Kërko

Në lutje Në lutje 

24 mendime për Kohën e Ardhjes: e Enjtja II e Kohës së Ardhjes!

E Enjtja II e Kohës së Ardhjes. Kohë pritjeje. Po çka pritet?

Kohë pritjeje. Po çka pritet? Dikush pret një telefonatë nga njerëzit e tij të dashur. Dikush, një letër nga një mik i largët. Dikush pret të takohet me një të afërm, që nuk e ka parë kah mot… E njerëzimi mbarë këto ditë pret  mikun më të madh të njeriut: Krishtin!

Është Koha e Pritjes, e Ardhjes së Shëlbuesit të pavdekshëm, në korpin tonë të vdekshëm.

Koha e Ardhjes është Kohë pritjeje, kohë kthese. Ndaj shpesh gjatë këtyre javëve nga thellësitë e kohës jehojnë fuqishëm fjalët e profetëve.

Na kujton Izaia:

"Atë ditë pinjolli i Perendisë ka për të kenë shkëlqim e madhní dhe fryti i tokës, galdim e nder për të gjithë ata që kanë pështue nga Izraeli. Kushdo që ka mbetë gjallë në Sion e kush ka teprue në Jeruzalem, ka për t’u quejtë shenjt… Kur Zoti ka për të pastrue petkat e fëlliquna të bijave të Sionit e ka për të dlirë llomin mbrenda Jeruzalemit të përlyem nga gjaku i derdhun, me shpirtin e drejtësisë e me frymën e shfarosjes, atëbotë ka për të ardhë Zoti e ka për t’u diftue mbi tana majet e malit të Sionit e mbi tana tubimet e popullit, si të ishte një rê e një mjegull në pikë të ditës, si dritë zjarmi e flakë nate, përsè lumnia e Zotit ka për t’u shtrî mbi çdo gja porsi tendë; një tis ka për të bâ hije kundra zhegut të ditës e ka për të vlejtë porsi strehim e mburojë kundra stuhive e kundra shtrëngatave”.

Koha e Ardhjes, Kohë pritjeje

Është pritje e kujtesë e ardhjes së përvuajtur të Shëlbuesit në korpin tonë të vdekshëm.

Pritje e lutje e ardhjes të fundit, ardhjes së  lumnueshme  të Krishtit, Zotit të historisë e Gjykatësit universal.

Koha e ardhjes është kohë  pendese

Shpesh këto ditë dëgjojmë fjalët e profetëve, posaçërisht të Shën Gjon Pagëzuesit. Zëri i tij tund hapësirat e kohës me britmën: “Pendojuni, sepse mbretëria e Zotit është fare pranë!”.

Koha e Ardhjes është kohë pritjeje gazmore

Presim që shëlbimi i sjellë nga Krishti të arrijë përplotësimin e tij. Atëhere premtimet e Tij do të bëhen realitet e ne do të jetojmë përgjithmonë e jetës  në gëzimin e pafundëm, që Zoti po vjen të na e sjellë.

Ardhje do të thotë “po vjen”…

Koha e Ardhjes është periudha prej katër javësh, që i paraprin Krishlindjes. Është pjesë përbërëse e kremtimeve të krishtera që përkujtojnë ardhjen e Krishtit e përgatitjen për Lindjen e Tij.

Kohë agjërimi e lutjeje

Popujt e fesë krishterë, që kremtojnë Lindjen e Krishtit, përgatiten për Ardhjen e Zotit me agjërim e lutje!

Deri sa nga Shpella e përvujtë e Betlehemit të jehojë në të katër anët e globit të sëmurë, himni i shëndetit, i kënduar njëzëri nga engjëj e njerëzit:

 “Lumni i qoftë Zotit në qiell e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë!”.

10 dhjetor 2020, 10:41