Kërko

Krishtlindja Krishtlindja 

Shenjtorët e javës 27 dhjetor – 3 janar

Kujtojmë se Viti 2020 numëron ditët e fundit. Duke biseduar me ju, të dashur dëgjues, ndërmjet dy festave të mëdha të fundvitit, nuk mund të mos e mbyllim këtë faqe të kalendarit 2020 me urimin tonё: “Për shumë vjet e Gëzuar Vitin e Ri!”

R.SH. - Vatikan

E diel më 27 dhjetor, Kisha katolike kremton festёn e Familjes  Shenjte tё Nazaretit. Familja e Marisë,  Jozefit dhe Jezusit është modeli i familjes së krishterë. Familja e krishterë, kur e jeton dashurinë si bashkim e shërbim, si dhuratë reciproke, si bashkëpunim me të gjithë, përmes kthimit të vazhdueshëm në rrugën e Zotit, e ndihmuar nga Hiri Hyjnor, reflekton në botë shkëlqimin e Krishtit dhe bukurinë e Trinisë Hyjnore. Gjithnjё mё 27 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Gjonin. 

Tё hёnёn mё 28 dhjetor, kalendari kishtar përkujton Fëmijët martirë të Pafajshëm, të mbytur nga Herodi, në përpjekjen për të zhdukur Krishtin Foshnje. Fëmijët e vrarë nga Herodi i japin dëshmi Krishtit jo me fjalë, por me gjak. Sipas Ungjillit, ishin të gjithë nën 2 vjeç. Lanë pas një vazhdë gjaku, që nuk mund të mos na sjellë ndërmend të pafajshmit e sotëm, të vegjlit e dhunuar nga luftërat e interesat e të rriturve. I shohim përditë në ekrane, duke luajtur në mesin e rrënojave të luftës, duke përdorur gropat e hapura nga bombat si pishina, pasi i mbushin me ujë, sepse edhe në mesin e plumbave, fëmijët duan të argëtohen.

Tё martën më 29 dhjetor,  kalendari kishtar përkujton shën Tomën Becket, ipeshkëv e martir.  Shën Toma Beketi u lind në Londër nga një tregtar i pasur dhe u bë kancelar i mbretit të Anglisë Henriku II, pastaj këshilltar dhe i besuari i tij. Kancelari i shkëlqyeshëm i mbretit u zgjodh udhëheqës shpirtëror i të krishterëve të Anglisë, u shugurua meshtar e ipeshkëv, por mbreti, që e kishte pasur mik, u bë armiku i tij. Tomas Beket u martirizua në katedralen e Londrës, i vrarë me shpatë para altarit. Ndërroi jetë duke thënë: “E pranoj vdekjen për Krishtin dhe për Kishën”.

Të mërkurën më 30 dhjetorkalendari kishtar pёrkujton shën Feliçin I, papë. Në errësirën e Nazaretit, Jezusi Foshnje zhvillohet e rritet, kalon etapat dhe rrethanat e gjendjes së përditshme të jetës, duke shenjtëruar të gjitha momentet e jetës njerëzore.

Tё enjten më 31 dhjetorkalendari kishtar pёrkujton shën Silvestrit I, papë. Jetoi në periudhën ndërmjet fundit të përndjekjes së të krishterëve dhe fillimit të paqes kostandiniane. U bë ipeshkëv i Romës në vitin 314 dhe e drejtoi Kishën për njëzet vjet. Nën papnimin e tij u kremtua Koncili Ekumenik i Nicesë në vitin 325, organizoi jetën e Kishës së Romës dhe mbështeti ndërtimin e bazilikave të para. Vdiq në vitin 335 dhe varrimi bë më 31 dhjetor

Mё 31 dhjetor bie nata e Vitit të Ri, e tё gjithё i këndojmë lavde Zotit në qiell, duke e falënderuar Hyjin e Gjithëpushtetshëm, me anë të lutjes sё “Te Deum”-it, pёr tё gjitha tё mirat dhe duke kërkuar tё na mbrojё nga çdo e keqe e tё na shpёtojё nga koronavirusi.

Të premten mё 1 janar, ditёn e parё tё Vitit tё ri bie Solemniteti i Marisё sё Shejtnueshme, Nënë e Zotit, po mё 1 janar bie edhe Dita Botërore e Paqes. Maria e Shejtnueshme, Mbretëreshë e Paqes, është nëna e çdo njeriu që lind në Hyjin dhe Nëna e Kishës. Bashkë me Kishën Lindore Marinё e nderojmë si “Përherë Virgjër, të shpallur solemnisht Nënë e shejtnueshme e Hyjit nga Koncili i Efesit, me qëllim që Krishti të njihej, në kuptimin e vërtetë e të mirëfilltë, si Bir i Hyjit dhe Bir i Njeriut”.

Të shtunën më 2 janar, kalendari kishtar pёrkujton shën Bazilin e Madh e shën Gregorin Nazianxeni, ipeshkvij e dijetarë.  Shën Bazili u lind në vitin 330 në Cezarenë e Kapadokisë nga prindër të shenjtë. Mori një edukatë letrare të thellë dhe jetoi me virtyt. Vendosi të përqafonte jetën heremitike, por në vitin 370 u bë ipeshkëv i qytetit të vet. Theksoi pa u lodhur temën e dashurisë, sidomos si angazhim për vëllezërit në nevojë. Luftoi kundër arianëve dhe shkroi vepra të shkëlqyeshme, veçanërisht rregullat murgare, që ndiqen edhe sot e kësaj dite nga shumë murgjër lindorë. Vdiq i varfër, siç edhe jetoi, në vitin 379. Ndër miqtë e parë e më të çmueshëm të Shën Bazilit gjejmë Shën Gregorin e Naxianxit. E nxisnin njëri-tjetrin për të ushtruar virtytin e për të zgjeruar dijen. Edhe Gregori u lind në vitin 330, por jetoi më gjatë se Bazili. U shugurua prift e pastaj ipeshkëv i Kostandinopojës, por, për shkak të ndasive që e pllakosën kishën e tij, u tërhoq në Naxianx, ku ndërroi jetë në vitin 390.

Të dielën e ardhshme më 3 janar, Kisha katolike do tё kremtojё tё Dielën e Dytë pas Krishtlindjes. Gjithnjë mё 3 janarkremtojmë Emrin e Shenjtë të Jezusit. Kjo festё u nderua dhe lëvdua nga Kisha qysh në shekujt e parë, por vetëm në shekullin XIV u zhvillua kulti liturgjik. Shën Bernardini, me ndihmën e vëllezërve të vet, e përhapi shumë këtë devocion, që më në fund u bë festë liturgjike. Në vitin 1530 Papa Klementi VII e autorizoi urdhrin françeskan të recitonte Shërbesën e Emrit të Shenjtë të Jezusit. Gjon Pali II e vendosi edhe një herë këtë festë më 3 janar në Kalendarin Romak.

Kujtojmë se Viti 2020 numëron ditët e fundit. Duke biseduar me ju, të dashur dëgjues kudo qё jeni, ndërmjet dy festave të mëdha të fundvitit, nuk mund të mos e mbyllim këtë faqe të parafundit të Kalendarit 2020, me urimin: “Për shumë vjet Krishtlindjen dhe Gëzuar Vitin e Ri!

27 dhjetor 2020, 10:46