Kërko

Mbretërit Dijetarë, për vizitë tek Krishti, mbajnë maska, në këtë Betlehem, në kohë pandemie Mbretërit Dijetarë, për vizitë tek Krishti, mbajnë maska, në këtë Betlehem, në kohë pandemie

Forte: Krishtlindja në pandemi, kohë për rilindjen e shpresës

Teologu italian, kryeipeshkëv i Chieti-Vastos, reflekton mbi lindjen e Jezu Krishtit. Në emergjencë të plotë shëndetësore, shpjegon, të shohim drejt Foshnjës Hyjnore do të thotë të kujtohemi se Zoti nuk lodhet së na dashuri

R.SH. - Vatikan

Një Krishtlindje që sjell me vete muaj vuajtjesh, mundimesh e humbjesh. Pandemia i ka sprovuar rëndë njerëzit, shpesh, edhe duke i detyruar të përballen me dhimbje të mëdha, si vdekja e të afërmve, ose pamundësia për t’u qëndruar pranë të sëmurëve me koronavirus.

Kjo kohë përjetohet gati përzishëm, por, fillimisht Pashkët e tani, edhe Krishtlindja, na tregojnë se ka një të mirë më të madhe që nuk vdes, se jeta rilind në ngrohtësinë e një grazhdi, se edhe shën Jozefi e shën Maria patën kufizime e vështirësi, siç nënvizoi Papa Françesku në audiencën e përgjithshme të 16 dhjetorit, por “feja, shpresa dhe dashuria i drejtuan dhe i mbështetën”. E gjetën drejtimin e rrugëtimit të tyre në thelbin e jetës, ndërsa në sytë e Foshnjës Hyjnore zbuluan Misterin, që duhej mirëpritur.

“Festa e Krishtlindjes – tha Papa Françesku në Engjëllin e Tënzot të 13 dhjetorit - na kujton se Jezusi është paqja, gëzimi, forca, ngushëllimi ynë. Por, për t’i mirëpritur këto dhurata hiri, duhet të ndihemi të vegjël, të varfër dhe të përvuajtur, si personazhet e Betlehemit. Edhe në këtë Krishtlindje, në mes të vuajtjeve të pandemisë, Jezusi, i vogël dhe i pafuqishëm, është ‘Shenja’, që Zoti i jep botës”.

Bamirësia dhe shpresa: fytyra e Krishtlindjes

         Imzot Bruno Forte, kryeipeshkëv i Chieti-Vastos, shpjegon kuptimin e Krishtlindjes në këtë çast vështirësish të mëdha, për shkak të koronavirusit:

         Çfarë është Krishtlindja? Për fenë e krishterë, Krishtlindja nuk është thjesht kujtimi i Mishërimit të Birit të Zotit, por është siguria se ky fillim është gjithmonë i ri. Zoti nuk është lodhur duke e dashur njeriun, Ai na destinon për dashurinë dhe fillon, me një hov të përtërirë dhurimi, të na qëndrojë sërish afër të gjithëve. Nëse kjo është gjithmonë e vlefshme për çdo Krishtlindje, aq më shumë duhet kujtuar në këtë Krishtlindje, e cila karakterizohet nga trishtimi i pandemisë, me gjithë bagazhin e vuajtjes, të dhimbjes e, fatkeqësisht, edhe të vdekjes, që bart me vete. Kjo Krishtlindje vjen të na thotë se Zoti nuk na ka harruar as në pandemi, prandaj, mund të vazhdojmë të shpresojmë, të besojmë në Të, me sigurinë se nuk do të na lërë vetëm. Sigurisht, duhet të kalojmë nëpër këtë sprovë e është e nevojshme ta kalojmë, duke e mbajtur gjallë flakën e fesë, të shpresës dhe të dashurisë, siç po e provojnë të gjithë para ngjarjeve të përditshme. Por sigurisht që sprova nuk do ta ketë fjalën e fundit: kjo është shpresa e madhe e të krishterit, një shpresë që natyrisht, shndërrohet në vepra konkrete, si për shembull, në besimin ndaj vaksinës, e cila mbërriti më në fund. Vaksinimi më duket një veprim i përgjegjshëm nga ana e të gjithëve, që të imunizojmë vetveten dhe të ruajmë të tjerët kundër këtij virusi të tmerrshëm. Pra, jemi në një fillim të ri, që na shtyn ta konkretizojmë, në përgjegjësi e në solidaritet me më të ligështit, dashurinë që Zoti ka ardhur të na e zbulojë e të na e dhurojë.

22 dhjetor 2020, 13:26