Kërko

Mesha e Mesnatës në Betlehem Mesha e Mesnatës në Betlehem 

Mesazhi i Mesnatës nga Betlehemi. Pizzaballa: një Fëmijë lindi për ne!

Në homelinë e Natës së Krishlindjes, Patriarku latin i Jeruzalemit nënvizoi se shëlbimi “ka fytyrën e një njeriu, e ky është Jezusi, i lindur për t’u bërë ushqim e pije, duke na mësuar se nuk ka shpëtim pa dashurinë që jep e që merr.

R. SH. - Vatikan

“Jezu Krishti, Zoti i amshuar e biri i Atit të amshuar, lindi këtu, në Betlehem të Judesë, nga Virgjëra Mari”- Me këto fjalë shkëputur nga Martirologu romak u shpall Krishtlindja pikërisht në atë vend ku, më se dymijë vjet më parë, doli në dritë Jezusi. Këmbanat e Bazilikës së Lindjes së Zotit ranë përnjëherësh në festë, ndërsa kori intononte himnin e Kshndellave: “Lavdi i qoftë Zotit në qiell e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë”, i shoqëruar me organo. Nga Shpella e Betlehemit edhe një herë gëzimi i Krishtlindjes u përhap në mbarë botën, ndonëse në këtë vit vuajtjesh për shkak të pandemisë së koronavirusit, edhe Mesha e lindjes së Shëlbuesit ishte ndryshe. Kremtimi ishte i mbyllur për publikun, për të kufizuar rrezikun e infektimeve të mundshme, e vetëm një delegacion i vogël  diplomatësh e të krishterësh vendas mori pjesë në liturgji, si përfaqësues i klerit, të rinjve  e shtegtarëve.

Mijëra vetë, të lidhur përmes internetit

Kremtimin e Natës së Krishtlindjes e kryesoi Patriarku latin i Jeruzalemit, imzot Pizzaballa. E kjo ishte dalja e tij e parë në përfundim të karantinës, sepse edhe ai qe i prekur nga koronavirusi. Patriarku hyri në Betlehem dje pasdite, i shoqëruar nga këngët e mbrëmësoreve të para, i pritur nga besimtarët e grumbulluar rrugës e nga njëmbëdhjetë grupe skautësh me daulle e gajde. Pastaj, nisi Mesha e Natës, me një numër të kufizuar të pranishmish, por e ndjekur nga mijëra njerëz drejtpërdrejt në internet.

Një çast nga Mesha, te Grazhdi

“Profecia e Izaisë dhe Ungjlli i Krishtlindjes, që sapo e dëgjuam - kujtoi imzot Pizzaballa në homeli - e ndriçojnë edhe sonte natën e barinjve e të mbarë botës”. “Ndjehemi të gjithë të kapitur, të lodhur, të këputur, të ndrydhur tepër gjatë nën barrën e kësaj pandemie… Po Foshnja u lind përsëri për ne, na u dhurua një Bir: e kjo është siguria e të krishterëve. Është shpëtimi ynë! Ka një fytyrë e një emër: quhet Krisht, lind për t’u bërë ushqim e pije, duke na mësuar se nuk ka shëlbim, pa dashurinë që japim e që marrim”.

Ky, mësimi që na vjen rishtas sot nga Shpella e Betlehemit, ku Krishti lindi përsëri  për të na mbushur me shpesë para një ardhmërie të panjohur, por pa harruar se Zoti hyri në botë për të na marrë për dore drejt një ardhmërie me gëzim e paqe!

25 dhjetor 2020, 11:54