Kërko

Vatican News
Maria Madre di Dio, Puccio Capanna Maria Madre di Dio, Puccio Capanna  (Musei Vaticani)

Fjala e Zotit e festës së Shën Marisë, Nënës së Zotit

Po fillojmë një Vit të Ri pranë Marisë, Nënës së Zotit. Është festa liturgjike më e lashtë e nderimit të saj. Ajo, që na ka dhuruar Jezusin, ndërmjetësoftë për ne pranë Hyjit për të gjitha të mirat shpirtërore e trupore, ndërmjetësoftë për dhuratat e Krishtlindjes që janë dashuria, vellazërimi e paqja. E po kujtojmë se më 1 janar 2021 bie Dita e 54-të Botërore e Paqes.

R.SH. - Vatikan

Më 1 janar fillojmë një Vit të Ri pranë Marisë, Nënës së Zotit. Është festa liturgjike më e lashtë e nderimit të saj. Ajo, që na ka dhuruar Jezusin, ndërmjetësoftë për ne pranë Hyjit për  dhuratën e bekimit hyjnor e për të gjitha të mirat shpirtërore e trupore, ndërmjetësoftë për dhuratat e Krishtlindjes që janë dashuria e paqja. E po kujtojmë se më 1 janar 2021 bie Dita e 54-të Botërore e Paqes.

Fjala e Zotit e festës së Shën Marisë, Nënës së Zotit

Kështu, në ditën e parë të vitit të ri, shkëmbejmë me përzemërsi njëri me tjetrin urimet e mbarësisë e të prosperitetit: ato na vijnë para se gjithash nga Bekimi i Aronit që i kërkon Hyjit të na mbrojë e të bëjë të shkëlqejë fytyra e vet në ne.

E Zoti e dëgjoi këtë lutje përmes Birit të vet të Mishëruar. Maria, iu bindë vullnetit të Atit Qiellor, e qiti në dritë personin e Fjalës dhe për këtë mund ta lusim me plotë të drejtë me titullin e lartë e të madhërishëm (fisnik) të “Nënës së Zotit”.

Amësia e saj e ka karakterizuar dhe shënjuar thellësisht ekzistencën e Marisë Virgjër, e cila jetoi krejtësisht në lidhje me të Birin, Jezu Krishtin, në gëzime e po kështu edhe në dhimbje; Maria ka mbajtur në kujtesë çdo fjalë e gjest të Jezusit, duke medituar e ruajtur gjithçka në zemër të saj, e pastaj e ka ndjekur Atë deri në gjestin e flijimit të Tij suprem në mundime e në vdekje mbi kryq. Në Marinë ne shohim pra imazhin e Kishës e të sjelljes që duhet të ketë çdo dishepull i Jezu Krishtit, për të bashkë-ndarë të njëjtin lavd në ringjallje, shenjë, shembull e parashijim i së cilës është vetë Maria.

Maria e ka jetuar gjithmonë amësinë e vet në fe, duke qenë përherë e vëmendshme ndaj shenjave të Zotit. Edhe emri i Jezusit (Hyji shpëton) është shenjë e misionit të tij shpëtimprurës për gjithë njerëzit.

                                            Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi parë (Nr 6, 22-27)

Lexim prej Librit të Numrave

Zoti foli me Moisiun e tha: “Thuaju Aronit dhe bijve të tij: Kështu bekoni bijtë e Izraelit e thuani: Zoti të bekoftë e të ruajt! Të ndriçoftë Zoti me fytyrën e vet, e pastë mëshirë për ty! E sjelltë Zoti fytyrën e vet drejt teje e ta dhashtë paqen! Kështu ata le ta vënë emrin tim mbi bijtë e Izraelit e unë do t’i bekoj”.  Fjala e Zotit!

 

Psalmi 67

Ref: Zoti na bekon me dritën e fytyrës së vet

————————————————————

Hyji pastë mëshirë për ne e na bekoftë,

bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne,

që në tokë të njihet udha e tij,

në të gjitha kombet shpëtimi i tij.

————————————————————-

Le të galdojnë e le të brohorisin popujt,

sepse popujt i gjykon me drejtësi,

sepse kombet mbi tokë ti i sundon.

————————————————————–

Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj,

mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!

Na bekoftë Hyji!

Frikë e paçin mbarë skajet e botës!

————————————————————-

 

Leximi dytë (Gal 4,4-7)

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve

Vëllezër, kur erdhi koha e caktuar, Hyji dërgoi Birin e vet, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit, që t’i shpërblente të nënshtruarit e ligjit, që na ta fitonim bijësinë në shpirt. E, prejse vërtet jeni bij, Hyji e dërgoi në zemrat tona Shpirtin e Birit të vet, i cili gërthet: Abba – o Atë! Këndej, më nuk je skllav, por bir; e, mbasi je bir, atëherë, për vullnet të Hyjit, je edhe trashëgimtar. Fjala e Zotit!

Ungjilli Lk 2, 16-21

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Atëherë barinjtë shkuan me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin, e foshnjën të vënë në grazhd. Kur e panë, u treguan ç’u tha engjëlli për foshnjën. Të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga ato që thanë barinjtë. Maria i mbante mend me kujdes të gjitha këto ngjarje dhe i shoshiste në zemrën e vet. Barinjtë mandej u kthyen duke lëvduar e madhëruar Hyjin për gjithçka kishin dëgjuar e parë, pikërisht ashtu siç u tha engjëlli. Kur u mbushën tetë ditë për të rrethprerë foshnjën, ia ngjitën emrin Jezus, sikurse e quajti engjëlli para se të zihej në kraharor të s’ëmës. Fjala e Zotit!

Homelia nga famullitari në Rranxa-Bushat, dioqeza e Shkodrës, dom Dritan Ndoci: ZOJA E BEKUAR – NËNA E HYJIT - 1 Janar

Homelia nga famullitari në Rranxa-Bushat, dioqeza e Shkodrës, dom Dritan Ndoci: ZOJA E BEKUAR – NËNA E HYJIT

E SJELLTË ZOTI FYTYRËN E VET DREJT TEJE!

Në këtë ditë të parë të vitit, Kisha kremton të kremten e Zojës së Bekuar, Nënës së Hyjit. Shumëkush mendon se kjo ditë është e festë e urdhëruar ngaqë është 1 janari, dita e parë e Vitit të Ri. Në fakt nuk është e kremte me rastin e fillimit të Vitit të Ri, por ngaqë në këtë ditë bie kjo e kremte e Zojës. Përputhja e këtyre dy datave është shumë e bukur dhe në Kishë nuk është e rastësishme, sepse na bën që ta fillojmë Vitin e Ri duke e drejtuar shikimin tonë kah Nëna e Jezusit, Hyjit tonë dhe njëkohësisht vihemi edhe nën mbrojtjen e saj amnore.

E kremtja e sotme i ka rrënjët në një periudhë mjaft të hershme të Kishës: në fillimet e shekullit të pestë. Është interesante ta hedhim një shikim të shkurtër mbi mënyrën se si lindi kjo e kremte. Në atë periudhë, shumë njerëz të përshpirtshëm, shumë teologë dhe barinj të Kishës filluan t’i jepnin Marisë një titull të rrallë: Hyjlindëse. Me­gjithatë, një titull i tillë, nga ana tjetër, shkaktoi reagimin e jo pak teologëve dhe ipeshkvijve. Këta kërkonin që Maria të quhej Nëna e Krishtit e jo Nëna e Hyjit. Kjo, sipas tyre, do të shmangte rrezikun që të mendohej se Hyji, Perëndia, i Amshueshmi, paska pasur fillim nga një grua. E debati teologjik nuk ishte fort i lehtë. Ai u fry aq fort, saqë u desh një Koncil për ta zgjidhur atë. Për më tepër u arrit deri edhe në shkishërimin e kundërshtuesve të cilët nuk pranonin ta quanin Marinë Hyjlindëse. Është fjala për Koncilin e Efesit të mbajtur në vitin 431, pikërisht në Efes, pra, të Azisë së Vogël, gjatë të cilit u dënua doktrina nestoriane dhe të gjithë mbështetësit e saj. Pas atij Koncil, Papa deshi që në Romë të ndërtohej edhe një Kishë në nder të Masisë, Nënës së Hyjit. U ndërtua Bazilika e Santa Maria Maggiore, e cila edhe sot e kësaj dite e ruan madhështinë e bukurinë e saj, duke na dokumentuar edhe sot se sa shumë rëndësi kishte për atë kohë një e vërtetë e tillë, për mbrojtjen e të cilit u angazhua deri edhe një Koncil.

Jam i sigurtë se të gjithëve ju ka lindur tashmë pyetja: «Po a nuk është e njëjta gjë si “Nëna e Hyjit”, ashtu edhe “Nëna e Krishtit”?» Jo, nuk është e njëjta gjë! Fjala Krisht do të thotë Mesii lyer, e kjo nënkupton dikë që është i mbushur me Shpirtin e Hyjit. Jezusi, vërtetë që është Mesia i premtuar, por pikësëpari është Person Hyjnor, është Hyj. Të thuash se Jezusi është vetëm Mesi, nuk e tregon identitetin më të thellë të Tij. «I lyer» me Shpirtin e Hyjit për Izraelin mund të ishte edhe një profet, edhe një Mbret, por nuk mjafton që edhe për Jezusin të thuhet se është vetëm Profet apo vetëm Mbret. Është e vërtetë se Jezusi edhe ka profetizuar dhe ka mbretëruar e vazhdon të mbretërojë, por si Hyj. Edhe islamizmi e pranon Jezusin si profet, por jo si Hyj. E pika kyçe është pikërisht kjo: Jezusi është Biri i Hyjit, Hyj Ai vetë e jo thjesht një prej profetëve, qoftë edhe më i madhi ndër ta.

Prandaj, pra, ai debat arriti në këtë pikë kyçe: Maria nuk ka lindur dikë që është i ngjashëm me ndonjë profet apo mbret, por ka lindur dikë që është vetë Hyji. Jo në kuptimin se Hyji filloi të ishte qysh prej atij çasti, por në kuptimin që nëpërmjet saj Ai, Hyji, mori një trup njerëzor.

Secilit njeri, kur e ngjiz në kraharorin e së ëmës, Hyji i jep jetën njerëzore. Në rastin e Jezusit, Hyji nuk i ka dhënë thjesht jetën, por vetë Ai, Personi i dytë i të Shenjtërueshmes Trini, është bërë jeta e atij trupi njerëzor. Maria ka lindur këtë trup të gjallëruar nga vetë Hyji. Prandaj, pra, është më e saktë të thuhet se Maria lindi Hyjin.

Kjo e kremte, pra, na bën të kuptojmë edhe më fort planin e madh shëlbimprurës të Hyjit. Njëkohësisht na bën të shohim edhe një herë vendin e veçantë që Ai i ka caktuar Marisë në këtë plan. Ai, në dashurinë e Tij të pamasë, ka dashur që ta përfshijë Marinë në një mënyrë unike.

Thotë Shën Pali në letrën e drejtuar Galatasve: «Kur erdhi koha e caktuar, Hyji e dërgoi Birin e vet, të lindur prej gruaje, të nënshtruar Ligjit, që t’i shpërblente të nënshtruarit e Ligjit, që ne ta fitonim bijësinë në shpirt. E, prejse vërtet jeni bij, Hyji e dërgoi në zemrat tona Shpirtin e Birit të vet, i cili gërthet: Abba – o Atë!». Shën Pali, në këtë tekst, përmend Tre Personat Hyjnorë dhe na bën të shohim planin që këta Persona kanë për shëlbimin tonë. Por, në këtë plan të vetin, Ata kanë përfshirë edhe një “grua”, pikërisht Marinë. Hyji ka dashur që kësaj gruaje t’i rezervonte një vend krejtësisht të veçantë në planin e Tij shëlbimprurës. Ajo, edhe pse është veçse një krijesë njerëzore, është futur në një intimitet të jashtëzakonshëm me Personat e së Shenjtërueshmes Trinì.

Por shenjtëria e Marisë, siç e thonë edhe Etërit e Kishës, nuk qëndronte edhe aq në faktin se ajo lindi Hyjin, por në faktin se ajo u bë ndje­kësja më e përsosur e Atij që u lind prej saj. Kjo na bën të me­ndojmë edhe më fort se sa madhështore është të jesh ndjekës i Jezusit.

Ungjilli i sotëm na tregon se si barinjtë erdhën tek vendi ku kishte lindur Jezusi dhe filluan të tregojnë se si u ishte dukur një engjëll, se si ai u kishte folur për lindjen e këtij fëmije dhe se, tani, kishin gjetur gjithçka ashtu siç u kishte thënë ai. E menjëherë ungjilltari e përqendron vëmendjen e tij tek Maria: «Maria i mbante mend me kujdes të gjitha këto ngjarje dhe i shoshiste në zemrën e vet.». Ja se sa e veçantë është Maria. Ajo e di se fëmija që ka lindur prej saj është Biri i Hyjit, por di t’i ikë tundimit që, duke qenë se Hyji ka bërë diçka të madhe në jetën e saj, të mendojë se tashmë di gjithçka për Hyjin. Ajo e ka lindur Jezusin, por është e para që vihet në adhurim të Tij, në ndjekje të Tij dhe fillon qysh aty të mësojë prej Tij. Çdo gjë që mund të ketë të bëjë me Jezusin, Maria nuk e lë t’i ikë, por e kap dhe e ruan në zemrën e vet.

Duhet t’i ruhemi tundimit që na bën të mendojmë se feja jonë në Hyjin mund të ketë arritur ndonjë formë aq të përsosur saqë të mos ketë më nevojë për përkujdesje. Çdo ditë duhet të dimë ta “kapim” veprimin e Hyjit përreth nesh. Zemra jonë nuk është si puna e një serboratori makine të cilin e mbush e pastaj nuk ke më nevojë të mendosh për të për disa kohë. Jo, zemra jonë ka nevojë që çdo ditë t’i shoshisë gjërat e Zotit dhe që çdo ditë të jetë e gatshme t’i dallojë ato. Pikërisht në këtë “ushtrim” të përditshëm, në këtë «shoshitje» të veprave të Zotit në jetën tonë, Maria na mëson më së miri.

Është e vërtetë se edhe Maria është gjithnjë pjesë e Kishës, por (siç e quan ndonjë teolog) ajo është edhe pjesa më e bukur e saj, gjymtyra më e lavdishme. Në këtë kuptim (duke qenë modeli më i bukur i nxënësit të Jezusit) Maria bëhet edhe Nëna e çdo të krishteri. Me shembullin e saj ajo e shndrit çdo të krishterë që të besojë në Jezusin dhe, me lutjet e saj të fuqishme, i nxjerr prej Hyjit hire dhe mbështetje.

Ta falënderojmë Hyjin, pra, në këtë të kremte të rëndësishme për jetën e Kishës! Në fillimin e këtij viti të lutemi që edhe mbi ne Hyji ta japë bekimin e vet, përmes ndërmjetësimit të fuqishëm të Marisë! Leximi i parë na sjell formulën me të cilën Hyji dëshironte që izraelitët të bekoheshin gjithnjë: «Të ndriçoftë Zoti me fytyrën e vet e pastë mëshirë për ty! E sjelltë Zoti fytyrën e vet drejt teje e ta dhashtë paqen!». Një formulë shumë e thjeshtë dhe shumë e ëmbël. Na e bën më të afërt dhe më personale dashurinë e Hyjit ndaj nesh.

«E sjelltë Zoti fytyrën e vet drejt teje»: një këngë shumë e bukur në anglisht me titull «Mary, did you knoë?», që i kushtohet Marisë, në mes të rreshtave të saj vërtet të bukur, thotë edhe këto fjalë që mua personalisht gjithnjë ma kanë rrëmbyer vëmendjen: «Mari, a e dije se, kur po puthje fëmijën tënd të vockël, po puthje fytyrën e Hyjit?». Pa­tjetër që Maria e dinte se, në Jezusin e lindur prej saj, Hyji e kishte sjellë drejt saj fytyrën e Tij. E kremtja e sotme na e sqaron me shumë këmbëngulje këtë. Edhe ne, feja e gjallë na shtyn që ta kërkojmë fytyrën e Hyjit dhe e dimë se atë e gjejmë në fytyrën e Jezusit, Birit të Hyjit të bërë Njeri. Pikërisht, siç ndodhi me Marinë, Nënën e Hyjit.

Dom Dritan Ndoci

31 dhjetor 2020, 13:21