Kërko

Vatican News
Kryeipeshkvi Tiranё-Durrёsit e Presidenti i Konferencës sё Ipeshkvijve katolikë të Shqipërisë, imzot George Frendo Kryeipeshkvi Tiranё-Durrёsit e Presidenti i Konferencës sё Ipeshkvijve katolikë të Shqipërisë, imzot George Frendo 

Imzot Frendo: O Zot, ruaje Shqipërinë tonë

Imzot Frendo, nё mesazhin e Krishtlindjes 2020: O Zot, ruaje Shqipërinë tonë. Dhe na lejo të qëndrojmë afër teje, që në fytyrën tënde të shohim fytyrën e çdo njeriu, sepse lindja jote na ka bashkuar si një familje. Jepu guxim politikanëve tanë që të kërkojnë gjithmonë dhe vetëm të mirën e përbashkët. Qoftë çdo ditë një Krishtlindje për ne, një ditë gëzimi, shprese dhe viti i ri të forcojë bashkimin tonë në paqe.

SH. - Vatikan

Kryeipeshkvi Tiranё-Durrёsit e Presidenti i Konferencës sё Ipeshkvijve katolikë të Shqipërisë, imzot George Frendo, nё mesazhin e Krishtlindjes 2020, ndalet tek realiteti sotëm shqiptar, me mangësitë dhe vlerat qё e karakterizojnë, e pohon se nga grazhdi Betlehemit Jezusi Foshnje vazhdon të buzëqesh drejt nesh e na fton qё me forcën e Tij Hyjnore tё jemi pranё tё varfërve, viktimave tё koronavirusit, pranë familjeve shqiptare, tё luftojmë dhunën, padrejtësinë, tё mos lejojmë zbrazjen e Shqipërisë nga elementet e vlefshme dhe të rinj.

Po, Jezusi Foshnje qan dhe buzëqesh. Jezusi buzëqesh kur shikon se shumica e familjeve tona ende janë shumë të bashkuara, kur fëmijët nuk kanë frikë, kur familjet janë në dialog me Zotin në lutje. Jezusi qan, por edhe buzëqesh duke parë një Shqipëri të stolisur me aq shumë gjëra të bukura që ai vetë ia ka dhuruar. Falënderojmë Zotin për tiparet që përshkruajnë karakterin shqiptar që tregon gëzim, solidaritet, mikpritje, thjeshtësinë e fëmijëve dhe respekt për të moshuarit. Qoftë çdo ditë një Krishtlindje për ne, një ditë gëzimi, shprese dhe viti i ri të forcojë bashkimin tonë në paqe.

Imzot George Frendo: mesazhi Krishtlindjes 2020

Imzot George Frendo: MESAZH PËR KRISHTLINDJEN 2020

Krishtlindja na fton të gëzohemi për lindjen e një foshnjeje. Si çdo foshnjë, nuk flet. Vetëm qan. Qan edhe sot. Jezusi po qan për viktimat e tërmetit që ende janë nën çadra dhe, si Jezusi që lindi jashtë shtëpisë, edhe ata do ta kalojnë Krishtlindjen jashtë shtëpisë. Po qan për viktimat e koronavirusit dhe për familjet e tyre. Jezusi po qan për viktimat e dhunës, duke parë se sa shumë është rritur numri i vrasjeve, shpeshherë për arsye banale. Jezusi po qan gjithashtu kur sheh se disa qiradhënës pa skrupull kanë përfituar nga tragjedia e tërmetit për të rritur çmimet e qirasë. Jezusi po qan sot për një Shqipëri që po zbrazet: numri i azilkërkuesve shqiptarë është vazhdimisht në rritje. Kjo është varfëria më e madhe në Shqipëri sot: po humbet shumë elemente të vlefshme dhe shumë të rinj. Jezusi po qan sot edhe për rreziqet që po përballon familja shqiptare. Divorcet në Shqipëri kanë arritur një numër të lartë. Viktimat e pafajshëm të divorcit janë fëmijët. Çdo fëmijë ka të drejtë të rritet në një ambient familjar, me të dy prindërit.

Por le të jemi më realistë. Jezusi qan, po; por edhe buzëqesh. Ai buzëqesh duke parë sesi populli ynë tregon solidaritet të veçantë në fatkeqësi. E ka treguar pas tërmetit, e ka treguar edhe këto ditë pas vrasjes së një djali 25 vjeçar. Jezusi qan, por edhe buzëqesh. Ai buzëqesh ku shikon se shumica e familjeve tona ende janë shumë të bashkuara dhe gëzohet kur sheh prindër që respektojnë njëri-tjetrin si bashkëshortë të barabartë në dinjitet, kur fëmijët nuk kanë frikë t’u afrohen prindërve në dialog të hapur dhe kur familjet janë në dialog me Zotin në lutje. Jezusi qan, por edhe buzëqesh duke parë një Shqipëri të stolisur me aq shumë gjëra të bukura që ai vetë ia ka dhuruar. Falënderojmë Zotin për tiparet që përshkruajnë karakterin shqiptar që tregon gëzim, solidaritet, mikpritje, thjeshtësinë e fëmijëve dhe respekt për të moshuarit.

Nga grazhdi ai vazhdon të buzëqesh drejt nesh. Është buzëqeshja që na jep guximin që, me vendosmëri, të ecim përpara të bindur që, me vullnet të mirë dhe me ndihmën e Zotit, këtë Shqipëri të bukur, mund ta rindërtojmë në një Shqipëri më të bukur. Le të jetë kjo lutja jonë sot:

O Zot, ruaje Shqipërinë tonë. Jepu guxim politikanëve tanë që të kërkojnë gjithmonë dhe vetëm të mirën e përbashkët. Dhe na lejo të qëndrojmë afër teje, që në fytyrën tënde të shohim fytyrën e çdo njeriu, sepse lindja jote na ka bashkuar si një familje.

Qoftë çdo ditë një Krishtlindje për ne, një ditë gëzimi, shprese, kur i japim dorën çdo personi, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës, nga klasa sociale, nga gjuha, nga besimi, sepse Jezusi ka lindur që të jetë Shëlbuesi i të gjithëve. Krishtlindja le të sjellë gëzim dhe shpresë, dhe viti i ri të forcojë bashkimin tonë në paqe, por duke kujtuar se s’ka paqe pa drejtësi.

24 dhjetor 2020, 13:07