Kërko

 San Nicola di Mira (di Bari) Vescovo San Nicola di Mira (di Bari) Vescovo 

Shenjtorёt e javёs 6-13 dhjetor

E diel 6 dhjetor, Kisha katolike kremton të Dielën e Dytë të Ardhjes. Po më 6 dhjetor, kalendari liturgjik përkujton shën Nikollin, ipeshkëv.

R.SH. - Vatikan

E diel 6 dhjetor, Kisha katolike kremton të Dielën e Dytë të Ardhjes. Po më 6 dhjetor, kalendari liturgjik përkujton shën Nikollin, ipeshkëv. 

Liturgjia e kësaj së diele na paraqet Gjon Pagëzuesin. Ai është një urë ndërmjet Besëlidhjes së Vjetër e të Re. Do të jetë zëdhënës i Mesisë që vjen. Do t’i përgatisë zemrat për t’u hapur ndaj Ungjillit. Do të kumtojë kohën e çlirimit me ardhjen e Krishtit, që hynë në historinë tonë dhe atë e shndërron.

Shën Nikolla, ipeshkvi i shenjtë i Mirës (Turqia e sotme), jetoi mes shekulli III-IV. U bë i famshëm që në lashtësi, me anë të mrekullive të shumta, me të cilat u erdhi në ndihmë atyre që kërkuan ndërmjetësimin e tij. Është i njohur në të gjithë botën, edhe jashtë Kishës. Ndër shqiptarë devocioni ndaj shën Kollit është më i përhapuri bashkë me atë ndaj Shën Andout. Është shumë popullor edhe në të gjitha kishat e traditës Ortodokse.

Të hënën më 7 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Ambrozin, ipeshkëv i Milanos e doktor i Kishës. Nga figura e tij mësojmë t’ia besojmë veten vetëm Zotit e ta vlerësojmë jetën ashtu siç është. Njeri i drejtë, që kërkoi me ngulm drejtësinë dhe asaj i shërbeu si jurist, u zgjodh ipeshkëv i Milanos kundër vullnetit të tij, por, pasi e pranoi këtë shërbesë si vullnetin e Zotit, iu përkushtua plotësisht Ungjillit dhe Kishës. Ja si e kujton zgjedhjen e tij ipeshkëvnore: “Çfarë qëndrese bëra për të mos u shuguruar! Në fund, pasi e pashë veten të detyruar, kërkova që, të paktën, të ma shtynin shugurimit. Asgjë nuk vlejti kjo kërkesë për një përjashtim. Fitoi detyrimi, që më ngarkuan”. Predikimet e tij mrekulluan shën Agostinin e Iponës, të cilin e pagëzoi në fenë e krishterë pas një kërkimi të gjatë shpirtëror. Ai e shoi etjen tek burimi i kulluar i fjalës së Hyjit, prandaj na porosit edhe ne: “Pi, pra, nga të dyja kupat, nga ajo e Besëlidhjes së Re dhe të Vjetër, sepse tek të dyja pi Krishtin. Shkrimi hyjnor pihet, Shkrimi hyjnor gëlltitet, kur lëngu i fjalës së amshuar zbret në venat e mendjes dhe në energjitë e shpirtit”.

Të martën më 8 dhjetor, bie solemniteti i Zojës së Papërlyer, që na fton të bashkojmë zërin në korin e mbarë Kishës, që brohoret: “Kundruam, o Zot, mrekullitë e dashurisë sate”. Në festën e Ngjizjes së Papërlyer të Virgjërës Mari, Kisha ka dashur që, gjatë kohës së Ardhjes, liturgjia të bëjë të pranishme mes popullit të krishterë fuqinë, që e ka ruajtur Virgjërën nga mëkati, për të përgatitur tek ajo mishërimin e Birit të Hyjit. Kremtojmë, në eukaristi, po atë mister të shëlbimit, që na prek të gjithëve, por dobinë e të cilit Maria e ka njohur e para.

Të mërkurën më 9 dhjetor, kalendari përkujton shën Huan Diegon, shën Sirin e shën Valerin, të cilët me jetën e tyre na kujtojnë se vërtetë i lum është vetëm ai që pret Zotin!

Të enjten më 10 dhjetor, kalendari kishtar kremton festën e Zojës së Loretos, përkujton shën Maurin, martir dhe shën Gregorin II, papë. Gjithçka ne admirojmë në Shën Marinë Virgjër është fryt i fesë së saj dhe i veprës së Shpirtit Shenjtë Zot, që përmes pranimin e adezionit të plotë të Marisë në veprën hyjnore të shpëtimit, ka sjell fryte shëlbimi për mbarë gjininë njerëzore.

Të premten më 11 dhjetor, kalendari përkujton shën Damazin I, papë, shën Danielin, shën Sabinin. Liturgjia e ditës na kujton se Mesia, i paralajmëruar nga profetët, vjen për ta shpëtuar popullin prej mëkatesh. Por për ta bërë këtë, Hyji shërbehet nga të drejtët, nga ata që e dëgjojnë fjalën e tij.

Të shtunën më 12 dhjetor, kalendari kishtar përkujton festën e Zojës së Bekuar të Guadalupës. Zoja e Guadalupes, as e bardhë e as indiane, por metise, është një mesazh për bashkim ndërmjet popujve të ndryshëm, të pajtuar në fenë e përbashkët në Krishtin.

Të dielën e ardhshme më 13 dhjetor, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 3-të kohës liturgjike të Ardhjes, e gjithnjë më 13 dhjetor, kalendari kujton shën Luçinë, shenjtore guximtare e besnike ndaj besojmës së saj, me një jetë të ndritur e tragjike, që frymëzoi faqe të tëra të hagjiografisë së lashtë, të cilat lexohen me një frymë, si roman.

06 dhjetor 2020, 08:59