Kërko

 Shën Gjon Pagëzuesi Shën Gjon Pagëzuesi

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës III të Ardhjes

E Diela III e Kohës së Ardhjes na paraqet një pjesë ungjillore nga kreu i parë e i tetë i shën Gjonit ungjilltar, që ripohon sërish se Jezu Krishti është Mesia, që prisnin njerëzit. Shën Gjon Pagëzuesi e thekson këtë, duke paralajmëruar se do të vijë Ai, që do të pagëzojë në Shpirtin Shenjt. E jep dëshmi për Krishtin para të gjithëve. Të ndjekim Ungjillin...

R.SH. - Vatikan

Qe një njeri i dërguar prej Hyjit. Emri i tij ishte Gjon. Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar Dritën, që të gjithë të besojnë nëpër të. Ai nuk ishte Drita, por dëshmoi Dritën. 
Dhe ja, dëshmia e Gjonit! Kur judenjtë nga Jerusalemi dërguan tek ai priftërinj dhe levitë për ta pyetur: “Kush je ti?” ai pranoi, nuk e mohoi, por dëshmoi: “Unë nuk jam Mesia!” “Kush pra? – e pyetën ata. – A mos je Elia?” “Nuk jam!” – u përgjigj. “A je Profeti?” “Jo!” – ua ktheu. Atëherë i thanë: “Kush je, që t’u kthejmë përgjigje atyre që na dërguan?” Ai tha: “Unë jam zëri i atij që bërtet në shkreti: ‘Rrafshoni udhën e Zotit!’ – sikurse tha Isaia profet (Gjn 1,6-8.19-28).

Të lutemi së bashku:

Na mungojnë o Jezus, profetët

e kalibrit të shën Gjon Pagëzuesit,

na mungojnë zërat, që vibrojnë

me dashuri të plotë për Zotin,

ata që janë gati për gjithçka

që të realizohet plani i Tij.

 

Na mungojnë o Jezus, profetët

e ndershëm si Gjon Pagëzuesi,

që i pranojnë kufizimet e tyre,

që s’marrin përsipër detyrat e të tjerëve,

që e kuptojnë rolin e vet si shërbim,

për t’u bërë me thjeshtësi e vendosmëri,

por nuk tundohen të ngjiten në skenë

e të bëjnë më kot protagonistin.

 

Na mungojnë o Jezus, profetët

me guximin e Gjon Pagëzuesit:

që u kujtojnë të pushtetshmëve të kësaj bote

ligjet e tua dhe ua përplasin fajet në fytyrë,

njerëz, që nuk i ndajnë fjalët nga veprat.

 

Por, ndoshta, o Jezus, ti nuk do

që ne të të kërkojmë më shumë profetë

pasi Shpirti Shenjt i jep secilit prej nesh

mundësinë për të qenë ai zë

që e prish heshtjen e turpshme

të atyre, që s’presin asgjë

prandaj, humbasin në kotësi

Na jep forcën për t’u treguar të gjithëve

ku është shpëtimi

e si të arrijmë plotësinë e jetës

12 dhjetor 2020, 09:56