Kërko

Atë Arturo Sosa, epror i përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit dhe kryetar i Bashkimit të Eprorëve të Përgjithshëm (Usg) Atë Arturo Sosa, epror i përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit dhe kryetar i Bashkimit të Eprorëve të Përgjithshëm (Usg)

Covid-19 e jeta rregulltare. Atë Sosa: “Demokracia mund të jetë viktimë e pandemisë”

“Në shumë vende, pandemia është kthyer në rast për prirje autoritare qeverisëse dhe për pezullimin e proceseve demokratike në marrjen e vendimeve”. Atë Arturo Sosa Abascal, epror i përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit dhe kryetar i Bashkimit të Eprorëve të Përgjithshëm (Usg) është i bindur për këtë. Flet edhe për përvojën sinodale të jetës rregulltare, sipas modelit të proprozuar nga Papa

R.SH. - Vatikan

“Demokracia mund të jetë viktimë e pandemisë, nëse nuk do të jemi në gjendje të shfrytëzojmë rastin për ta thelluar vetëdijen qytetare e kërkimin kolektiv të së mirës së përbashkët, duke lënë mënjanë interesat vetjake të njerëzve, grupeve, kategorive shoqërore, ose kombeve, për të ndjekur të gjithë të mirën më të madhe të mundshme për njerëzimin, që do të thotë t’u jepet më të brishtëve vendi i parë në vendimet e ndërlikuara, që duhen marrë”. Atë Arturo Sosa Abascal, që flet kështu në një intervistë për agjencinë katolike Sir, është pasardhësi i 30-të i Shën Injacit të Lojolës në krye të Shoqërisë së Jezusit dhe, që nga viti 2018, edhe kryetar i Bashkimit të Eprorëve të Përgjithshëm rregulltarë(Usg).

Çështja e demokracisë

 Sipas tij “demokracia është kërcënuar rëndë vitet e fundit nga dobësimi i vetëdijes qytetare në shoqëritë ku ekziston dhe nga përpjekjet e pakta për ta promovuar në të tjerat. Përhapja e populizmave me karakteristika të ndryshme dhe e fondamentalizmave të veshura me ideologji a me shtrembërime “të fesë” janë shkaku i këtij dobësimi. Në shumë vende, pandemia është kthyer në rast për prirje autoritare qeverisëse dhe për pezullimin e proceseve demokratike në marrjen e vendimeve.

Qëndrimi ndaj vaksinës

 “Shpërndarja e vaksinave – vëren më tej atë Sosa - do të jetë prova e dëshirës për drejtësi, përgjegjësi shoqërore dhe e kujdesit për më të brishtët e shoqërisë. Do të jetë provë e vullnetit të vërtetë demokratik të shteteve dhe të strukturave ndërkombëtare, siç është Bashkimi Evropian. Mënyra e prodhimit dhe e shpërndarjes së vaksinës do të jetë shenjë e qartë e botës pas koronavirusit. A do të mbizotërojë logjika e tregut dhe përparësitë e tij apo do t’i jepet hapësirë ​​logjikës së drejtësisë shoqërore? A do të shërbejë për t’i eleminuar disi pabarazitë shoqërore apo do t’i shtojë ato? A do të përdoret si mundësi për atë “politikë më të mirë”, që proprozon Papa Françesku në ‘Fratelli tutti’, për atë që e kërkon vërtet të Mirën e Përbashkët?”

Pandemia dhe rregulltarët

Më tej, eprori i përgjithshëm i jezuitëve reflekton mbi ndikimin e pandemisë në jetën rregulltare, jo vetëm të jezuitëve. Të befasuar nga koronavirusi, edhe rregulltarëve iu desh të përballojnë frikën dhe shqetësimin për vete, për familjarët, për njerëzit të cilëve u shërbejnë. Nuk mund të bëhet asnjë lloj planifikimi, vëren atë Sosa, zbuluam se jemi vërtet të brishtë, gjë që na ktheu në gurrën me ujë të gjallë të karizmës sonë, që i jep kuptim jetës së një rregulltari. “Bashkësitë patën më shumë kohë për të ndenjur së bashku, u lutën ndryshe dhe hapën sytë për realitetin që i rrethon, duke zbuluar pasurinë njerëzore të lagjes dhe të ambientit në të cilin jetojnë”.

Sinodaliteti sipas modelit të Papës Françesku

Shumë nga rregulltarët janë në vijën e parë të frontit kundër koronavirusit, sepse shërbejnë në spitale e klinika. E shumë prej tyre kanë dhënë jetën. “Lindën – përfundon atë Sosa, duke shikuar me besim e shpresë drejt së ardhmes - një numër i madh dhe i larmishëm nismash ‘për të dhënë një dorë’, duke i kushtuar vëmendje atyre që u prekën më shumë nga pandemia. Pavarësisht nga kufizimet, edhe ne u përpoqëm të reflektojmë mbi përvojën e jetuar, duke menduar mbi të gjitha si të kontribuojmë në shndërrimin e shoqërisë. Jemi të bindur se duke përjetuar sinodalitetin në jetën tonë mund të kontribuojmë më shumë në Kishën sinodale të ëndërruar nga Koncili II i Vatikanit, një ëndërr që Papa Françesku po e jeton me intensitet dhe dëshiron ta ndajë me gjithë Popullin e Zotit, që ecën pas Krishtit”.

16 dhjetor 2020, 14:49