Kërko

Simboli i  harabelit Simboli i harabelit 

24 mendime për Kohën e Ardhjes: e Marta II e Kohës së Ardhjes!

E Marta II e Kohës së Ardhjes. Kohë e vënë nën një pikëpyetje të madhe. Kohë, kur njeriu, duke i lënë mënjanë shumë kotësi të kohës së zakonshme, pyet më shumë se kurrë mbi kuptimin e kohës së jashtëzakonshme: fundit e rifillimit të saj…

R. SH. - Vatikan

Pyetja e njeriut për kuptimin e jetës e të vdekjes luajti një  rol tejet të rëndësishëm në ungjillëzimin e Evropës - e mund ta luajë përsëri në riungjillëzimin e Kontinentit. Shumë sende kanë ndryshuar që aso kohe, por një gjë nuk ndryshon kurrë: njerëzit vijojnë të lindin. E edhe të vdesin! Beda i Nderuar tregon si hyri krishterimi në Anglinë e Veriut, duke mposhtur rezistencën e paganizmit. Mbreti mblodhi asamblenë e madhe  të mbretërisë për të vendosur nëse duhet të hynin apo jo në të të krishterët.  Secili shprehu mendimin e vet. Kush për e kush kundra. Derisa u ngrit një nga oborrtarët e foli e tha:

 “Jeta e njeriut mbi tokë, o mbret, mund të përshkruhet kështu:  mendo se është dimër. Ti darkon i rrethuar nga dukët e tu. E nga shërbëtorët e tu. Në vatër ndrin e ngroh një zjarr bubulak. Paprimas në sallën e ngrënies hyn një harabel. Hyn nga një mazgallë e del nga një tjetër. Sa është brenda sallës, shijon ngrohtësinë e vatrës. Por, një të dalë, zhytet përsëri në errësirën prej nga erdhi e zhduket. Kush e di se ku! Kështu është edhe jeta jonë. Nuk e dimë çka na paraprin e as çka na pret pas. Në qoftëse kjo doktrinë e re mund të na thotë ndonjë fjalë të besueshme për këtë, mendoj se duhet ta dëgjojmë! E madje me shumë vëmendje”.

 

08 dhjetor 2020, 11:58