Kërko

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës I të Kohës së Ardhjes 'B'

Filloi sot Koha e Ardhjes, koha e përgatitjes për Krishtlindje e, edhe viti liturgjik 'B'. Ungjilli sipas Markut, në kreun 13, na këshillon të rrimë zgjuar, se nuk e dimë kur vjen Zoti. Ashtu siç nuk e dinin orën e saktë as Mbretërit Dijetarë e as barinjtë, që u nisën me fe pas kometës, shenjë e Hyjit për t’i udhëhequr drejt lindjes së Birit të vet. Edhe ne të rrimë zgjuar që lindja e Foshnjës Hyjnore të mos na gjejë të papërgatitur, por edhe që në çdo ditë të jetës të jemi të denjë për amshimin. Të ndjekim Ungjillin…

R.SH. - Vatikan

Nga Ungjilli sipas Markut (Mk 13,33-37)

33 Rrini me kujdes! Rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur do të vijë ai çast. 34 Me të do të ndodhë, si me atë njeri që, duke u nisur për rrugë, e la shtëpinë e vet dhe ua la në kujdes shërbëtorëve: secilit ia caktoi punën e vet e dertarit i urdhëroi të rrijë zgjuar. 35 Prandaj: rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë: në mbrëmje a në mesnatë, kur këndojnë gjelat apo në mëngjes - 36 që, nëse vjen papritmas, të mos ju gjejë fjetur.

37 Çka po ju them juve, ua them të gjithëve: rrini zgjuar!

Të lutemi së bashku:

Ti o Zot, vazhdon të veprosh ndërmjet nesh,

por ne jemi udhëtarë të shkujdesur,

që tërhiqemi e mrekullohemi

pas cikërrimash të parëndësishme,

të cilat s’na lënë t’i shohim shenjat e pranisë tënde

të mirësisë e të mëshirës tënde.

Prandaj, Ti na shkund e na thua:

“Kini kujdes…”

 

Na kërkon të të dëshmojmë

me fjalë e me vepra,

me vendime të vështira e nganjëherë,

edhe tejet shqetësuese,

me kumtimin e Fjalës Tënde e me denoncimin

e çdo gjëje që nuk shkon, që nuk të pëlqen.

Por ne jemi si të fjetur,

zhytur në llogaritë tona të vogla.

Prandaj, na thua me forcë: “Ej, zgjohuni”.

 

Po o Zot, ky nuk është çast

për të ndenjur duarkyq

për të fjetur mbi dafina

e për të mbrojtur, secili, qëndrimin e vet.

Ti do të kthehesh një ditë në lavdi

e ajo do të jetë kohë vendimtare

për secilin prej nesh e për gjithë njerëzimin.

 

Ti vazhdon të vish për vizitë, çdo ditë,

e nuk mund t’ia lejojmë vetes

të kalojmë pranë Teje

pa t’i hedhur as sytë.

Është në lojë realizimi i jetës sonë,

jo lumturia e një çasti, por gjithë amshimi!

28 nëntor 2020, 08:59