Kërko

Imzot Pizzaballa duke hyrë në Bazilikën e Varrit Shenjt, Imzot Pizzaballa duke hyrë në Bazilikën e Varrit Shenjt, 

Patriarku Pizzaballa, duke hyrë në Varrin Shenjt: duhet hov i ri baritor

Në homelinë e mbajtur gjatë Meshës pontifikale, patriarku Pierbattista Pizzaballa kujtoi situatën në Tokën Shenjte dhe sfidat për Kishën e Jeruzalemit.

R. SH. - Vatikan

“Në këtë vend shenjt i kërkoj Zotit të më dhurojë forcë, guxim e qëndresë, për t’i dhënë jetë kësaj Kishe, për ta dashur e për t’i prirë me shpirt atëror e durimtar” - këto, fjalët e para të patriarkut latin të Jeruzalemit, imzot Pierbattista Pizzaballa, ndërsa hynte solemnisht dje në Bazilikën e Varrit Shenjt, ku kremtoi Meshën pontifikale. Në homelinë e rastit, patriarku kujtoi udhën e bërë në Tokën Shenjte, ku shkeli 30 vjet më parë si meshtar i ri, vitet e studimit dhe shërbimin si Rojtar i Tokës Shenjte, gjatë të cilit e njohu edhe më shumë Kishën e Jeruzalemit. “Ne ecim së bashku me një Zot, të cilin e njohim, drejt një ardhmërie, të cilën nuk e njohim - vijoi imzot Pizzaballa, duke reflektuar për çastet që kalon sot mbarë njerëzimi - posaçërisht për të ardhmen. Pasiguria e kësaj kohe - vijoi të pohojë - mund të na shkaktojë frikë e ankth. T’ia besojmë prandaj Zotit të njohur e të zbuluar nga Jezusi, për të gjetur paqe e ngushëllim. Të meditojmë historitë vetjake e kolektive e të kujtojmë  sa herë e provuam besnikërinë e Zotit-me-ne!

Një hov i ri, për Kishën e Jeruzalemit

Patriarku i nxiti besimtarët të mos e humbasin kurrë besimin në Fjalën e Zotit, ashtu si Pjetri në Liqenin e Tiberiades, pa e fshehur aspak ndrojtjen përballë misionit të ri, që ia besoi Papa në krye të Patriarkatit Latin të Jeruzalemit.E pranoj këtë barrë të re, që dua ta mbart me kënaqësi - pohoi - Sigurisht është Kryq, po Kryqi sjell fryte shëlbimi sa herë që pritet me gëzim”. Duke folur, më pas, për Kishën e Jeruzalemit, Patriarku vuri në dukje se duhet një hov i ri baritor në të gjitha territoret e kulturat,  gjithnjë me frymën e unitetit. Kujtoi edhe problemet e mprehta ekonomike dhe shoqërore që duhen përballuar, të rënduara nga pandemia. “Na pret edhe një fjalë e qartë mbi politikën, shpesh e brishtë e frymëshkurtër, por që peshon rëndë mbi jetën e gjithë familjeve tona - vijoi - E na pret edhe takimi me Kishat e  tjera motra e me vëllezërit myslimanë dhe hebrenj”.

Në përfundim Patriarku Pizzaballa u kërkoi besimtarëve të luten për misionin e  tij  e për Kishën e Jeruzalemit me besimin e plotë se Krishti i Ngjallur do t’i mbushë të gjithë me Shpirtin e Tij Shenjt e do t’i bëjë dëshmitarë të guximshëm të dashurisë së Tij, në Tokën e vet .

 

05 dhjetor 2020, 12:28