Kërko

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së Krishtit Mbret

“O Zot, kur të pamë të uritur e të dhamë për të ngrënë?” Kjo pyetje e njerëzve të çuditur na përket edhe ne, ndërsa lexojmë kreun 25 të Ungjillit të sotëm sipas Mateut, në të dielën e vitit liturgjik A, që i kushtohet Krishtit, Mbret të Gjithësisë. Kur e shohim Zotin në të keq e ku e ndihmojmë atë të bartë kryqin? Përgjigjen na e jep Jezu Krishti në Ungjill

R.SH. - Vatikan

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Kur të vij Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshem. Atëherë para tij do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t’i ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve. Delet do t’i vërë në të djathtën e vet e cjeptë në të majtën. 
Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës! Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë.’ 
Të drejtët atëherë do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur e të dhamë të hash, të etshëm e të dhamë të pish? Kur të pamë shtegtar e të përbujtëm, të zhveshur e të veshëm? Ose kur të pamë të sëmurë ose në burg e erdhëm te ti?’ Mbreti do të përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua.’ 
Pastaj do t’u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtën: ‘Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur, të përgatitur për djallin e për engjëjt e tij! Sepse isha i uritur e nuk më dhatë të ha, isha i etshëm e nuk më dhatë të pi, isha shtegtar e nuk më përbujtët, isha i zhveshur e nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg e nuk erdhët tek unë.’ 
Atëherë edhe ata do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur, a të etshëm a shtegtar, a të zhveshur, apo të sëmurë, a në burg e nuk t’u gjetëm në nevojë?’ E ai do t’u përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado s’bëtë për njërin prej këtyre më të vegjëlve, nuk e bëtë për mua.’ 
Këta do të shkojnë në mundim të përjetshëm, kurse të drejtët në jetën e pasosur.” 

Të lutemi së bashku

Çka më bën gjithnjë përshtypje, o Krisht,

në Ungjillin e kësaj së diele,

është habia, çudia e të dyja palëve,

e atyre, që të dhanë të hash e të pish,

të pritën, u kujdesën e të vizituan

dhe e atyre, që as t’i hodhën sytë

e vazhduan rrugën për qejf të vet.

 

Të gjithë mbeten të mrekulluar,

sepse nuk besonin se edhe Ti

kishe nevojë për ndihmë.

 

Kur isha i vogël, më kanë mësuar,

se çdo gjë duhet bërë për Ty,

sepse kështu meritojmë Parrizin.

Por këtu, duket sikur kjo nuk vlen aspak,

sepse Ti nuk analizon arsyet, ndjetet, ndërgjegjen,

që na shtyn ta ndihmojmë të afërmin.

 

Për sytë e tu, çdo gjest mirësie

vlen, edhe sikur vetëm t’i ketë dhënë zemër dikujt,

të ketë mbështetur një burrë a një grua, një vëlla a një motër.

E kjo ka rëndësi:

jo fjalët e bukura,

jo vetëm besojma në kishë,

por çdo gjest, me të cilin dora jonë

dhuron bukë e ngushëllim,

strehë, veshje e ngrohtësi vëllazërore.

21 nëntor 2020, 08:30