Kërko

Krishtlindje Krishtlindje 

24 mendime për Kohën e Ardhjes: Nata e Kshndellave!

Kujtuam, në të Mërkurën IV të Kohës së Ardhjes, një poezi kushtuar Krishtlindjes në Shqipëri - ndërsa sonte - Natën e Madhe të Krishtlindjes - këngën tradicionale botërore “Stille Nacht”, që këndohet në të katër anët e rruzullit

R. SH. - Vatikan

Në këto ditë të mëdha, në atmosferën Krishtlindjes, me qindra herë dëgjojmë në radio, në televizion, në Kisha, pranë Betlehemit, tingujt dhe fjalët e këngës së famshme “Stille Nacht” - “O e qeta Natë”. Sivjet, në atmosferën e kaq ndalesave e kaq trishtimeve, na vijnë përsëri tingujt e saj paqtorë, në të qetën natë, krejt shenjten natë…Për të na siguruar se Krishti po vjen përsëri… Po cili është historiku i krijimit të kësaj kënge, ndër më të famshmet e më të përhapurat në mbarë botën?

         Fjalët qenë shkruar natën e Këshndellave 1818, nga meshtari Joseph Mohr (1792-1848), ndihmës famullitar në Oberndor të Salsburgut (Austri).

         Në të njëjtën natë qenë muzikuar nga Franc Xavier Gryber (1787-1863), organist i qytezes së afërme, Arsndorf.

         Sipas dëshirës së Mohr, motivi muzikor u punua për dy zëra, shoqëruar nga kori dhe kitarra.

         Mohr vetë e këndoi motivin dhe e shoqëroi me kitarrë, ndërsa Gruber bëri pjesën e basit.

         Fjalët dhe motivi muzikor u përhapen menjëherë, aq sa kënga u bë “Himn i përbotshëm i Krishtlindjes”.

         Autorët e këngës nuk figurojnë në asnjë Encikopedi të madhe, ndoshta sepse “Stille Nacht” është i vetmi krijim i tyre. Por shumë muzikantë të shquar, emrat e të cilëve lexohen në të gjitha Encikolopeditë, kanë deklaruar se do t’i jepnin me gjithë zemër të gjitha kryeveprat e tyre, për të qenë autorë të kësaj ninulle hyjnore, melodia e së cilës është e njohur nga njerëz të të gjitha moshave, të të gjitha kombësive.

         Shumë shpejt kjo këngë u këndua edhe në Shqipëri. Ishte fillimi i shekullit, kur Atë Vinçenc Prennushi, françeskan, i prekur thellë nga bukuria e këngës, e përktheu dhe “O e qeta Natë” u këndua për herë të parë në Kishën Françeskane të Gjuhadolit në kremtimin e Krishtlindjes së vitit 1920.

         Po ju njohim me tekstin e Atë Vinçencit, një nga përkthimet e lira më lirike e më prekëse të këngës:

Flej, o Qielluer,

T’Zojës në krahnuer.

Flej, mos kjaj,

ndale at’vaj.

Gjumi t’vjen, por ty s’t’bahet me fjetë,

pse n’do kashta t’rrin trupi Ty p’shtete.

          Jezus për p’shtim të gjithë neve,

           Jezus për p’shtim të gjithë neve.

Ty Zoja Mri,

Ty gjithë dashtëni,

rrin tuj t’ruejtë,

ambël prujtë,

Ditë do t’vinë, O Shëlbues, me u mekë;

Ka me të ra mbi nji krygje ty me dekë !

R/  Jezus për p’shtim të gjithë neve,

    Jezus për p’shtim të gjithë neve!

Le të jehojë, pra, me fjalët shqipe, kjo kryevepër botërore, në Kishat tona që edhe këtë vit të vështirë, me aq shumë ndalesa, e shtruan kashten shqiptare në grazhdet e Betlehemeve, për të pritur Shëlbuesin dhe ia kënduan nina-nanën në gjuhën tonë.

24 dhjetor 2020, 12:13