Kërko

Vatican News
Patriku Irinej Patriku Irinej  (ANSA)

Vdiq Patriku Irinej

Ndërroi jetë kreu i Kishës ortodokse serbe, i prekur kohët e fundit nga Covid-19. Ishte 90 vjeç. Kujtimi i kardinalit Koch: “Shenjtëira e Tij, njeri i përvuajtur e i hareshëm, kujtohet si shembull feje e dialogu”.

R. SH. - Vatikan

Vetëm tri javë më parë  kryesoi, në Podgoricë,  funeralin e metropolitit të Malit të Zi, Amfilohije, vdekur nga Coronavirusi.  Dje, 20 nëntor, në  orët e para të mëngjesit, Covid-19, që e kishte prekur, duke e detyruar të shtrohej në spitalin e Beogradit, e mori edhe atë, në moshën 90 vjeçe.  Irinej, në shekull Miroslav Gavrilović, që nga viti 2010 ishte Patrik i Serbisë, komb me shumicë të krishterë-ortodoksë, Kisha e të cilit e shtrin pjesërisht  jurisdiksionin e saj (heprakitë)  në Bosnjë e Hercegovinë, në Mal të Zi e Kroaci.

I lindur më 28 gusht 1930 në fshatin Vidova, pranë Čačak, hyri shpejt në seminarin e Prizrendit, për t’u lauruar, më pas, në Fakultetin e Teologjisë të Beogradit. Para se të niste punën si profesor, në tetor 1959, mori rangun monastik në manastirin e Rakovices nga patriku serb German, me emrin Irinej. Vijoi më tej studimet pas-diplomës në Athinë. Më 1974 ishte mëkëmbës i patrikut serb, me titullin peshkop i Moravicës e, më 1975, peshkop i Niš, detyrë të cilën e kreu për 35 vjet me radhë.

Pas vdekjes së Patrikut Pavle, në nëntor 2009, më 22 janar 2010 Irinej  u zgjodh Patriku i dyzetepestë i Serbisë, kryepeshkop i Pec (seli e manastirit patriarkal) e metropolit i Beogradit dhe Karlovcit.

Më 28 gushtin e kaluar, kur mbushi 90 vjeç, mori urime nga krerët ortodoksë, ndërmjet të cilëve Patriku i Moskës Kirill, Patriku i Kostandinopojës Bartolomeu, Patriku i Rumanisë Daniel e edhe Papa Françesku.

Ndërsa tani në Serbi vijojnë të arrijnë mesazhe ngushëllimi e trishtimi, të  të bien kumbonët mënjanë e të ndizen qirinj për shpirtin e tij. Nuk është njoftuar akoma kur do të kremtohet funerali.

 

21 nëntor 2020, 10:46