Kërko

Vatican News
 Kardinali Mikel Koliqi Kardinali Mikel Koliqi  

Kardinali Mikel Koliqi nё pёrvjetorin e vdekjes

Kardinali Mikel Koliqi një jetë kushtuar Zotit e popullit, në një kohë kur ky përkushtim paguhej me jetë. Një jetë e jetuar për fe e atdhe, për Ungjill e kulturë. E vërtetë nuk është e thjeshtë të përmbledhësh me pak fjalë jetën e kardinalit Koliqi, një nga figurat më poliedrike në historinë e Shqipërisë.

R.SH. - Vatikan

Më 28 janar kujtojmë përvjetorin e vdekjes së kardinalit shqiptar, Mikel Koliqi, një nga figurat më të ndritura të Kishës katolike shqiptare, njeriu që u bë simbol i gjakut të martirëve, derdhur nga diktatura komuniste ateiste në Shqipëri, ndërroi jetë nё vitin 1997.

Këtë figurë shembullore kishtare e kombëtare po e kujtojmë me fjalët e imzot Claudio Maria Çelit, ish-Kryetar i Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore, i cili në vitin 1991 e pati njohur e takuar në Shkodër dom Mikel Koliqin. Rasti qe një ndër takimet e para që përfaqësuesit e Vatikanit takonin popullin dhe klerin e persekutuar në Shqipëri, që posa kishin dal nga dimri egër i diktaturës ateiste të komunizmit. I zgjodhëm pikërisht këto fjalë të imzot Claudio Maria Celit , për të nënvizuar se figura si ajo e Kardinalit Mikel Koliqi, mbeten përgjithnjë në kujtesën e njerëzve, si simbol i gjakut të martirëve, derdhur nga diktatura komuniste në Shqipëri. 

Nё kёtё kohё tё veçantë pasigurie e paqartësie tё karakterizuar nga pandemia, nga arkivi i redaksisё shqipe tё Radio Vatikanit, ftesa e Kardinalit Koliqi për të shpresuar e qëndruar, ta dёgjojmё...

Nga arkivi i redaksisё shqipe tё Radio Vatikanit, ftesa e Kardinalit Koliqi për të shpresuar

Dimri po shkon! Sot fillon pranvera

Ja si e kujtoi Imzot Claudio Maria Celi, në sa përshkruante Meshën e kremtuar në Katedralen e Shkodrës, më 21 mars 1991:

Ja si e kujtoi Imzot Claudio Maria Celi, në sa përshkruante Meshën e kremtuar në Katedralen e Shkodrës, më 21 mars 1991:

Kardinali Mikel Koliqi një jetë kushtuar Zotit e popullit

E, Kardinali Mikel Koliqi vijon të jetë për popullin shqiptar edhe pas vdekjes një jetë kushtuar Zotit e popullit, në një kohë kur ky përkushtim paguhej me jetë. Një jetë e jetuar për Zot e popull, për fe e atdhe, për Ungjill e kulturë. E vërtetë nuk është e thjeshtë të përmbledhësh me pak fjalë jetën e kardinalit Mikel Koliqi, një nga figurat më poliedrike në historinë e Shqipërisë.

Mikel Koliqi lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, për t'i vijuar studimet në Milano të Italisë, ku edhe u diplomua në degën e inxhinierisë mekanike, në Politeknikumin e Milanos. Ishte në moshë të pjekur, kur ndjeu thirrjen për rrugën meshtarake, thirrje që e kurorëzoi duke u shuguruar meshtar më 30 maj 1931. U kthye menjëherë në Atdhé dhe nisi shërbimin, më parë si ndihmës-famullitar, e pastaj si famullitar i katedrales së Shkodrës. U shqua edhe për veprimtarinë e tij muzikore e publicistike. Muzikoi melodramat e para në historinë e muzikës shqiptare, në bashkëpunim të ngushtë me Dom Ndré Zadejën. Qe kryeredaktor i revistës "Kumbona e së Dieles". Gjatë regjimit komunist u burgos tri herë dhe u dënua me 40 vjet heqje lirie.

Papa Shën Gjon Pali II e emëroi prelat nderi (monsinjor) në janar 1992, e takoi personalisht gjatë vizitës së tij në Shkodër, më 25 prill 1993 dhe e krijoi kardinal më 26 nëntor 1994 në Vatikan. Menjëherë pas fillimit të proceseve demokratike të Shqipërisë, kardinali Mikel Koliqi u nderua së pari me titullin "Pishtar i demokracisë", më pas me titullin "Nënë Tereza" dhe, vetëm pak ditë para vdekjes, me titullin më të lartë "Nderi i Kombit". Vdiq në Shkodër, më 28 janar 1997.  U përpoqëm të përmbledhim në pak rreshta një jetë të veçantë siç qe ajo e dom Mikel Koliqit, që shtrihet në gjithë hapësirën e shekullit të kaluar, një jetë e jashtëzakonshme për Fé e Atdhé që mbeti hallkë e pashkëputur nga tmerri i persekutimit ateist të komunizmit.

Jeta e kardinalit Koliqit testament shpirtëror e kombëtar

E jeta dhe veprimtaria e kardinalit Mikel Koliqi qe e është për të gjithë shqiptarët shembull e testament shpirtëror e kombëtar, pra mbetët një udhërrëfyes për të gjithë ne, se si duhet punuar të bashkuar e në mirëkuptim për një të ardhme më të mirë për popullin e vendin, me një përkushtim e përvujtëri, duke kërkuar e përvetësuar gjithmonë vlerat e vërteta e të shëndosha, njerëzore, shoqërore e shpirtërore e, kulturore e kombëtare.

28 janar 2021, 10:26