Kërko

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XXXII të vitit liturgjik

Në të dielën e 32-të të vitit liturgjik, Ungjilli sipas Mateut, në kreun 25, na paraqet shëmbëlltyrën e 10 vajzave, që, secila me kandilin e vet, dalin për të pritur dhëndrrin. Mënyra e sjelljes së secilës prej tyre është tejet e ngjashme me mënyrën, me të cilën sillemi edhe ne, kur është fjala për punët e Zotit. Ai i Lumi na paralajmëron: “Rrini zgjuar, se nuk e dini as ditën e as orën!”

R.SH. - Vatikan

1 Në atë kohë, Jezusi u tregoi nxënësve të vet këtë shëmëbëlltyrë:

“Mbretëria e qiellit do t’u përngjajë dhjetë virgjërave, të cilat i morën dritëzat e veta e i dolën para dhëndrit. 2 Pesë prej tyre ishin marroqe e pesë të mençura. 3 Tashti, këto marroqet, morën me vete dritëzat, por nuk morën vajin. 4 Ndërsa ato të mençurat, morën me vete bashkë me dritëzat e veta edhe vaj në enë. 5 Pasi dhëndri u vonua, u kotën të gjitha dhe i zuri gjumi. 6 Rreth mesnatës u dha lajmi: ‘Ja, dhëndri! Dilni përpara!’ Atëherë të gjitha virgjërat u çuan dhe i rregulluan dritëzat e veta. 8 Atëherë marroqet u thanë të urtave: ‘Na jepni prej vajit tuaj se po na ndalen dritëzat.’ 9 Të mençurat u përgjigjën: ‘Assesi! Që të mos na mungojnë neve dhe juve, më mirë shkoni te tregtarët e bleni për vete!’ 10 Kur ato shkuan të blejnë, erdhi dhëndri e ato që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë dhe u mbyll dera. 11 Më vonë ia behën edhe virgjërat e tjera e thanë: ‘Zotëri, o zotëri, na e çel derën!’ 12 Por ai u përgjigji: ‘Përnjëmend po ju them: nuk ju njoh!’ 13 Prandaj: rrini zgjuar se nuk e dini ditën as orën!”

Të lutemi së bashku:

Nuk mjafton të përgatisim

të gjitha bagazhet e udhëtimit.

E s’mjafton as entuziazmi,

që ndoshta, s’na mungon.

Mbretëria e Qiellit kërkon besnikëri, vigjilencë,

sepse nuk e dimë kur do të jetë takimi vendimtar.

 

Energjia dhe vendosmëria e hapave të parë

nuk të çojnë aty ku duhet, nëse nuk jemi gati

të përballemi me lodhjen, hap pas hapi,

edhe kur është fjala

të shtrëngojmë dhëmbët e të ecim përpara.

Virtyt i rrallë, o Jezus, qëndrueshmëria,

e pra, është kaq e rëndësishme nëse duam

të mos kapemi të papërgatitur:

çështja meriton

gjithë vëmendjen tonë,

sepse në lojë është jeta e amshuar,

një begati, që na dhurohet

përgjithmonë.

 

Ja përse, nuk mund ta harrojmë

enën me vaj për kandilin:

vajin e fesë, që shndrit gjithçka

edhe natën,

vajin e shpresës, që s’të lë të biesh përtokë

në stuhitë plot rrufe e bubullima

vajin e dashurisë, që e ndez zemrën

ndërsa presim.

07 nëntor 2020, 08:09