Kërko

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra e Judës

“Juda, shërbëtori i Jezu Krishtit dhe vëllai i Jakobit…”. Kështu fillon Letra e Judës, të cilën do ta komentojmë sot. Është fjala për njeriun, që e gjejmë në Ungjillin sipas Markut, vëlla me Jakobin, Jozes dhe Simonin, pjesë a realitetit të bashkësive të para të krishtera, që i kemi hasur edhe në Letrën e Jakobit: është fjala për Kishën e rrethprerjes, siç e quan meshtari italian don Federico Tartaglia, në librin e tij “Është ora e leximit të Biblës”.

R.SH. - Vatikan

Kemi pra, dy Letra, që u atribuohen “vëllezërve të Jezusit”, si edhe Letrën e dytë të Shën Pjetrit, të cilat na ndihmojnë të kuptojmë përvojën e atyre, që e pranuan Krishtin, pa e braktisur fenë e të parëve. Edhe sot e kësaj dite, ka akoma bashkësi hebrenjsh të krishterë, ose hebrenjsh mesianikë, një Kishë e vërtetë judaiko-kristiane, që ndjek normat e Ligjit hebraik dhe kremton Sakramentet e krishtera, duke e pranuar se Krishti është Mesia. Janë të ashtuquajturit “Jews for Jesus”!

Letra e Judës përbëhet vetëm nga një kapitull, në të cilin dallohen lehtë dy pjesë: e para është jashtëzakonisht e mbrujtur me pika referimi judaike, ndërsa e dyta ka natyrë tipikisht të krishterë. Përmendja e engjëjve dhe e Sodomës e Gomorrës është po ajo, që gjejmë në Letrën e dytë të Shën Pjetrit. Edhe Juda flet për “pasionet kundër natyrës”:

“Zoti, …i zhbiu… engjëjt që nuk e ruajtën denjësinë e vet, por e lëshuan banesën, i ruajti për Gjyqin e Ditës së madhe të lidhur me pranga në errësirë. Po kështu edhe Sodoma e Gomorra dhe qytetet përreth tyre, të cilat, sikurse edhe ato, u dhanë pas fëlligështisë dhe mëkatuan kundër natyrës, mbesin si shembull duke pësuar ndëshkimet në zjarr të pasosur” (Jud 1,5-7)

Natyrisht, prej këtej vijnë qëndrimet e disa predikatarëve të krishterë, që shkandullohen për veprat “kundër natyrës” e shqetësohen vetëm për “zjarrin e pasosur”. Në të vërtetë, fraza, që kemi dëgjuar shpesh nga Jezu Krishti, është “mëkat kundër Shpirtit Shenjt” e jo “kundër natyrës”. Por për çfarë është fjala? Ka të bëjë me qëndrimin seksual të njeriut e me mëkatin e epshit të pakontrolluar? Ja çfarë shkruan Juda:

“Po kështu edhe këta ëndërrues çnderojnë trupin, përbuzin Madhërinë dhe shajnë Lavditë” (Jud 1,8).

Ç’hyjnë këtu engjëjt, ose këto qënie të lavdishme? E këta, që përbuzin, ç’janë në të vërtetë?

“Këta çnderojnë çka nuk njohin; e në ato që, me anë të shqisave - si bagëtitë e paarsyeshme - i njohin, në to kalben” (Jud 1,10)

Siç shihet, nuk është vetëm mëkati i epshit, që e bën të furishëm autorin e Letrës, i cili nxjerr nga pena e vet një nga frazat më inatçore të Besëlidhjes së Re. Absolutisht, një nga fyerjet më të qëlluara, që mund të dëgjojë njeriu kundër dikujt:

“Janë re pa ujë që erërat i sjellin këndej e andej, lëndë të pafrytshme të vjeshtës në mbarim, dy herë të thata, të nxjerra me rrënjë, valë të tërbuara të detit që bëjnë të shkumiten turpësitë e veta, yje të shkëputura, endacake, për të cilët ruhet terri i errësirës së përjetshme… Këta janë njerëz që murmurojnë dhe ankohen, jetojnë mbas prirjeve të veta të prujta” (Jud 1,12-13.16)

Po ç’kanë bërë këta të “vdekur-dy-herë” për të merituar një gjykim të tillë? Këtu nuk flitet thjesht për njerëz të pamoralshëm, skllevër të dëshirave të tyre trupore, por për njerëz, që e quajnë veten besimtarë, që hiqen si krijesa shpirtërore, predikojnë doktrina të rreme, duke i joshur më të dobtit për të shfrytëzuar më pas, dobësinë e tyre.

Për t’i përshkruar, duhen marrë hua fjalët e të madhit atë Gjergj Fishta: “Ju rrugaça sallahana, vagabonda shakllabana, rriqna t`ndyet, mikrobe të kqi…”. Edhe sot, këta janë “guru”-t, që kanë pas turma dishepujsh në ekstazë e llogari milionere në bankë. E fatkeqësisht, është fjala edhe për një fenomen, që vijon të lulëzojë ndër shkurret e errta, ku fshihen disa njerëz të fesë. Quhet “mashtrim i të padijshmit për përfitim dhe abuzim seksual”.

Çnderojnë atë, që nuk e njohin! Ky është gjykimi i paapelueshëm i Letrës. Hiqen si njerëz shpirtërorë e mësues, por, në të vërtetë, janë skllevër të epsheve të tyre. Ja ç’do t’u shkruante Juda në rrasën e varrit:

“Ata që mbjellin përçarje - njerëz thjesht shtazorë - që nuk e kanë Shpirtin Shenjt” (Jud 1,19).

Të përfitosh nga besimi i më të dobtëve, i më të brishtëve, i më nevojtarëve, është mëkat, që nuk do të falet. Letra nuk merret me pasionet njerëzore primitive, me instinktet, por me herezinë e vërtetë, që del në pah kur këto pasione përdoren për të skllavëruar të tjerët. Këta njerëz nuk e njohin Shpirtin Shenjt, por autori i Letrës i ka të gjitha mjetet për t’u treguar atyre, që vërtet e njohin Shpirtin e Zotit, se cilat janë bazat për ngritjen e ndërtesës shpirtërore, të Kishës:

“Por, ju o të dashur, ndërtoni veten mbi themelin e fesë suaj tejet të shenjtë duke u lutur në Shpirtin Shenjt. Qëndroni në dashurinë e Hyjit duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krishtit për jetën e pasosur” (Jud 1,20-21).

E nëse ata, që lëkunden në fe, mund të qortohen, për të korruptuarit, nuk ka shpresë:

“Disa - të ndërdyshmët - qortojini; disa tjerë shpëtojini duke ia rrëmbyer zjarrit; për do tjerë, prapë, kini mëshirë duke u trembur dhe urreni deri edhe petkun e përdhosur prej trupit të tyre” (Jud 1,22-23)

Përdoreni si kosë këtë Letër të shkurtër, por plot helm, për të prerë në rrënjë barin e keq të mësuesve të rrejshëm, që abuzojnë me pafajësinë e njeriut të pastër në shpirt e me më të dobtin.

03 dhjetor 2020, 12:33