvet saeclum in favilla,
Teste David cum sibylla.

Quantus tremor est futurus
Quando judex est venturus,
Cuncta stricte discussurus.

Tuba mirum spargens sonum
Per sepulcra regionum
Coget omnes ante thronum..."

"Ajo ditë me mënii
Qi të vinjë ndë e vonë
Këtë shekullë të zii
Ta diegë e ta përvëlonjë,

Si Profeta ban dëshmii
Me sibilënë, po thonë,
I madh gjyyq e mënii

Të vinjë për mkate tonë.
Saa dridhmë e cokëllimë
Të jeenë përgjithanë,

E n qiellshit shkepëtimë
Nd'ajërit e madhe gjamë...(23)"

Tërheqëse në lutjen-poezi të Pjetër Budit e të Pal Hasit janë ndjenja e sinqertë, bindja në forcën e uratës drejtuar Hyjit dhe shqetësimi i çiltër njerëzor për vuajtjet e një bote të mbrapshtë. Një lutje-vjershë tjetër që përcjell bukur këtë dhembshuri është ajo mbi vdekjen dhe madhështinë e njeriut që në saje të fesë në Hyjit do të ngadhënjejë mbi vdekjen për të shijuar përjetësinë, amshimin, duke mos kundërshtuar Zotin “Tinëzot me kundrështuom” . Ajo nis kështu:

"O i paafati njerii,
Gjithë ndë të keq harruom,
I dhani ndë madhështii,
Ndë mkat pshtiellë e ngatëruom;

Ndo plak jee, ndo j rii,
Përse s'shtie të kuituom,
I vobeg ndo zotënii,
N ceije iee kriiiuom?

Balte e dheu cë zii,
E io ari cë kulluom,
As engjiishi cë tii,
Ndo guri cë paaçmuom;

Kaha të vien n dore tyy,
Mbë të madh me u levduom,
Ndë sqime e ndë madhështii,
Tinëzot me kundrështuom?

Lavdinë tand të levduom,
Ti pa vene ree vetë,
Ame cote idhënuom,
Kuur leve mbë këtë jetë,

Aty s'prune begatii,
As vistaar të levduom,
As urtë a diekëqii,
As gurë të paaçmuom;

Aty s'prune madhështii,
As dinje me ligjëruom,
As vertyt as trimënii,
As vetiu me ndimuom;

Aty s'prune zotënii,
Kual të bukur as të çpeitë,
As dinje gjak e gjeni,
As të mirëtë as të keqtë;

Po leve gjithë mëndryem,
Ame n cote idhënuom,
Tue qaam mallënjyem,
Me një zaa të helmuam (24)..."

17 kr. Zamputi 1965a, 1985, Domi 1966, 1967, Lacaj 1966, Riza 1979, Svane 1985b, 1985c, 1986b, 1986c, 1986d, 1986e etj., dhe Ismajli 1986.

18 kr. Zamputi 1958, 1985.
19 kr. Archivo storico della S. Congregazione 'de Propaganda Fide', SC Stamperia 2, f. 246.
1986.
20 Për gjuhën e Budit kr. Cipo 1952, Çabej 1966, Svane 1980, 1982, dhe Ismajli
21 kr. Riza 1979, f. 120.
22 kr. Ashta 1966.
23 Tekstet shqip këtu janë të transkriptuar.

29 janar 2021, 09:15