Kërko

Vatican News
 Immacolata Concezione della Beata Vergine Maria Immacolata Concezione della Beata Vergine Maria 

Fjala e Zotit e solemnitetit të festës së Zojës së Papërlyer

Në fillim të Kohës së Ardhjes, gjatë përgatitjes sonë për Krishtlindje, Kisha na fton të kundrojmë misterin e Marisë së zënë pa mëkat të rrjedhshëm. Maria na mëson të besojmë, të shpresojmë e të duam së bashku me Zotin, na e trego rrugën që çon drejt paqes, rrugën drejt mbretërisë së Jezusit.

R.SH. - Vatikan

Në Kohën e Ardhjes, gjatë përgatitjes sonë për Krishtlindje, Kisha katolike romake na fton të kundrojmë misterin e Marisë së zënë pa mëkat të rrjedhshëm. Maria na mëson të besojmë, të shpresojmë e të duam së bashku me Zotin, na e trego rrugën që çon drejt paqes, rrugën drejt mbretërisë së Jezusit.  Festa e bukur e Zojës së Papërlyer, është kremtim që na hap portat e madhështisë së Zotit, na kujton se Hiri i Tënzot është më i madh se mëkati dhe mëshira e Hyjit, më e fuqishme se e keqja: këtë, pra, na kujton Fjala e Zotit e kësaj feste të  të Zënit pa mëkat të Zojës së Bekuar.

Nënë krejt e veçantë, Zoja e Zënë pa Mëkat, u zgjodh nga Hyji për një mision të pashembullt e misterioz, për të lindur në jetën tokësore, Fjalën e amshuar të Atit, që erdhi në botë për shpëtimin e të gjithë njerëzve. E Maria, e papërlyer në zënien e saj virgjërore, e përshkoi shtegtimin tokësor e mbështetur mbi një fe guximtare, mbi një shpresë të palëkundshme, mbi një dashuri të përvujtë e të pakufishme, duke ecur në gjurmët e të Birit, Jezusit. Ishte pranë tij me dashuri amtare nga lindja, deri në Kalvar, ku e pa duke u kryqëzuar e bërë gur nga dhimbja, por pa e humbur për asnjë çast shpresën.

Zoja e Papërlyer është Nëna e Zotit, por edhe Nëna jonë. Nga lartësia e Kryqit Jezusi, para se ta kryente plotësisht flijimin e tij, na e dhuroi si Nënë e na lëshoi në duart e Saj si bijtë e Tij. E ajo na fton gjithnjë të largohemi nga e keqja e të bëjmë të mirën, duke ndjekur me bindje ligjin hyjnor, të shkruar në zemrën e çdo të krishteri. Ajo, që nuk e humbi shpresën edhe në kulmin e provës, na kërkon të mos dëshpërohemi, edhe atëherë kur vuajtja e vdekja trokasin në portat e shtëpive tona. Na kërkon të shikojmë plot besim drejt së ardhmes, na nxit të jemi vëllezër njëri për tjetrin, të bashkuar në impenjimin për të ndërtuar së bashku një botë më të drejtë, më solidare e më paqësore.

Zoja e Papërlyer na kumton përsëri një mesazh drite e shprese, me urimin që ta pranojnë njerëzit e të gjitha kombeve e të gjitha kulturave. Edhe një herë, në këtë ditë solemne, Kisha i tregon botës Marinë si shenjë e sigurtë e shpresës dhe e fitores përfundimtare të së mirës mbi të keqen. Ajo, që e quajmë ‘Hirëplote’, na kujton se jemi të gjithë vëllezër e se Hyji është Krijuesi ynë e Ati ynë. Pa Të, e aq më keq kundër Tij, ne njerëzit nuk mund ta gjejmë kurrë rrugën, që të çon në dashuri, nuk mund ta mposhtim kurrë pushtetin e urrejtjes e të dhunës, nuk mund të sigurojmë kurrë një paqe të qëndrueshme.

Në Kohën e Ardhjes, së bashku me Kishën, ia ngulim sytë Marisë dhe i lutemi si ‘yll i shpresës’. Gjatë lundrimit tonë të përbashkët në detin e trazuar të historisë, kemi nevojë për ‘drita shprese’, për njerëz që e marrin dritën nga Krishti e na japin, kështu, drejtimin për shtegtimin tonë.

                                                       Liturgjia e Fjalës së Zotit

Nga leximi i librit të Zanafillës (Zan 3,9-15.20)
9 Pasi që Adami kishte ngrënë prej pemës, Zoti Hyj e thirri njeriun e i tha: “Ku je”? 10 Ky iu përgjigj: “Dëgjova zërin tënd në kopsht e u tremba, sepse jam lakuriq e u fsheha”. 11 Ai i tha: “Kush të tregoi se je lakuriq? A mos hëngre frutat nga pema prej së cilës të kam urdhëruar të mos hash”? 12
Njeriu u përgjigj: “Gruaja që ma dhe për shoqe, ajo më dha frut prej pemës dhe hëngra”. 13 Atëherë Zoti Hyj i tha gruas: “Pse e bëre këtë”? Gruaja u përgjigj: “Më gënjeu gjarpri dhe hëngra”.
14 Atëherë Zoti Hyj i tha gjarprit:
“Pasi e bëre këtë gjë
qofsh mallkuar ndër të gjitha bagëtitë
dhe kafshët e egra!
Do të ecësh përmbi barkun tënd
dhe do të hash pluhur në të gjitha ditët e jetës sate!
15 Armiqësi do të vë ndërmjet teje e gruas,
ndërmjet farës sate e farës së saj:
fara e saj do të ta ndrydhë kokën,
kurse ti do t’ia sulmosh themrën”.
20 Njeriu e quajti gruan e vet Evë, sepse ajo është nëna e të gjithë të gjallëve. Fjala e Zotit!

PSALMI 98 /97/ Zoti gjykatës i tokës
1 Psalm.

Këndoni Zotit një këngë të re,
sepse bëri vepra të mrekullueshme!
Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,
me fuqi të krahut të vet të shenjtë.
2 Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,
përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.
3 I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet
kundrejt shtëpisë së Izraelit.
Të gjitha skajet e botës e panë
shëlbimin e Hyjit tonë.
4 Mbarë toka le t’i brohorisë Zotit,
le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.
5 Këndoni Zotit me harpë,
me tinguj veglash muzikore,
6 me trumbetë e me zë të pipëzës së bririt,
brohoritni para fytyrës së Zotit, Mbret!
7 Le të buçasë deti me ç’ka në të,
rruzulli me banuesit e tij;
8 lumenjtë le të duartrokasin
e malet le të gërthasin me hare,
9 para Zotit që po vjen për të gjykuar dheun.
Ai do ta gjykojë botën me drejtësi
e popujt me maturi.

Lexim nga Letra e shën Palit apostull drejtuar Efesianëve (Ef 1,3-6.11-12).
3 Qoftë bekuar Hyji.
Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit,
i cili na bekoi
me çdo bekim shpirtëror
në qiell
në Krishtin.
4 Në Të na zgjodhi
para krijimit të botës
që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij
në dashuri.
5 Ai na parashënoi për vete
të jemi bij në shpirt
në saje të Jezu Krishtit
me pëlqimin e vullnetit të vet
6 për nder të lavdisë së hirit të tij
me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:
11 Në të edhe ne u bëmë trashëgimtarë
- të paracaktuar
me vendim të Atij
që vepron gjithçka sipas pëlqimit të vullnetit të vet -
12 të jemi në nder të lavdisë së tij
-ne që që më parë e vumë shpresën në Krishtin. Fjala e Zotit!

Nga Ungjilli shenjt sipas Lukës (Lk 1,26-38)

Lajmërimi i lindjes së Jezusit
26 Në të gjashtin muaj, Hyji e dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, 27 te një virgjër, që ishte e fejuar me një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari.
28 Engjëlli hyri tek ajo dhe i tha:
“Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!”
29 Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje.
30 Por engjëlli i tha:
“Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit!
31 Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të nxjerrësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus. 32 Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit tejet të lartë. Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit, atit të tij. 33 Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim.”
34 Atëherë Maria i tha engjëllit:
“Si do të mund të ndodhë kjo, ndërsa unë jam virgjër?”
35 Engjëlli iu përgjigj:
“Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky Fëmijë do të jetë i shenjtë - Biri i Hyjit. 36 Dhe ja, Elizabeta, kushërira jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, pret t’i lindë djali. Ajo që mbahet beronjë, është në të gjashtin muaj. 37 Vërtet, s’ka gjë të pamundshme për Hyjin!”
38 Atëherë Maria tha:
“Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!”
Atëherë engjëlli u largua prej pranisë së saj. Fjala e Zotit.

Në Homelia e kёsaj feste tё Zojёs sё Papёlyer nga dom Dritan Ndoci

Homelia e festes sё Zojёs sё Papёlyer nga dom Dritan Ndoci

TË FALEM, O HIRPLOTE! ZOTI ME TY!

TË ZËNËT E PAMËKAT TË MARISË - ZOJA E PAPËRLYER 8 Dhjetor

Zan 3, 9-15; Ef 1, 3-6. 11; Lk 1, 26-38

Në këtë ditë, Kisha kremton festën e Zojës së Papërlyer, pra, faktin se Zoja e Bekuar, qysh se qe ngjizur në kraharorin e nënës së vet, u ngjiz pa «mëkatin e rrjedhshëm», apo «mëkatin origjinal». Kjo gjë nuk ka ndodhur me asnjë njeri tjetër, përveç se edhe me Jezu Krishtin.

Është interesante të dimë se, pikërisht në kohën kur u lind Maria, Herodi i Madh kishte filluar disa riparime të rëndësishme në Tempullin e Jerusalemit, duke i dhënë atij një shkëlqim edhe më të madh. Ishin angazhuar për këtë nismë gjigande rreth dhjetëmijë punëtorë. Por Hyji po fillonte në Marinë, ndërtimin e një trupi njerëzor tejet të pastër, i caktuar të bëhej më vonë Tempulli i Hyjit të gjallë. Por kjo nismë e Hyjit nuk do të ndërpritej kurrë më, sepse gjithnjë të krishterët do të jenë edhe Tempuj të gjallë të Shpirtit Shenjt.

Në vitin 1854, Papa Pui IX shpalli në mënyrë solemne se Kisha e beson Ngjizjen e Pamëkat të Marisë, Nënës së Jezu Krishtit. Papa, në këtë mënyrë, po përmblidhte me autoritetin e tij tërë përshpirtërinë dhe teologjinë e Kishës Katolike ndër shekuj. Kjo dogmë feje u bë edhe më e bujshme në mbarë botën kur, vetëm katër vite më vonë, në vitin 1858, vetë Zoja e Bekuar, duke iu shfaqur në Lurdë të Francës vogëlushes katërmbëdhjetëvjeçare, Bernadetë Subiru, i tha: «Unë jam të Zënët e Pamëkat». Lurdi, si pasojë e këtyre të shfaqurave, do të bëhej pastaj njëra prej shenjtëroreve më të njohura e më të da­shura të mbarë botës.

Vetvetiu tani na vjen në mendje të pyesim se çfarë është mëkati i origjinal, mëkati i parë, nga i cili u ruajt e paprekur Zoja e Bekuar. Prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva, na kanë trashëguar këtë mëkat, por nuk duhet të themi se, si pasojë e kësaj, një fëmijë lind me ndonjë mëkat. Fëmija nuk bën mëkat pa ia arritur moshës së arsyes. Por nga prindërit e parë neve na është trashëguar një «mungesë familjariteti me Zotin», që në gjuhën e Kishës njihet si mungesa e «Hirit Shenjtërues». Sikur të mos kishte ndodhur ky mëkat i rrjedh­shëm (domethënë që ka rrjedhur përgjatë breznive), ne do të ishim si “të shtëpisë” me Zotin. Por tani, pas mëkatit të rrjedhshëm, të gjithë ne e ndiejmë brenda nesh vështirësinë që t’i hapemi këtij familjariteti.

Të shohim leximin e parë, sepse aty na tregohet më së miri se çfarë mekanizmi të mbrapsht vuri në lëvizje ky mëkat i parë, ky kundërshtim i parë që njerëzit i bënë Hyjit.

Pjesa e sotme fillon me çastin menjëherë pas mëkatit: Zoti e thë­rret Adamin me fjalët «Ku je?». Kjo fjalë vazhdon të jehojë në ndër­gje­gjet tona sa herë që largohemi nga Hyji ynë, i cili menjëherë, si Atë që vuan për largimin e bijve e bijave të vet, vihet në kërkimin tonë.

Aty thuhet se Adami ishte fshehur nga Hyji. I thotë Hyjit: «Dëgjova zërin tënd në kopsht e u tremba, sepse jam lakuriq e u fsheha». Lakuriqësia këtu është si metaforë, për të treguar humbjen e pafajsisë, çiltërsisë dhe të thjeshtësisë para Hyjit. E, kur Hyji i thotë: «Mos hëngre frutat nga pema prej së cilës të kam urdhëruar të mos hash?», Adami (pikërisht ai që, kur Hyji ia kishte krijuar Evën si dhuratë për ta bërë atë të lumtur, kishte klithur «kjo është mishi i mishit tim» në shenjë të mirënjohjes dhe plotësisë që ndiente) tani i jep Hyjit këtë përgjigje vërtet të ligë: «Gruaja që ma dhe për shoqe, ajo më dha frut prej pemës dhe hëngra». Na vjen instinktivisht të themi se Adami ia la fajin gruas, por nuk është ashtu, sepse fajin e vërtetë Adami këtu ia lë vetë Hyjit: «Gruaja që ma dhe për shoqe». Fajin tani e paska Hyji që ia ka «dhënë për shoqe» atë. Adami, poeti i flaktë i dikurshëm, tashmë është i aftë të godasë kaq thellë në zemrën e Hyjit dhe, njëkohësisht, edhe në zemrën e Evës.

Nga ana e saj edhe Eva e ka humbur këtë thjeshtësi e çiltërsi para Zotit: në vend që të kërkojë sinqerisht të falur për atë që kishte bërë, përpiqet të dalë e pafajshme duke ia lënë fajin tunduesit: «Më gënjeu gjarpri dhe hëngra».

Mjerisht, mekanizmi i përçarjes mes njeriut dhe Hyjit, tashmë kishte filluar. Kjo përçarje do të zgjerohej, me pasoja shumë të rënda, tek marrëdhëniet e njerëzve me njëri-tjetrin, si edhe tek marrëdhëniet e njerëzve me krijesat e tjera. Nga kjo frymë përçarjeje Hyji e ka ruajtur Marinë në ngjizjen e saj në kraharorin e së ëmës.

E, Hyji vetë, e paralajmëroi madhështinë e Marisë dhe lindjen e Birit të vet, Jezusit, kur i drejtohet djallit me fjalët: «Armiqësi do të vë ndërmjet teje e gruas, ndërmjet farës së saj e farës sate: fara e saj do të ta ndrydhë kokën. Kurse ti do t’ia ngjesësh në shteg për thembër». Etërit e Kishës këtë fjali e kanë parë si Lajmi i Parë i Mirë, në kuptimin që paralajmëronte Mishërimin e Birit të amshuar. Është prekëse të mendosh se, pikërisht në çastin kur Hyjit iu bë një fyerje aq e madhe nga njerëzit, Ai shpalli lajmin më të bukur që mund të imagjinohej: Ardhjen e Birit të Tij. «Fara e saj do të ta ndrydhë kokën» nënkupton pikërisht Jezusin, sepse do të jetë Jezusi Ai që do t’ia ndrydhte kokën djallit, duke e mposhtur atë me Vdekjen e me Ngjalljen e Tij.

Por është interesante se si Hyji i kishte thënë djallit edhe «Armiqësi do të vë ndërmjet teje e gruas». Është e vërtetë se vetëm Krishti është Ai që e ka mposhtur djallin, por, falë meritave ta parapara të Krishtit, Hyji ka dashur që ta bëjë fitimtare edhe Marinë në këtë betejë, duke e ruajtur atë nga njolla e mëkatit origjinal. Në Marinë, Hyji i ka ruajtur pafajësinë, çiltërsinë dhe thjeshtësinë që njerëzit e parë i humbën.

Maria nuk bënte ndonjë gjë të veçantë në këtë botë, por e jetonte tejet natyrshëm lidhjen e saj me Hyjin e vet. Kaq natyrshëm, saqë ishte pa asnjë mungesë përballë Zotit. Jo më kot Kryengjëlli Gabriel i drejtohet asaj duke e quajtur «Hirëplote» e duke i thënë jo «Zoti qoftë me ty!», por «Zoti me ty!». Sa bukur: nga Lumnia e Parrizit, Hyji cakton një Kryengjëll që të zbresë në tokë e t’ia drejtojë këtë për­shëndetje të pazakontë kësaj vajze të re, krejt të pastër në shpirt. Prandaj teksti ungjillor thotë: «Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje?», sepse nuk ishte normale që në tokë dikush t’i drejtohej dikujt me fjalët: «Hirplote, Zoti me ty!».

Maria nuk i kundërshton planit të jashtëzakonshëm të Hyjit, plan të cilin po e dëgjonte nga goja e këtij të dërguari qiellor, por vetëm për­piqet ta kuptojë sadopak. Pasi Kryengjëlli, me fjalë plot dome­thë­nie (që këtu nuk është rasti t’i shtjellojmë më gjatë), ia shpjegon këtë plan, ajo përvujtërisht thotë: «Unë jam shërbëtorja e Zotit: më ndodhtë siç the ti!». Pa asnjë ankesë, ajo që e dinte se ligjet e kohës e dënonin me vdekje një vajzë që gjendej shtatzënë jashtë martesës, pranoi atë që Zoti po i kërkonte. Kështu, ajo bëhet model vërtet prekës se si të gjithë ne duhet t’i hapemi fjalës së Hyjit: pa ankesa, pa ngurrime, pa frikë.

Prandaj, pas Jezusit, Maria është modeli më i bukur i shenjtërisë. Fjalët që Shën Pali i thotë sot në leximin e dytë: «Në Krishtin Hyji na zgjodhi para krijimit të botës që të jemi të shenjtë e të parpëlyer para Tij në dashuri» gjejnë plotësi pikërisht në Marinë. Të gjithë jemi të thirrur të duam Hyjin e njëri-tjetrin pa mungesa, të gjithë jemi të thirrur të jemi «të papërlyer në dashuri», por në ne është trashëguar prirja për mëkat, pasojë e mëkatit origjinal, të cilën as pagëzimi nuk na e heq. Në Marinë kjo prirje nuk ishte, edhe pse patjetër edhe Maria e kishte mundësinë të mëkatonte, nëse donte.

Megjithatë, edhe Marisë i është dashur të vuajë disa pasoja të mëkatit. Jo të mëkatit të saj, por të mëkatit të botës. Kjo pasojë do të kulmonte në kryqëzimin e Birit të saj, por nuk ishte fort më e lehtë as përpara. Gjëja që duhet ta ketë ndihmuar gjithnjë Marinë, duhet të ketë qenë fakti se ajo kurrë nuk ka zgjedhur të veprojë siç vepruan njerëzit e parë: të merrte vendime pa Hyjin. Maria kurrë nuk ka da­shur ta njolloste këtë familjaritet të ëmbël me Zotin e vet, prandaj ne tani e quajmë «të Papërlyer».

Kështu, falë meritave të Krishtit, Maria ia ka shtypur kokën tu­nduesit i cili, patjetër, kushedi sa e sa herë, duhet të jetë përpjekur ta largonte atë nga Zoti, siç largoi njerëzit e parë.

Një herë, një ekzorcist tregonte se si, gjatë një ekzorcizmi, e kishte pyetur djallin: «Pse kur unë përmend emrin e të Shenjtërueshmes Mari, ti përpëlitesh më fort se kur unë përmend emrin e Zotit tonë Jezu Kri­shtit?». E djalli i  ishte përgjigjur: «Po, sepse, të jem i mposhtur nga Hyji, e di se është e pashmangshme, por më vjen të pëlcas kur më duhet të pranoj se jam i mposhtur edhe nga një krijesë vetëm njerëzore». Një tjetër ekzorcisti, djalli i kishte thënë: «Çdo “Të falemi Mari” për ne është si një shkop i rëndë kokës».

Janë detaje që të bëjnë të mendosh shumë për hiret e mëdha që Zoti i ka dhënë kësaj gruaje. E, në fakt, në gjithë planetin, nuk ekziston një grua më e dashur e më e përmendur se Zoja e Bekuar, prandaj edhe përshpirtëria e Kishës gjithnjë i ka rezervuar Marisë fjalët e titujt më të dashur. Njëri prej poetëve më të famshëm e më të studiuar italianë, Dante Aligieri, në veprën e tij Komedia Hyjnore, duke iu drejtuar Marisë, ka shkruar: «Virgjër Nënë, bijë e Birit tënd, / e përvujtë dhe e lartë më shumë se krijesë, / pikëshikimi i gjithmonshëm i këshillës së amshuar». «E përvujtë dhe e lartë më shumë se krijesë»: Maria gjithnjë krijesë është, por Dante nuk dinte si të na e thoshte më bukur se ajo është Krijesa më e lartë ndër të gjitha.

Prandaj, e nxitur nga kjo bindje, Kisha i drejtohet gjithnjë me shumë dashuri e me besim të patundur Marisë. Ajo që qe zgjedhur të rriste Jezusin këtu mbi tokë, tani kujdeset e ndërmjetëson pafu­ndë­sisht shumë në qiell që të rrisë edhe Kishën, Trupin Mistik të Birit të saj Hyjnor e Kisha ndjehet e fortë kur e sheh se ka një ndër­mjetëse kaq të dashur, kaq të pastër e kaq të pushtetshme para Hyjit Trini.

Ndër shprehjet më të ëmbla që shenjtërit i kanë drejtuar Marisë përgjatë shekujve, mjafton të shkëpusim atë që i ka drejtuar Shenjtjta Terezë e Jezusit Fëmijë: «Nëna ime, Maria, unë jam më me fat se ti, sepse kam një Nënë si ti».

 

 

07 dhjetor 2020, 14:47