Kërko

Vatican News
Mons George Frendo arcivescovo di Tirana e presidente conferenza episcopale d'Albania Mons George Frendo arcivescovo di Tirana e presidente conferenza episcopale d'Albania 

Imzot Frendo: Viti po mbaron, me bekimin e Zotit njё Vit tё Ri do tё fillojmё

Imzot Frendo: Një vit tjetër ka kaluar, gjatë të cilit dëgjuam e përjetuam lajme që na kanë trishtuar, po e kemi ndjerë edhe dashurinë e Zotit. Pasi edhe pse kemi përballuar probleme e shqetësime të ndryshme, Zoti na ka afruar. Në çaste të vështira i kemi dëgjuar hapat e tij, i cili, duke na dhënë kurajo, na pëshpërit në veshë: “Unë jam me ty!”. Le të lutemi që, duke kujtuar të keqen që kaloi, të mos të harrojmë të mirën; dhe kur kemi frikë nga e ardhmja, mos ta humbasim shpresën.

R.SH. - Vatikan

Imzot George Frendo O.P., kryeipeshkёv i Tiranё-Durrёsit e President i Konferencës Ipeshkёvnore Katolike tё Shqipërisë, pёrmes njё reflektimit pёrshkon vitin 2020 me ngjarjet e trishta nga Covid tek vuajtjet, vetmitё, dhuna, vdekja e shumё, madje tepёr shumё njerёzve. Po Imzot Frendo na fton t’i shohim gjurmёt e pranisё sё Zotit edhe nё momentet e vёshtira tё jetёs dhe tё mos humbasim shpresёn nё Tё, pёr njё Vit tё Ri 2021 me Bekime e tё mira. Po tё dёgjojmё Imzot Frendon nё mikrofonin e redaksisё shqipe tё Radio Vatikanit – Vatican News:....

Imzot Frendon nё mikrofonin e redaksisё shqipe tё Radio Vatikanit – Vatican News uron nje Vit te Ri 2021 me bekime

Mons. George Frendo O.P.

Një vit tjetër po mbaron. E ndoshta ndërsa urojmë ose pranojmë urimet: “Gëzuar Vitin e Ri!”, as mendojmë fare se po afrojmë mbarimin tonë edhe me një vit tjetër. E ndoshta as mendojmë sa shumë duhej ta falënderonim Zotin sepse na e ka dhuruar këtë vit, në të cilin patëm mundësi ta afronim më shumë.

Një vit tjetër ka kaluar, gjatë të cilit kemi dëgjuar lajmet që na kanë trishtuar. Televizioni ka sjellë në shtëpitë tona filmime ngjarjesh shumë të trishtueshme: të Covid-it, të njerëzve të vrarë në luftëra, ose në tërmete, ose në aksidente; të vajzave të përdhunuara, të fëmijëve të braktisur; të intolerancës, të veseve seksuale.

Kemi dëgjuar për njërin dhe për tjetrin: për vdekjen e pritur të një personi të shtyrë në moshë, ose pas një sëmundjeje të gjatë; por kemi dëgjuar edhe për ndonjë vdekje të papritur, një vdekje të menjëhershme, në një moshë të re, e cila na ka çuditur dhe tronditur.

Një vit tjetër ka mbaruar, në të cilin kemi ndjerë dashurinë e Zotit. Pasi edhe pse kemi përballuar probleme dhe shqetësime të ndryshme, Zoti na ka afruar duke na ftuar: “Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh.”

Në çaste të vështira i kemi dëgjuar hapat e tij, i cili, duke na dhënë kurajo, na pëshpërit në veshë: “Unë jam me ty!” Patëm fat të dëgjonim fjalët e tij, fjalët e jetës, kështu që kur ishim të dëshpëruar pasi që kishim dëgjuar lajme të trishtueshme, dhe të zemëruar për atë që kishte abuzuar me më të voglin dhe më të dobëtin, për atë që kishte korruptuar, përdhunuar, vjedhur, vrarë, megjithatë fjala e Zotit na ka bindur se dashuria e vërtetë është akoma e mundshme!

Le të lutemi që, duke kujtuar të keqen që kaloi, të mos të harrojmë të mirën; dhe kur kemi frikë nga e ardhmja, mos ta humbasim shpresën.

Dhe do të fillojmë një vit të ri. A do ta mbarojmë apo jo, nuk e di, as e vras mendjen për këtë. Vetëm këtë dua: që po ta mbaroj apo jo, në fund të vitit ose në fund të jetës të gjendem para Zotit i përgatitur, me dritëz të ndezur! Jemi krejtësisht të Zotit: të angazhohemi për të zbatuar gjithmonë planet e tija.

29 dhjetor 2020, 12:08