Kërko

Lutje për lirimin e meshtarëve bjellorusë Lutje për lirimin e meshtarëve bjellorusë 

Në Bjellorusi arrestohen dy meshtarë të tjerë

Në Bjellorusi u arrestuan jezuiti Viktor Zhuk dhe atë Alyaksei Varanko, mëkëmbës i famullisë greko-katolike të Ngjalljes së Krishtit. Dy meshtarëve iu vunë prangat në veri-lindje të vendit, pikërisht ditën e Zojës së Papërlyer.

R. SH. - Vatikan

Në Bjellorusi, dy meshtarë, jezuiti Viktor Zhuk, famullitar i Kishës së Shën Vladislavit e atë Alyaksei Varanko, mëkëmbës i famullisë greko-katolike të Ngjalljes së Krishtit, u arrestuan dje, më 8 dhjetor, në Vitebsk, qytezë në veri-lindje të vendit, në kufi me Rusinë.

Lajmin e dha kanali “catholic.by” i Konferencës ipeshkvnore bjelloruse, që shpjegon edhe se dy meshtarët u arrestuan dhe u çuan në Degën e punëve të brendshme të distriktit Pershamaiski të Vitebskut ku sot, 9 dhjetor, u proceduan, të akuzuar për krime administrative.

Kanali “catholic.by” kujton se jezuiti Viktor Zhuk është autor i predikimeve të së dielës, që botohen në internet. Konferenca ipeshkvnore  u kërkon familjarëve dhe miqve të meshtarëve të burgosur “t’i ndihmojnë me lutje gjatë këtij kalvari”.

Më 3 dhjetorin e kaluar, një meshtar tjetër, don don Viachaslau Barok, famullitar i famullisë së Shën Josaphat Kuntsevich, në Rasony (dioqeza Vitebsk), u dënua me 10 ditë burgim.

Besonim se në vendet ish-satelite të Bashkimit Sovjetik  kishte perënduar përgjithmonë persekutimi i meshtarëve. Po me sa duket, vijon. Gjë që u kujton të gjithë besimtarëve të krishterë, të cilët i kanë jetuar situata të këtilla, të bashkohen në lutje për meshtarët e persektuar në Bjellorusi. Që të lirohen sa më shpejt e të munden, kështu ta kryejnë në paqe misionin e  tyre të shenjtë, nga i cili mund të burojë vetëm paqja e Krishtit. Sidomos këto ditë, kur mbarë bota e krishterë është në pritje të ardhjes së Zotit!

 

09 dhjetor 2020, 14:25