Kërko

Vatican News
Shën Silvest, Papë Shën Silvest, Papë  (© Musei Vaticani)

Më 31 dhjetor kalendari kujton Shën Silvestrin, Papë

Emri i shёn Silvestrit është bërë tashmë sinonim i festës së fundit të Vitit, sepse vdiq më 31 dhjetor të vitit 335. Është Papa që në vitin 325 e thirri Koncilin I Ekumenik kishtar të Nikesë, gjatë punimeve të të cilit u miratua ‘Besojma’ e krishterё.

R.SH. -Vatikan

Shën Silvestri Papë, është shenjt shumë i njohur. Emri i tij është bërë tashmë sinonim i festës së fundit të Vitit, jo sepse ishte njeri gazmor, ashtu si është festa e ndërrimit të viteve, që i mbush njerëzit me shpresa të reja për një vit e kohë të re, por thjeshtë sepse vdiq më 31 dhjetor të vitit 335 dhe nisi menjëherë të nderohej si shenjti i Romës.

Me emrin e tij lidhen ngjarje të rëndësishme për Qytetin e Amshuar e për krishterimin. Silvestri qe Papë në kohën e Perandorit Kostandin, që u njohu të krishterëve lirinë e kultit. Gjatë papnisë së tij, reformoi kalendarin kishtar dhe përdori për herë të parë shprehjen e përgjithshme “ditët e javës”, në sa para tij i kushtoheshin perëndive pagane.

Është Papa që në vitin 325 e thirri Koncilin I Ekumenik kishtar të Nikesë, gjatë punimeve të të cilit u miratua ‘Besojma’ e cila, duke iu kundërvënë doktrinës së Arit, ripohon hyjninë e Jezu Krishtit: “Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë, i lindur e jo i krijuar, me të njëjtën natyrë me Atin”.

Papa Silvestri nuk pati kurrfarë mundësie të ishte i pranishëm në diskutime: vendimet që u morën, iu komunikuan me respekt e solemnitet. Po ai mbeti keq, pse, jo për faj të tij, nuk mundi të jepte mendimin për një vendim kaq të rëndësishëm në historinë e krishterimit, që do t’i bënte ballë shekujve. 

I pafat edhe historikisht ky papë, pa faj edhe këtë herë: për disa shekuj me radhë u besua si i vërtetë një dokument, i quajtur ‘donacioni kostandinian”, me të cilin perandori i dhuronte Silvestrit e pasardhësve të tij, qytetin e Romës dhe disa provinca të tjera italiane. Ky dokument, vërtetësia e të cilit dyshohej në shekullin X, në shekullin XVI do të konsiderohej i rremë. 

Një vit pas vdekjes, Papës Silvestri iu kushtua festa e 31 dhjetorit, ndërsa në Kishën lindore përkujtohet më 2 janar. Është Papa i parë që u lartua në nderimet e elterit, pa qenë martirizuar. U varros në katakombet e Prishilës në rrugën romake Salaria, por pjesa më e madhe relikeve të tij ruhen në Kishën romake kushtuar Shenjtit.

31 dhjetor 2020, 11:35