Kërko

L'Annunciazione Beato Angelico  L'Annunciazione Beato Angelico  

Benedikti XVI: Lutja Zojës së Papërlyer

“Hirplote” je, o Mari, plot dashuri hyjnore që nga çasti i parë i jetës sate, e paracaktuar nga Hyji për të qenë Nëna e Shpërblyesit, bashkëpunëtorja e ngushtë e Tij në misterin e shëlbimit. Në të Zënët tënd të papërlyer shkëlqen grishja e nxënësve të Krishtit, të thirrur për t’u bërë, me hirin e Tij, shenjtorë e të papërlyer në dashuri (cfr Ef 1,4). Në ty ndriçon dinjiteti i çdo njeriu, që është gjithnjë i çmuar para syve të Krijuesit.

R.SH. - Vatikan

Benedikti XVI: Lutja Zojës së Papërlyer, në Sheshin e Spanjës në Romë, mё 8 dhjetor 2010

O Mari, Virgjër e papërlyer,
edhe sivjet ndodhemi, me dashuri bijnore, në këmbët e figurës sate për të të paraqitur rishtas nderimin e bashkësisë së krishterë. Ndalemi këtu në lutje, duke ndjekur traditën e nisur nga papët e mëparshëm në ditën solemne, në të cilën liturgjia kremton të Zënët tënd të papërlyer, mister që është burim gëzimi e shprese për të gjithë besimtarët.

O Mari, Virgjër e papërlyer, të përshëndesim e të thërrasim me fjalët e Engjëllit: ‘Hirplote’ (Lk 1,28), emri më i bukur me të cilin të thirri vetë Zoti që prej amshimi.

“Hirplote” je, o Mari, plot dashuri hyjnore që nga çasti i parë i jetës sate, e paracaktuar nga Hyji për të qenë Nëna e Shpërblyesit, bashkëpunëtorja e ngushtë e Tij në misterin e shëlbimit. Në të Zënët tënd të papërlyer shkëlqen grishja e nxënësve të Krishtit, të thirrur për t’u bërë, me hirin e Tij, shenjtorë e të papërlyer në dashuri (cfr Ef 1,4). Në ty ndriçon dinjiteti i çdo njeriu, që është gjithnjë i çmuar para syve të Krijuesit. Kush i sjell sytë nga Ti, o Nënë gjithëshenjte, nuk e humbet kurrë paqen, sado të vështira të jenë provat e jetës. Ndonëse e hidhur është përvoja e mëkatit, që e shëmton dinjitetin e bijve të Hyjit, kush mbështetet tek Ti, rizbulon bukurinë e së vërtetës e të dashurisë dhe rigjen shtegun që të çon në shtëpinë e Atit.

“Hirplote” je ti, o Mari, që duke pranuar me ‘po’-në tënde planet e Krijuesit, na hape rrugën e shpëtimit. Në shkollën tënde, na mëso edhe ne t’i themi ‘po’ vullnesës së Zotit. Një ‘po’ që bashkohet me ‘po’-në tënde pa asnjë kusht e pa asnjë hije, për të cilën Ati qiellor deshi të kishte nevojë për të lindur Njeriun e ri, Krishtin, të vetmin Shëlbues të botës e të historisë. Na jep guxim t’i themi ‘jo’ mashtrimeve të pushtetit, të parasë, të kënaqësisë; fitimeve të pandershme, korrupsionit, hipokrizisë, egoizmit e dhunës. T’i themi ‘jo’ Djallit, princit mashtrues të kësaj bote e ‘po’ Krishtit, që shkatërron pushtetin e së keqes me gjithëpushtetin e dashurisë. Ne e dimë se vetëm zemrat e penduara, të kthyera në rrugën e dashurisë, që është Zoti, mund të ndërtojnë një ardhmëri më të mirë për të gjithë.

“Hirplote”, je Ti, Mari! Emri yt është për të gjitha breznitë peng i sigurt shprese. Po! Sepse, siç shkruan Poeti i madh Dante, për ne të vdekshmit Ti ‘je burim i gjallë shprese” (Par., XXXIII, 12). Te ky burim, te gurra e Zemrës sate të papërlyer, vijmë përsëri, shtegtarë plot me besimin se në Ty do të gjejmë fe e ngushëllim, gëzim e dashuri, siguri e paqe.

Virgjër “hirplote”, tregohu Nënë e ëmbël dhe e kujdeshsme për banorët e këtij qyteti, që është yti, sepse e gjallëron dhe e drejton shpirti i vërtetë ungjillor; tregohu rojtare vigjilente për Italinë e për Evropën, në mënyrë që nga rrënjët e lashta të krishtera popujt të thithin limfën e re për të sotmen e për të ardhmen e tyre; tregohu Nënë e mëshirshme për mbarë botën që, duke respektuar dinjitetin njerëzor e duke kundërshtuar çdo formë të dhunës e të shfrytëzimit, të hidhen themelet e patundura të qytetërimit të dashurisë. Tregohu Nënë posaçërisht për ata që kanë më tepër nevojë: për të pambrojturit, për të braktisurit, për të pastrehët, për viktimat e një shoqërie që tepër shpesh e flijon njeriun për qëllime e interesa të tjera. Tregohu Nënë e të gjithëve, o Mari, e dhurona Krishtin, shpresën e botës! “Monstra Te esse Matrem”, o Virgjër e papërlyer, hirplote! Amen!

07 dhjetor 2020, 18:42