Kërko

Shën Gjoni,  Apostull e Ungjilltar Shën Gjoni, Apostull e Ungjilltar 

Më 27 dhjetor kalendari kujton Shën Gjonin, Apostull e Ungjilltar

Shën Gjoni Ungjilltar e takoi Jezusin, Zot të vërtetë e njeri të vërtetë, e këtë përvojë konkrete dëshiron t’ua komunikojë edhe të tjerëve. Gjoni, me intuitë shkreptimtare, shpall se Zoti është dashuri, dashuri që Hyji e shprehu konkretisht në Jezusin.

R.SH. - Vatikan

Shën Gjoni, i biri i Xebedeut, vëlla me Shën Jakun Apostull e nxënës i Shën Gjon Pagëzuesit, është ndër të parët që ndoqën Krishtin. Autor i Ungjillit të katërt dhe i librit të Zbulesës, dishepull i Jezusit.

Shën Gjoni ishte i pranishëm në Mundimet e Krishtit me Marinë. E me të, thotë tradita, jetoi në Efez. Këtu vdiq pas mërgimit në Patmos. Sipas Palit, Gjoni ishte një “shtyllë” e Kishës, me Pjetrin e Jakobin.

Shën Gjoni Ungjilltar qe nxënësi më i dashur i Zotit Jezus, ai që gjatë Darkës së Mbrame mbështeti kokën në kraharorin e Mësuesit. Mik i ngushtë i Jezusit, në Ungjillin e katërt nuk thirret kurrë me emër, por “Ai që Jezusi e donte”.

Pajtor qiellor i skulptorëve dhe i piktorëve e i shumë viseve e fshatrave malore shqiptare, ai ishte peshkatar i varfër, me prejardhje nga Betania, ashtu si edhe dy apostujt tjerë: Pjetri e Andreu.

Gjatë jetës publike të Mësuesit Hyjnor, Gjoni bënte pjesë në grupin e zgjedhur të Apostujve, të pranishëm në ringjalljen e së bijës të Gjairit, që kundrojnë Krishtin e shndërruar mbi mal, që e rrethojnë në orën e agonisë në Gjetseman. Në çastin e kapjes së Jezusit edhe Gjoni ikën, por më pas, së bashku me Pjetrin, rikthehet mbrapsht dhe e ndjek Mësuesin deri në fund të fundit, deri te këmbët e kryqit, ku Krishti i lë amanet Nënën e tij.

I thirrur nga Jezusi “biri i bubullimës” Gjoni, me temperament të zjarrtë, ishte armik i kompromiseve e i lëvdatave. Ai shkroi njërin nga ungjijtë, duke u përqendruar plotësisht tek hyjnia e Krishtit, në të cilin dha përkufizimin më të lartë të Hyjit: “Zoti është dashuri!”.

E në Ungjillin e tij, ashtu si shqiponja – simboli i Gjonit – që në rrahjen e parë të krahëve, ngrihet në lartësitë marramendëse të misterit të të Shenjtnueshmes Hyjnore Trini: “Në fillim ishte Fjala, e Fjala ishte pranë Zotit, e Fjala ishte Zoti!”. Shën Gjoni shkroi edhe Librin e Apokalipsit – apo të Zbulesës, libri i fundmë i Besëlidhjes së Re. Vdiq në Efez në vitin 101.

27 dhjetor 2020, 14:33