Kërko

Bazilika e Lindjes sё Krishtit nё Betlehem Bazilika e Lindjes sё Krishtit nё Betlehem 

Krishtlindje në Betlehem pa shtegtarë, por jo pa optimizëm

Në Tokën Shenjte nuk ndjehet prej muajsh gumzhima e zakonshme e turmës, që vinte nga larg për t’i vizituar këto Vise. E në vend të saj, ndjehet fort mungesa e punës - e tensionet shoqërore ashpërohen.

R. SH. - Vatikan

Zemra e Krishtlindjes jeton e zhytyr në heshtjen e shkretëtirës. Shumica e dyqaneve janë të kyçura. Kufizimet, të jashtëzakonshme. Fundjava, e heshtur e gjithçka e mbyllur, pa jetë, që nga ora 19.00 – deri në orën 6 të mëngjesit. Protokolle të posaçme, për kremtimin e liturgjive katolike, ashtu si edhe për lutjet në xhamitë. Në këtë atmosferë surreale kremtohet sivjet festa e madhe, aty ku nisi! Ku lindi Zoti i saj e yni. E megjithatë, jeta pulson. Jeta jeton, edhe pse e sulmuar çdo çast nga ndeshjet e armatosura, varfëria, sëmundjet.

Kremtimet janë të kufizuara, me një pikëpyetje të madhe për praninë e Patriarkut, imzot Pizzaballës, i cili këto ditë njoftoi se është prekur nga koronavirusi, ndonëse asintomatik. Prej këndej, shpresa se do të jetë i pranishëm në kremtimin e Meshës së Mesnatës të 24 dhjetorit (lavdi Zotit këtu nuk do të mungojë kremtimi më prekës) që këtë herë - duke pasur parasysh situatën në Territoret, do të jetë me disa ndryshime, në krahasim me vitet e kaluara. Nuk parashikohet, për shembull, pjesëmarrja e presidentit palestinez, Abu Mazen, ndërsa në Jeruzalem do të jenë të pranishëm konsujt  e përgjithshëm të Francës, Spanjës, Belgjikës e Italisë.

Ritet do të fillojnë më 24 dhjetor, me nisjen tradicionale të Patriarkut në mëngjes nga Jeruzalemi (në rast pamundësie, do të jetë delegati i tij). Ndalesa e parë do të jetë pranë manastirit ortodoks të Shën Elisë, për takimin me një grup nga përfaqësia e Famullisë së Beit Jala, fare pranë Betlehemit. Ndalesa e dytë, tek varri i Rakelës, e më pas, hyrja në Betlehem, me pritjen tradicionale të skautëve nën tinguj e gajdeve, të kryebashkiakut e të përfaqësuesve të Kishës Ortodokse e asaj Armene. Në mesnatë, Mesha, në Kishën e Shën Katerinës, me ruajtjen e distancave e maskat e, më pas, ditën e Këshndellave, Mesha e Solemnitetit, me famullinë e Betlehemit, në të njëjtën Kishë.

Megjithë pengesat, sëmundjen e të sëmurët, atje ku lindi Krishti  ndjehet fort  dëshira për të vijuar luftën, këtë herë kundër virusit - e për ta fituar edhe këtë betejë!

23 dhjetor 2020, 11:56