Kërko

Vatican News

Taizé: Von der Leyen, “askush nuk shpëton i vetëm, kemi nevojë për njëri-tjetrin”

Plot shpresë e me bindjen se askush nuk shpëton i vetëm, mesazhi i kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, drejtuar të rinjve të Taizé-së, që sivjet mblidhen online për takimin e lutjen e tyre tradicionale, në fund të vitit.

R.SH. - Vatikan

“Askush nuk shpëton i vetëm”. “Kemi nevojë për njëri-tjetrin, për t’i dhënë fund pandemisë, për të ndërtuar një ekonomi më të gjelbër dhe më të drejtë, për t’i dhënë fund shkatërrimit të gjithësisë së krijuar nga Zoti”. Kështu shkruan kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një mesazh dërguar pjesëmarrësve në Takimin evropian të të rinjve, organizuar nga bashkësia e Taizé-së, që, për shkak të pandemisë, zhvillohet këtë vit në formën dixhitale nga 27 dhjetori më 1 janar.

“Kurrë si këtë vit, burrat dhe gratë e të gjithë botës e kuptuan se fatet tona janë të lidhura. Jemi të gjithë të brishtë. Të gjitha jetët tona janë tronditur nga pandemia. E të gjitha vendet tona duhet të përballen me pasojat e ndryshimit të klimës”. “Mund të përqendrohemi në dallimet ndërmjet nesh, në mosmarrëveshjet dhe keqkuptimet tona. Ose mund të bashkojmë forcat për mirë, pra, për të mbrojtur dinjitetin e çdo qenieje njerëzore dhe bukurinë e krijimit të Zotit”. “Në një kohë sfidash kaq të mëdha për Evropën dhe botën - shkruan kryetarja e Komisionit Evropian - është lehtë të dëshpërohesh. Por siç na kujtoi frère Alois (kreu i bashkësisë së Taizé-së), mbërrijnë shenja shprese nga të gjitha skajet e tokës.

Një numër i pallogaritshëm burrash dhe grash gjetën kohë e, madje, rrezikuan edhe jetën për të ndihmuar të moshuarit, të sëmurët, të vetmuarit. Të rinjtë e të gjitha kombësive u mobilizuan për planetin. Edhe këtu në Evropë, vendosëm t’i bashkojmë forcat për të mbështetur vendet, që janë prekur më shumë nga pandemia. Ky vit vuajtjesh është kthyer në vit solidariteti”.

28 dhjetor 2020, 13:38