Kërko

Siria dhe Iraku, kardinali Sandri: jepini rinisë një të ardhme

Shpresat për vizitën që Papa po përgatitet të bëjë në Irak dhe dëshira që gurët e mozaikut të pasur njerëzor dhe historik në Lindjen e Mesme të shkojnë në vendin e vet. Këtë shpreh prefekti i Kongregatës vatikanase për Kishat Lindore, ndërsa flet për të krishterët dhe popullsitë e Sirisë e të Irakut, gjithnjë në konflikt

R.SH. - Vatikan

Takimi vatikanas i së enjtes së kaluar në internet, kushtuar gjendjes në Lindjen e Mesme, veçanërisht në Siri e në Irak, që u hap me një videomesazh të Papës Françesku, reflektoi mbi situatën tejet problematike të zonës, e cila ende është lënë në mëshirën e luftërave dhe të ikjeve të detyruara, pasojë e tyre. Por, Iraku është edhe etapa e udhëtimit të ardhshëm apostolik të Atit të Shenjtë, në mars 2021. Kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, shpjegon arsyet për atë, që premton të jetë një akt historik tejet i guximshëm, i cili i hap rrugën dialogut e pajtimit. Në mikrofonin e Radio Vatikanit, kardinali nënvizon kuptimin e veçantë të këtij gjesti të Papës për të gjithë ata, që e kanë paguar edhe me jetë qëndrimin në Tokën Shenjte:

Të premten e kaluar, predikatari i Shtëpisë Papnore, në reflektimin e tij të dytë gjatë Kohës së Ardhjes, na kujtoi fjalët e Isaisë profet: ngushëllojeni, ngushëllojeni popullin tim. Për mua, kjo vizitë e Papës është një gjest i jashtëzakonshëm ngushëllimi për të gjitha këto vende dhe popuj, që kanë vuajtur - Iraku, në veçanti – nga lufta, persekutimi dhe emigrimi, të detyruar të lënë gjithçka, sidomos popullsia e krishterë, por edhe të tjerët. Viktimat kanë të përbashkët faktin se janë bij të Zotit, që u vranë padrejtësisht dhe mizorisht. Ky është me të vërtetë një gjest i jashtëzakonshëm, që Papa ka dashur ta bëjë prej kohësh. Mbaj mend që në takimin e vitit 2019 të Roaco-s (Bashkimi i Veprave në Ndihmë të Kishave Lindore) Papa tha: dua të shkoj në Irak. E nga ajo ditë, filluan shpresat për këtë vizitë, e cila sjell ngushëllim, nxitje dhe inkurajim për Barinjtë e Kishës. Duhet të përkulemi para barinjve, që ndenjën në ato troje, pavarësisht nga vështirësitë, nga kërcënimet e nga sulmet. Mbetën atje, duke u bërë shembull i Bariut të Mirë, që nuk ikën. Të gjithë meshtarët, murgeshat e rregulltarët, në këtë vend kaq të pasur me histori, duke filluar me Abrahamin, me Kishën Asire, dëshmuan qëndrueshmërinë e tyre në fe, edhe gjatë mundimeve. Prandaj, vizita e Papës do të sjellë ngushëllim e forcë të madhe, që do të shtrihet mbi gjithë realitetin shoqëror, civil dhe politik të këtij vendi, sepse është ngushëllimi i Krishtit, sidomos për ata që vuajnë.

Ju keni qenë disa herë në Irak. Si do të pritet Papa Françesku? A do të dalin për ta pritur edhe myslimanët?

Mendoj se po. E jo vetëm për Papën Françesku në vetvete, për njeriun e paarmatosur, që ka vetëm armët e takimit, të buzëqeshjes, të vizitës tek ata, që kanë më nevojë, por edhe për faktin se Papa paraqitet me një kartë identiteti shumë të rëndësishme: me enciklikën “Fratelli tutti” dhe me Deklaratën e Abu Dabit për vëllazërimin njerëzor. Si mund të ndërtojmë një botë të re në drejtësi, paqe, liri, ku të respektohen të drejtat e njeriut dhe liria fetare, nëse nuk e konsiderojmë veten vëllezër, pavarësisht nga identiteti fetar, që duhet të ruhet pa tjetër? Kur isha në Irak në vitin 2019, me delegatët e Roaco-s, për të parë nevojat që kishin, munda të vlerësoja me çfarë dinjiteti, respekti dhe dashurie na priti qeveria irakiane, por edhe autoritetet e Kurdistanit dhe krerët myslimanë. Nuk kam asnjë dyshim që shoqëria e Irakut, me të gjitha komponentet e saj, do ta presë Papën me entuziazëm.

Në fjalën që mbajtët gjatë takimit në internet për Sirinë dhe Irakun, më 10 dhjetor, në Vatikan, ju kujtuat se plaga e emigracionit prek kryesisht rininë. Ç’mund ta ndalë këtë hemorragji?

Është thënë shumë qartë: sanksionet janë të kota. Nuk mund të ndërtohen shtëpi të reja. Ku do ta gjejnë të rinjtë sigurinë për të ardhmen, për studimet, për formimin e familjes? Jepini rinisë një të ardhme. Kisha ia jep nga këndvështrimi i dritës, që është Jezu Krishti, por duhet të ndërmerren impenjime kombëtare dhe ndërkombëtare, që favorizojnë qëndrimin në vend.

Ju mendoni se po të kthehen, katolikët mund të kontribuojnë në rilindjen e vendit? A do t’u jepet mundësia për ta bërë këtë, në bashkëjetesë paqësore me myslimanët dhe me njerëzit e feve të tjera?

Unë shpresoj e uroj që të jetë kështu. Të krishterët, që duan të kthehen, duhet të gjejnë të gjitha kushtet e sigurisë për një jetë të denjë. Ata, të cilët ndoshta janë sistemuar përmes anëtarëve të tjerë të familjes, emigruar në Perëndim, le të thonë “duam të kthehemi”. Por është e qartë se vështirësitë më të mëdha i kanë ata që kthehen, jo ata që largohen. Ata që kthehen e bëjnë këtë vullnetarisht. Vendi nuk do të ketë mirëqënie, nëse ata nuk do të kenë mundësi për të marrë pjesë në jetën politike. Prandaj, ne, me Kongregatën, ngulim këmbë që t’u japim shumë të rinjve mundësinë të formohen edhe në doktrinën shoqërore të Kishës. Laikët duhet të ndërtojnë vendin e tyre, atdheun, e jo vetëm të marrin udhëzime nga krerët. Je ti, si i krishterë, që jep kontribut - duke zbatuar parimet e Ungjillit - në ndërtimin e kësaj shoqërie, që të gjithë e duam të frymëzuar nga Jezusi, nga enciklika “Fratelli tutti” dhe nga dinjiteti i burrit dhe i gruas, një shoqëri ku secili të jetojë sipas bindjeve dhe fesë së vet.

14 dhjetor 2020, 13:14