Kërko

Festa della sacra Famiglia, Gesù, Giuseppe e Maria Festa della sacra Famiglia, Gesù, Giuseppe e Maria 

Fjala e Zotit e festës së Familjes së Shenjtë

Shembulli i Familjes së Shenjtë na përkujton se të gjithë jemi të thirrur të bëjmë pjesë në familjen universale të Hyjit Atë e të gjithë njerëzit janë anëtarë të kësaj vatre që është gurrë e pashtershme dashurie e vëllazërimi.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të liturgjisë së dielës, kësaj herët meditojmë leximet biblike të festës së Familjes së Shenjtë të Jezusit, Marisë e Jozefit.

Fjala e Zotit e Familjes së Shenjtë

Jemi në kohën e Krishtlindjes e vazhdojmë të kundrojmë misterin e mishërimit të Zotit tonë Jezu Krishtit, vazhdojmë ta ardhurojmë Zotin që ka dashur të lind në Familjen e Nazaretit, për të na i mësuar edhe ne po ato virtyte që lulëzuan në familjen e Jezusit. Kështu, kjo festë na propozon si reflektim misterin e jetës së Jezu Krishtit. Fjala e Mishëruar e Hyjit u inserua dhe hyri thellësisht e rrënjësisht në realitetin njerëzor duke marrë pjesë në të gjitha përmasat. Prandaj kjo festë na përkujton edhe një herë se Familja është e mira më e çmueshme, se Familja është vlera më e shtrejtë që njerëzimi ka e prandaj Jezusi, Maria e Jozefi janë shembuj për ne se si duhet ta jetojmë në përkim e në dashuri unitetin familjar.

Kremtimi i Familjes së Shenjtë në të Dielën e Parë pas Krishtlindjes ka një domethënie shumë të qartë: Fjala e Zotit duke u mishëruar, për ta shenjtëruar natyrën njerëzore në të gjitha aspektet e saj, e mes këtyre aspekteve themelor është ai i familjes. Kremtojmë, pra, festën e Familjes së Shenjtë, model virtytesh e të dashurisë së vërtetë për të gjitha familjet. 

Në kundrimin e Familjes së Jezusit, leximet biblike të kësaj së diele dhe feste e orientojnë vëmendjen tonë ndaj Misterit të të Birit të Hyjit, Jezu Krishtit, duke treguar e se si ky realitet është i rëndësishëm për t'i kuptuar marrëdhëniet tona personale me Zotin. Shembulli i Familjes së Shenjtë të Nazaretit na kujton se të gjithë jemi të thirrur të bëjmë pjesë e familjes universale të Hyjit Atë e të gjithë njerëzit janë anëtarë të kësaj vatre familjare, që është gurrë e pashtershme dashurie e vëllazërimi.

Tema e familjes është jashtëzakonisht aktuale edhe sot, e Fjala e Zotit e kësaj feste na tërheq vëmendjen të gjithëve, prindër e fëmijë ndaj vlerave njerëzore nga të cilat duhet të burojnë sjelljet dhe verpimet e mira e të drejta, në mënyrë që çdo familje të jetë e denjë të quhet Familje; vend i formimit të personit, vend i kultivimit dhe i rritjes e rrezatimit të vlerave njerëzore, shpirtërore, shoqërore, kulturore, kombëtare e botërore.

Familja, pra, është në qendër të mendimit të Zotit e këndej në qendër të botës së krijuar nga Zoti. Këtë na kujton shumë mirë tregimi biblik mbi krijimin. Zoti don që familja të karakterizohet, të shquhet nga një dashuri e vetme dhe e përbashkët: kjo është një nevojë dhe domosdoshmëri për respektimin e dinjitetit të qiftit të martuar, burrit e gruas dhe për respektimin e dinjitetit të fëmijëve. Familja, sipas Biblës, është e duhet të jetë pasqyrë besnike e fytyrës së Zotit Dashuri.

                                                         Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Zan 15, 1-6; 21, 1-3
Çifti i pleqve Abrahami dhe Sara merr nga Hyji shpërblimin e besimit të vet, Izakun, Birin e premtuar. Në qendër të historisë së shpëtimit qëndron realiteti i besëlidhjes që fillon me Abrahamin. Lindja e Izakut është një ngjarje biologjike që realizon planet dhe kohërat e Hyjit. Nga pasardhësit e Abrahamit do të lindë Mesia Krishti Jezus, Shpëtimtar i njerëzimit.

Lexim prej Librit të Zanafillës
Pas këtyre ngjarjeve, fjala e Zotit i qe drejtuar Abramit në një vegim. I tha: “Abram, mos ki frikë! Unë jam mbrojtësi yt! Shpërblimi yt do të jetë shumë i madh”! Abrami u përgjigj: “O Zot, Hyj, ç’më duhen dhuratat e tua, pasi shkoj i shuar pa pasardhës dhe trashëgimtari i shtëpisë sime do të jetë Eliezeri prej Damaskut”. Dhe Abrami vazhdoi: “Ja, po sheh se nuk më dhe pasardhës dhe ja, një rob i shtëpisë do të më trashëgojë”. Atëherë Zoti i tha këto fjalë: “Ky nuk do të jetë, trashëgimtari yt do të jetë pinjolli yt që do të rrjedhë prej teje”. Zoti e bëri të dalë jashtë dhe i tha: “Shikoje qiellin dhe numëroji yjet, po munde”! Dhe shtoi: “Të tillë do të jenë trashëgimtarët e tu”. Abrami i besoi Zotit dhe iu çmua për drejtësi. Zotit iu kujtua çka i kishte thënë Sarës dhe bëri ashtu siç i kishte premtuar. Sara ngjizi dhe Abrahamit i lindi djalë në pleqërinë e tij, po në atë kohë, siç e kishte paracaktuar Hyji. Abrahami djalit që lindi Sara ia ngjiti emrin Izak. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 128
Jetë dhe bekim mbi shtëpinë që e druan Zotin

Lum njeriu që e druan Zotin,
që ecën udhëve të tija!
Do të ushqehesh prej punës së duarve të tua, i lumi ti, mirë do të kalosh.

Gruaja jote: vresht plot fruta
në dhomat e shtëpisë sate;
djemtë e tu: pinjoj ulliri
përreth tryezës sate!

Ja, se si bekohet njeriu
që e druan Zotin!
Të bekoftë Zoti prej Sionit,
e pafsh lumturinë e Jerusalemit
në të gjitha ditët e jetës sate

Leximi dytë Heb 11, 8. 11-12. 17-19
Autori i shenjtë, duke i bërë lëvdata besimit të etërve, kujton Abrahamin, atin e besimtarëve, që i besohet Hyjit kur Ai i kërkon jetën e të birit. Në besim Abrahami ofron Birin duke shpresuar kundër çdo shprese. Edhe Maria e Jozefi do të privohen prej të vetmit bir, por Hyji i të gjallëve nuk i braktis ata që i besohen Atij.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Hebrenjve

Me anë të fesë Abrahami, kur qe grishur, dëgjoi të çohet dhe të niset drejt vendit që do ta fitonte në trashëgim; e la vendin edhe pse nuk dinte se ku do të shkonte. Me anë të fesë - edhe vetë Sara beronjë - fitoi mundësinë të bëhej nënë - megjithëse i kishte kaluar mosha - sepse e mbante besnik Atë që i dha premtimin. Këndej, prej një njeriu - dhe ai gati i vdekur, lindi një shumicë e madhe porsi yjet në qiell dhe rëra e panumërueshme në bregun e detit. Me anë të fesë, Abrahami, i vënë në provë, e flijoi Izakun. Flijonte djalin e vetëm ai që kishte marrë premtimin, të cilit i qe thënë: “Pasardhësit e tu do të rrjedhin prej Izakut”, plotësisht i bindur se Hyji mund të ngjallë edhe të vdekurit. Prandaj edhe e rifitoi - dhe qe një shëmbëlltyrë. Fjala e Zotit. 

Aleluja. Aleluja.
Paqja e Krishtit mbretëroftë në zemrat tuaja. Fjala e Krishtit banoftë në ju me tërë begatinë e vet!
Aleluja.

Ungjilli Lk 2, 22-40
Populli hebre edhe pse priste Mesinë nuk ka e ka kuptuar kur Ai ka ardhur. Plaku Simeon është simboli i pritjes së gjatë mesianike, dhe shpall misterin e këtij Fëmije që do të takojë kundërshtime nga ana e atyre që duhet ta pranonin. Mundimet do të jenë kulmi tragjik i këtij refuzimi. Jezusi nuk ka ardhur për të ndarë njerëzit, por prania e tij zbulon ndarjen dhe errësirat të pranishme në zemrat e secilit.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Kur, sipas Ligjit të Moisiut, u mbushën ditët e pastrimit të tyre, Jozefi dhe Maria e çuan Jezusin në Jerusalem, për t’ia kushtuar Zotit, - sikurse shkruan në Ligjin e Zotit: ‘Çdo i parëlindur mashkull le t’i kushtohet Zotit’ – dhe për të dhënë flinë sikurse thuhet në Ligjin e Zotit ‘një parë turtuj ose dy zogj pëllumbash.’ Në Jerusalem aso here jetonte një njeri, që quhej Simon. Ishte njeri i drejtë dhe i përshpirtshëm. Priste ngushëllimin e Izraelit e në të ishte Shpirti Shenjt. Shpirti Shenjt ia kishte zbuluar se s’do të vdiste pa e parë Mesinë e Zotit. I nxitur prej Shpirtit Shenjt erdhi në Tempull. Kur prindërit e sollën Jezusin foshnjë për të kryer rregulloren e ligjit mbi të, Simoni e mori para duarsh, falënderoi Hyjin e tha: “Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë shërbëtori yt në paqe, sikurse the ti vetë, sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve: Dritën që bën të njohin Ty paganët, e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.” Prindërit e tij çuditeshin për sa thuhej për të. Atëherë Simoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij: “Shih! Hyji e caktoi këtë fëmijë të shkaktojë rrënim e ngritje për shumëkënd në Izrael. Do të jetë edhe shenjë të cilës njerëzit do t’i kundërshtojnë. Edhe ty vetë një shpatë do ta shporojë shpirtin, që të zbulohen shestimet e zemrës së shumëkujt.” Ishte aso here edhe Ana profeteshë, bija e Fanuelit, prej fisit të Aserit, shumë e vjetër. Pas vajzërisë së vet, jetoi në martesë gjithsej shtatë vjet, kurse si grua e vejë, arriti deri në tetëdhjetë e katër vjet. Ajo nuk e lëshonte Tempullin. I shërbente Hyjit ditë e natë me agjërim e me uratë. Shi në atë moment arriti edhe ajo dhe filloi të lëvdojë Hyjin dhe t’u tregojë për këtë foshnjë të gjithë atyre që prisnin shpërblimin e Jerusalemit. Pasi kryen gjithçka duhej bërë sipas Ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e vet, Nazaret. Fëmija rritej, forcohej e merrte fuqi përplot me urti; dhe hiri i Hyjit ishte në të.
Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Homelia nga famullitari në Rranxa-Bushat, dioqeza e Shkodrës, dom Dritan NdociME ANË TË FESË...

                                                    FAMILJA E SHENJTË E NAZARETIT

                                     Zan 15, 1-6; 21, 1-3; Heb 11, 8. 11-12. 17-19; Lk 2, 22-40

E kremtja e sotme na bën ta kundrojmë më nga afër Familjen e Shenjtë të Nazaretit të përbërë nga Jezusi, Maria dhe Jozefi. Fakti që Kisha i ka kushtuar një të kremte të posaçme kësaj Familjeje, tregon përzemërsinë e madhe që të krishterët gjatë shekujve kanë pasur ndaj Saj. Mjafton të mendohet për dhjetëra Kongregata rregulltare, mashkullore e femërore, që mbajnë pikërisht emrin e Familjes së Shenjtë.

Është interesante të vihet re se këto Kongregata datojnë kryesisht në fillimet e shekullit XIX e këtej. Duket sikur Shpirti Shenjt ka dashur të zgjojë në Kishën e Tij një përshpirtëri më të madhe ndaj Familjes së Shenjtë, pikërisht atëherë kur familjeve njerëzore filluan t’u shfaqeshin në horizont kërcënimet më serioze që u ishin shfaqur ndonjëherë, duke i zhytur në një krizë të thellë identiteti. Shpirti Shenjt e fton njerëzimin të kujtojë misterin qendror që e përbën familjen e, në këtë “rindërtim” identiteti, duket sikur rruga më e lehtë është pikërisht Familja e Shenjtë.

Në fakt, kjo e fundit është shumë ndryshe nga çdo familje tjetër njerëzore. Si ajo as nuk ka pasur e as nuk do të ketë. Po si, atëherë, mund t’i ofrohet një model i tillë familjeve të tjera?

Për ta kuptuar këtë, na duhet të nisemi nga mënyra se si Letra e drejtuar Hebrenjve e sheh atësinë e Abrahamit dhe amësinë e Sarës: «Me anë të fesë Abrahami, kur qe grishur, dëgjoi të çojë e të niset drejt vendit që do ta fitonte në trashëgim... Me anë të fesë, edhe vetë Sara beronjë, fitoi mundësinë të bëhej nënë, megjithëse mosha i kishte kaluar... Me anë të fesë Abrahami, i vënë në provë, e flijoi Izakun... Prandaj edhe e rifitoi dhe qe një shëmbëlltyrë.»

«Me anë të fesë...»: ja veçoria e këtyre dy njerëz. Abrahami besonte në premtimin e Hyjit, edhe pse rrethanat ishin shumë të vështira që ky premtim të realizohej.

Leximi i parë, na tregon se si Hyji ia premtoi djalin e shumë dëshiruar dhe Abrahami – edhe pse në moshë shumë të shtyrë – i besoi fjalës së Hyjit: «Zoti e bëri të dalë jashtë dhe i tha: “Shikoje qiellin dhe numëroji yjet po munde!... Të tillë do të jenë trashëgimtarët e tu”. Abrahami i besoi Zotit dhe iu çmua për drejtësi». Pastaj leximi vazhdon duke na treguar për lindjen e të birit dhe se si Hyji e mbajti fjalën e dhënë.

Ishte «feja» qendra e këtij çifti të moshuar. Ishte «feja» ajo që i shtynte të besonin se Zoti duhej dëgjuar e respektuar. Ishte «me anë të fesë» që ata e shikonin çdo detaj të jetës së tyre.

E pikërisht «me anë të fesë» mund të kuptohet edhe Familja e Shenjtë e Nazaretit, sepse «me anë të fesë» secili prej anëtarëve të saj e shikonte veten dhe tjetrin.

Jezusi, Biri i Hyjit, nga dashuria për Atin e vet, pranoi të bëhej njeri e të lindte nga një grua. Jo vetëm kaq, por pikërisht për shkak të po kësaj dashurie Ai pranoi t’u nënshtrohej ligjeve të kufizuara të natyrës njerëzore e t’u nënshtrohej edhe ligjeve njerëzore.

Maria, Zoja e Bekuar, «me anë të fesë» pranoi të bëhej «Shërbëtorja e Hyjit» në planin e Tij të mistershëm të shëlbimit. Ajo pranoi që të lindte këtë Fëmijë, i cili mrekullisht ishte ngjizur në krahërorin e saj, duke u bërë kështu Nënë falë fesë, në kuptimin më të plotë të fjalës.

Jozefi, pikërisht «me anë të fesë» e pranoi Jezusin Fëmijë dhe Marinë. Ishte feja e qetë dhe e fortë e këtij njeriu të dashur ajo që bëhej shtylla mbajtëse në shpirtin e tij dhe që, pak nga pak, e ndihmoi të kuptonte se i ishte besuar të rriste si bir të vetin pikërisht Birin e Hyjit. Po kjo fe e ndihmoi të kuptonte gjithnjë e më shumë edhe se, bashkëshortja e tij, ishte «më e bekuara ndër të gjitha gratë», falë pastërtisë së pashoqe që kishte shpirti i saj i Papërlyer.

Mund ta imagjinojmë përditshmërinë e kësaj familjeje kaq të pastër, kaq të thjeshtë e njëkohësisht kaq të pazakontë. Të gjithë kishin një pikë të përbashkët: besimin në Zot.

Pikërisht në këtë pikë ata bëhen edhe modeli më i lehtë për çdo familje tjetër njerëzore, sepse u mësojnë atyre ta shohin vetveten «me anë të fesë» e të kenë për qendër të tyre Zotin.

Një familje pa Zotin, është e kërcënuar, është e humbur. Pikërisht këtë, Shpirti Shenjt dëshiron t’i mësojë botës duke frymëzuar në Kishë përshpirtërinë ndaj Familjes së Shenjtë.

Sot duket sikur shumë rryma morale e filozofike duan ta shmangin Zotin nga familja, e prandaj në botë kanë ngulur rrënjë frikshëm ligje që e shkatërrojnë gjithnjë e më shumë familjen: martesat homoseksuale, divorci, bashkëjetesa, aborti, fekondimi artificial, etj. Në vend që të propagandohet dashuria gjithnjë e më e fortë në çift dhe kërkimi gjithnjë e më i madh i së vërtetës e i bashkimit, duket sikur propagandat duan ta vënë theksin mbi egoizmin, mbi mungesën e detyrimeve në jetë e mbi shthurjen morale. Por kjo po i bën disa popuj të bëhen deri edhe qesharakë në mënyrën se si e konceptojnë familjen dhe me ligjet që aprovojnë.

Është e çuditshme të shohësh se si shumica e këtyre popujve, me disa ligje qesharake në lidhje me familjen, vijnë nga tradita pikërisht të krishtera. Kanë dashur të largohen nga rrënja e kulturës së krishterë dhe kanë përfunduar të jenë pa asnjë rrënjë morale e njerëzore. Ai proverbi në gegnisht «Kush nuk ndigjon babën e nanën, del në rrugë e thyen kamben» mund të vlente edhe në këtë rast. Jo rastësisht vetëvrasjet janë të shumta pikërisht në këta popuj, sepse aty njeriu po zhvishet gjithnjë e më shumë nga vlerat e, pa vlera, njeriu e ka vështirë “ta shtyjë” jetën.

Por sa të bekuara janë ato familje që nuk heqin dorë nga «feja» e nga organizimi i detajeve të jetës pikërisht përreth fesë! Falë fesë, ata bëhen bij e bija të vërteta të Abrahamit dhe Sarës. Jo vetëm kaq, por bëhen edhe shëmbëllesë e Familjes së Shenjtë të Nazaretit.

Është interesante të shohim në Ungjillin e sotëm se si na paraqiten edhe disa figura të tjera të cilat në qendrën e jetës së tyre kanë vënë pikërisht fenë. Folëm për Jezusin, Marinë dhe Jozefin, por le të shohim pak edhe Simonin plak dhe një grua të vejë me emrin Ana.

Simoni kishte marrë prej Shpirtit Shenjt premtimin «se s’do të vdiste pa e parë Mesinë e Zotit». Kur e merr në duart e veta Mesinë, ai kaq shumë ndihet i plotësuar, saqë është i gatshëm ta përfundojë ecjen e tij tokësore: «Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë shërbëtori yt në paqe...» Jeta e njeriut merr plotësinë e saj, në fakt, vetëm kur pranon Jezusin brenda saj. Fjalët e Simonit plak Kisha i përsërit çdo mbrëmje, si për të thënë se çdo ditë ajo është e gatshme ta mbyllë ecjen e saj tokësore, ngaqë ndihet e plotë me Jezusin brenda saj.

Për Anën profeteshë ungjilltari thotë diçka jo pa domethënie: «Ishte shumë e vjetër. Pas vajzërisë së vet jetoi në martesë gjithsej shtatë vjet, kurse, si grua e vejë, arriti deri në tetëdhjetë e katër vjet. Ajo nuk e lëshonte Tempullin. I shërbente Hyjit ditë e natë me agjërim e me uratë.» Ajo, vetminë e saj e kishte mbushur me Hyjin, e kishte ndriçuar me dritën e lutjes dhe e kishte mbajtur me forcën e pendesave. Ishte krejtësisht e përqendruar në Hyjin, prandaj arriti ta dallonte – falë ndonjë Hiri të posaçëm – veçorinë e kësaj Foshnje.

Këta njerëz, që ditën ta brumosnin jetën e tyre e sidomos vetminë e tyre, me Frymën e Shpirtit të Zotit dhe ditën ta gjenin në Jezusin kuptimin e ekzistencës së tyre, bëhen model besimi për çdo njeri. Kështu, nëse secili anëtar i çdo familjeje njerëzore, e pranon Zotin në jetën e vet, duke e mbushur jetën me lutje, me vlera e me dashuri, «me anë të fesë» do të dijë ta përjetojë në vetvete misterin që e mbante të bashkuar Familjen e Shenjtë të Nazaretit.

Por, në fund të fundit, modeli më i përsosur i familjes njerëzore, është vetë Trinia e Shenjtë. Prandaj Papa Shën Gjon Pali II thoshte: «Familja është pasqyra në të cilën Hyji sheh vetveten e dallon aty dy mrekullitë më të bukura që Ai ka bërë: të dhurohet jeta e të dhurohet dashuria.» Duke ndjekur shembullin e Familjes së Shenjtë të Nazaretit, familjet njerëzore do ta kenë më të lehtë t’i afrohen dashurisë së Trinisë së Shenjtë.

Dom Dritan Ndoci

26 dhjetor 2020, 09:59