Kërko

Vatican News

Këshilli i ri, misioni i përhershëm i Kustodies Françeskane 'Zoja Nunciatë'

Kustodia Françeskane Shqiptare „Zoja Nunciatë“, në Shqipëri e Mal të Zit, mbajti Kapitullin në Kuvendin Gjuhadolit, në Shkoder mbi temёn „Të varfër për të varfërit“. Ta duan Kishёn dhe t’i shërbejnë popullit tё Zotit me zellin legjendar të paraardhësve, që duhet rizbuluar në epokën e sotme kur, Ungjilli has nё vёshtirёsi tё ndryshme. Ky është impenjimi i madh shpirtëror e apostolik, që kanё Fretёrit e Kustodies Françeskane Shqiptare nё Shqipёri, nё Mal tё Zi e nё vise tjera shqiptare.

R.SH. - Vatikan

Kustodia Françeskane Shqiptare „Zoja Nunciatë“, në Shqipëri e Mal të Zit, nga data 30 nёntor deri mё 2 dhjetor,  mbajti Kapitullin në Kuvendin e Shën Françeskut të Asizit në Gjuhadol, në Shkoder mbi temёn „Të varfër për të varfërit“.

Me datën 30 nëntor 2020, në fund të ditës së parë të punës, Vizitatori gjeneral, fra Lovro Gavran, publikoi Dekretin e Ministrit të Përgjithshëm të Urdhrit Françeskan të Fretërve të Vegjël, fra Michael A. Perry në të cilin shpallej qeveria e re e Kustodies Françeskane Shqiptare. Kustod është fra Pashko Gojçaj, ndërsa këshilltarët janë: fra Aurel Gjerkaj, fra Gazmend Tinaj, fra Prelë Gjurashaj dhe fra Sokol Pepushaj. Ju urojmë suksese në misionin dhe detyrën e tyre të re.

Ta duan Kishёn dhe t’i shërbejnë popullit tё Zotit me zellin legjendar të paraardhësve, që duhet rizbuluar në epokën e sotme kur, Ungjilli has nё vёshtirёsi tё ndryshme. Ky është impenjimi i madh shpirtëror e apostolik, që kanё Fretёrit e Kustodies Françeskane Shqiptare „Zoja Nunciatë“, nё Shqipёri, Mal tё Zi dhe nё vise tjera shqiptare, pёr tё ecur në rrugën e misionit tё tё parёve, plot besnikëri ndaj karizmës fillestare, po në rrethana kishtare e shoqërore, që karakterizojnë  shoqёrinё e sotme bashkёkohore shqiptare.

Po mё hollësisht mbi Kapitullin apo mbledhjen plenare tё Kustodies Françeskane Shqiptare tё ndjekim shёrbimin e motrёs françeskane Olda Dulaj...

Tё ndjekim shёrbimin e motrёs françeskane Olda Dulaj...

KUSTODIA FRANÇESKANE SHQIPTARE „ZOJA NUNCIATË“

Kapitulli Kustodial

Kustodia Françeskane Shqiptare „Zoja Nunciatë“, në Shqipëri e Mal të Zit ka kremtuar Kapitullin në Kuvendin e Shën Françeskut të Asizit në Gjuhadol, në Shkoder. Kapitulli u mbajt nga e hëna  me 30 nëntor, deri të merkurën me 02 dhjetor.

Kapitulli në të cilin ishin të ftuar të gjithë fretnit e Kustodies, me kushte të përjetëshme, filloi punën me kremtimin e Meshës në nderë Shpirtit Shenjt që kapitulli të ketë mbarëvajtje dhe të jetë i fryshëm.

 Me falënderim ndaj Zotit ky Kapitull u konsiderua si një dhuratë e madhe e Zotit, kohë e privilegjuar e formimit të vazhdueshëm të fretnëve, në mënyrë që ta vlerësojë të kaluarën, e sidomos trevjeçarin që sapo përfundoi; gjithashtu, që me dashuri dhe mirëkuptim ta jetojnë sa më mirë dhe sa më denjësisht momentin e tashëm;  me shpresë ta programojnë jetën dhe aktivitetet e tyre të ardhëshme, e sidomos trevjeçarin që po fillon me këtë kapitull.

Në këtë njet e motiv fretnit i drejtuan Zotit lutje që Shpirti i tij t i shëndrrojë ata në njerëz të rij: të një mendjeje, një zemre e një shpirti – para Zotit dhe para njerëzve, që të mund të jenë deshmitarë të denjë të Ungjillit, ndjekës besnikë të Jezu Krishtit dhe vëllezër të vërtetë të Shën Françeskut të Asizit.

 Tema e Kapitullit „Të varfër për të varfërit“ paraprakisht e caktuar dhe mirë e përgatitur ishte një nxitje mendimesh e diskutimesh për të tashmen dhe të ardhmen në bashkësi dhe në mision.

Kapitulli kustodial përveç  pjesës punuese, pati edhe atë zgjedhore. Ditën e parë me 30. Nëntor, Presidenti i Kapitulli dhe njëherit asistenti i Ministrit gjeneral, p. Lovro Gavran shpalli kryesinë e re të Kustodies, si vijon: Kustod i ri, p. Pashku Gojçaj, kurse Këshilltar: P. Aurel Gjerkaj, P. Gazmend Tinaj, P. Prelë Gjurashaj dhe P. Sokol Pepushaj.

Kustodi i ri At Pashko Gojçaj ofm

Kustodi i ri, p. Pashko Gojçaj është i lindur 1955. në Skorraq të Traboinit në Mal të Zi.

Shkollën fillore e ka përfundue në Arrzë, ndërsa gjimnazin klasik dhe  teologjinë, në Split të Kroacisë. Vjetin pastoral e përfundon në Fulda të Gjermanisë. Në vjetin 1980. shugurohet  Meshtar në katedralën e Splitit. Meshën e Parë, e kremton në Tuz, ku dhe fillon veprimtarinë e tij pastorale, si famullitar i Kojës  dhe i Tuzit.

Aktualisht guardian i kuvendit në Tuz, drejtor i  Caritasit dhe Vikar i Përgjithshëm i Argjipeshkvisë së Tivarit.

Krahas veprimtarisë pastorale, angazhimi i tij asht i gjithanshëm. Ai shquhet  sidomos me aktivitetet kulturore, iniciativat e organizimet e shumë projekteve me qëllim formimi fetaro kulturor të besimtarëve të Malsisë, siç janë: shfaqjet, dramat, filmat tematika të ndryshme biblike, morale e sociale.

Është kryeredaktor i revistes “Zani i Shna Ndout” dhe organizator i disa simpoziumeve shkencore e promovimeve të nji numri të konsiderueshëm të librave, autor i disa prej tyre është edhe ai vet.

Në kuadër të veprimtarisë shpirtnore e kulturore, p. Pashku është  iniciator, koordinator e investitor edhe i shum ndertime të objekteve fetare. Para së gjithash përmendim qëndrën Pastorale, kishën, shum kapela dhe objekte tjera si dhe vendosje të truporeve të shejtënve, por edhe  të personaliteteve më me vlerë e rëndësi për besimtarët dhe në përgjithësi për popullin në Malësi.

Kryesinë e re të Kustodies “Zoja Nunciatë” në Shqipni e Mal të Zi, si dhe të gjithë fretnit i urojmë që bekimi i Zotit t’i përcjell në shërbimin e tyre, Zoja Nunciatë t’ ruajë me dashuri amnore e Shën Françesku të jetë frymëzim e shembull në jetën dhe veprimtarinë e tyre.

Motër Olga Dulaj

04 dhjetor 2020, 10:11