Kërko

Vatican News
 Ipeshkvijve katolikë të Shqipërisë Ipeshkvijve katolikë të Shqipërisë 

Mesazh i Ipeshkvijve katolikë të Shqipërisë për Krishtlindje!

Sipas Ipeshkvijve katolikë të Shqipërisë "jeta në vendin tonë është rrezikuar shumë nga pandemia, varfëria, papunësia, vrasjet, emigrimi, kemi përshtypjen se gjendemi në errësirë. Prandaj, Lindja e Krishtit, i zbulon njeriut Hyjin dhe njeriut njeriun. Sot nuk kemi nevojë për asgjë më shumë sesa për solidaritet me njëri-tjetrin. Ne jemi duart dhe përkujdesja e Hyjit për njerëzit".

R.SH. - Vatikan

Drita e Krishtlindjes na fton ta ngremë shikimin lart, përtej pandemisë, varfërisë, papunësisë, vrasjeve e emigrimit dhe ta drejtojmë vështrimin drejt vëllezërve e motrave tona në nevojë, për një Krishtlindje me paqe e bekime.  Kështu, Ipeshkvijve katolikë të Shqipërisë për Krishtlindjen 2020 u drejtohen besimtareve  një mesazh shprese e gëzimi me fjalët e Isaisë profet: Hyji e shtoi gëzimin, Ai e madhëroi harenë (krh Is 9, 2). 

Sipas Ipeshkvijve katolikë të Shqipërisë "në këto kohë, jeta në vendin tonë është rrezikuar shumë. Nga njëra anë pandemia me pasojat e saj, nga ana tjetër, varfëria, papunësia, vrasjet, aksidentet dhe emigrimi, kanë krijuar, shpesh, përshtypjen se gjendemi në errësirë.

Prandaj, Lindja e Krishtit, i zbulon njeriut Hyjin dhe njeriut njeriun. Drita që vjen prej Tij na bën ta ngremë shikimin lart, por edhe ta drejtojmë drejt vëllezërve e motrave tona në nevojë. Prandaj ju ftojmë për një Krishtlindje me paqe: më shumë angazhim të ndershëm e cilësor të secilit prej nesh në vlera shpirtërore e në veprimin social e profesional me shumë vepra dashurie vëllazërore. Po më hollesisht të ndjekim mesazhin e Ipeshkvijve katolikë të Shqipërisë për Krishtlindjen 2020 në fjalët e zëdhënësit dom Mark Shtjefnit, ta dëgjojmë...

Mesazhi Ipeshkvijve katolikë të Shqipërisë për Krishtlindjen 2020 në fjalët e zëdhënësit dom Mark Shtjefni

Mesazh i Ipeshkvijve katolikë të Shqipërisë për Krishtlindje!

Të dashur vëllezër e motra,

meshtarë, rregulltarë e rregulltare, besimtarë e besimtare,

këto fjalë që po ju drejtojmë janë si një trokëllimë e lehtë mbi dyert e zemrave tuaja dhe një kumtim në këtë festë Krishtlindjeje. Ju përshëndesim me fjalët e Isaisë profet: Hyji e shtoi gëzimin, ai e madhëroi harenë (krh Is 9, 2).

 Hyji do të ndërhyjë për ta zgjidhur këtë situatë 

Kudo ku do të kremtohen meshët e Krishtlindjes në mbrëmjen e datës 24 dhjetor, do të kumbojnë fjalët e Isaisë profet: “Populli që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe; për banorët që jetonin në krahinën e hijes së vdekjes, zbardhi drita plot shkëlqim.” (Is 9,1). Kur Isaia i ka shkruar këto fjalë, populli i tij po përjetonte një situatë të vështirë dhe dramatike. Isaia shikon përtej situatës. Profetët shikojnë gjithmonë përtej situatës, jo se e parashikojnë atë apo ikin prej saj, por sepse e lexojnë historinë nga këndvështrimi i Fjalës së Hyjit, e shohin historinë me sytë e Zotit. Hyji do të ndërhyjë për ta zgjidhur këtë situatë me patjetër dhe shenja është kjo: “Sepse na lindi një foshnjë, fituam një djalë” (Is 9,5). Aty ku sipas logjikës njerëzore pritet të përdoren armët, të rriten ushtritë dhe fuqitë për t’i bërë ballë armikut, për të zgjidhur kështu situatat, Hyji ndërhyn me gjënë e brishtë, lindjen e një foshnje. Brishtësia e jetës kthehet në “armën” e fitores së Hyjit dhe të popullit të tij mbi të keqen.

Jeta në vendin tonë është rrezikuar shumë

Në këto kohë, jeta në vendin tonë është rrezikuar shumë. Nga njëra anë pandemia me pasojat e saj rënduese, nga ana tjetër vrasjet, aksidentet, por edhe varfëria, papunësia dhe emigrimi, na kanë krijuar shpesh përshtypjen se gjendemi edhe ne në errësirë, në zgrip të një gremine e nuk dimë nga të shkojmë. Në këtë situatë, ne si ipeshkvij e barinj të popullit të krishterë katolik, i kemi sytë të ngulur drejt dritës që mund të shkëlqejë edhe nga këto situata për të gjithë ne. Jemi të thirrur të dëshmojmë dritën dhe të besojmë se ajo është më e fortë se errësira dhe jeta më e fortë se vdekja. Sot kjo dritë dëshmohet tashmë nga shumë njerëz, familjarë, mjekë, infermierë, personel spitalesh apo qendrash rehabilitimi që po kujdesen për shumë njerëz të sëmurë.

Të bëjmë gjithçka për cilësinë e jetës

Kjo periudhë festash është një thirrje e fortë për ne që të bëjmë gjithçka për cilësinë e jetës, e cila akoma më shumë sesa për të mira materiale, ka nevojë për marrëdhënie të shëndosha, për solidaritet, për hapje horizontesh kulturore dhe shpirtërore, për besim dhe shpresë.Krishtlindja na mëson shumë gjëra, por ne dëshirojmë të evidentojmë dy prej tyre: guximi dhe solidariteti. Le të hedhim shikimin mbi dy dëshmitarë të Krishtlindjes: Jozefi dhe Maria.

Para pak ditësh Papa Françesku ka shpallur vitin e shën Jozefit, të fejuarit të Marisë dhe kujdestarit atëror të Jezusit. Shembulli i Jozefit është shembulli i asaj çka do të thotë atësi e përgjegjshme dhe guxim në situata të vështira. Pikërisht në një situatë të vështirë e të komplikuar, Jozefi nuk tërhiqet nga detyra e tij, sepse ai e di se nuk ka vështirësi që nuk kalohet me Hyjin, nëse Fjalën e tij e lejojmë të bëhet dritëz për hapat tanë (krh. Ps 119,105). Sa shumë guxim na duhet në këtë kohë! Na kërkohet të marrim përsipër jetën dhe ta ruajmë atë, duke u bërë kështu të përgjegjshëm për jetën tonë dhe jetën e të tjerëve. Këtë vit edhe ne si Kishë lokale në Shqipëri, dëshirojmë t’i kushtojmë një reflektim të kujdesshëm figurës atërore të Jozefit për të medituar mbi këtë ëndërrimtar që shoshit dhe pranon planin e Hyjit, një atë i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm, një njeri i drejtë dhe soditës. Të mos kemi frikë edhe në këtë situatë të vështirë, Hyji është me ne! Guximi i përballjes edhe me këto situata të vështira që po kalojmë, na vjen pikërisht nga fjala siguruese e Hyjit drejtuar Jozefit: Mos ki frikë! (Mt 1,20)

Maria, lajmin se do të ngjizte një fëmijë, e ndan me Elizabetën (Lk 1,39-45). Është shumë i bukur ai takim midis këtyre dy grave. Shkrimi i Shenjtë, Bibla, përmban brenda vetes Fjalën e Hyjit (DV 24) dhe para se të jetë një kod moral, Bibla është një teofani, një zbulim, shfaqje e Hyjit në jetën e njerëzve. Takimi i këtyre dy grave bëhet zbulues për to, shfaqës i planit të Hyjit. Solidariteti i Marisë me Elizabetën është zbulues i një solidariteti më të thellë, atij të Hyjit me popullin e tij.

Kemi nevojë shumë për solidaritet me njëri-tjetrin

Sot ne nuk kemi nevojë për asgjë më shumë sesa për solidaritet me njëri-tjetrin. Ky solidaritet kthehet në një shpërfaqës të dashurisë së Hyjit për njerëzit. Ne jemi duart dhe përkujdesja e Hyjit për njerëzit.

Lindja e Krishtit, të dashur vëllezër e motra, i zbulon njeriut Hyjin dhe njeriut njeriun. Drita që vjen prej tij na bën ta ngremë shikimin lart, por edhe ta drejtojmë drejt vëllezërve e motrave tona në nevojë, sikurse Maria me Elizabetën. Prandaj ju ftojmë për një Krishtlindje me paqe: më shumë angazhim të ndershëm e cilësor të secilit prej nesh në vlera shpirtërore e në veprimin social e profesional; më pak fjalë boshe e shurdhuese dhe më shumë vepra dashurie vëllazërore.

Dëshirojmë ta mbyllim këtë letër tonën me fjalët që engjëjt këndojnë Natën e Lindjes së Krishtit: “Lavdi Hyjit në më të lartin qiell e paqe mbi tokë njerëzve që i ka përzemër” (Lk 2,14).

Paqja, gëzimi dhe drita e Hyjit jetoftë në çdo vatër të familjeve tuaja, në zemrat e në mendjet tuaja të dashur vëllezër e motra!

Ipeshkvijtë tuaj

Tiranë, 21/12/2020

23 dhjetor 2020, 10:26