Kërko

Vatican News
 Candele Candele 

Festa e Gjithë Shenjtorëve

Shenjti është ai që mahnitet nga bukuria e Zotit e nga vërtetësia e tij e përkryer aq, sa dalë-nga-dalë, shndërrohet plotësisht. Për këtë bukuri e vërtetësi, është gati të heqë dorë nga gjithçka, edhe nga vetvetja. I mjafton dashuria e Zotit, të cilën e provon në shërbimin e përvujtë e pa interes ndaj të afërmit.

R.SH. - Vatikan

Solemniteti i të Gjithë Shenjtorëve, qё kremtojmё mё 1 nёntor, na fton të gjithëve të ecim në rrugën e shenjtërisë. Kisha është ‘Nënë e Shenjtorëve’, dëshmitarë të një jete të ndritur, që mund ta jetojë çdo njeri. Prandja, sot i ftoi gjithë të krishterët t’i shkëpusin për disa çaste sytë nga punët e pafundme të kësaj bote, për t’i lartuar kah përmasa e Hyjit, përmasë amshimi e shenjtërie. Solemniteti i Gjithë Shenjtorëve është rasti më i mirë për këtë lartim. Të gjithë anëtarët e popullit të Zotit, janë të thirrur të bëhen shenjtorë.

Në Shenjtorët shohim fitoren e dashurisë mbi egoizmin e mbi vdekjen: shohim faktin që të ndjekësh Krishtin të çon në jetë, në jetën e amshuar, e të shkosh pas Krishtit i jep kuptim të sotmes dhe çdo çasti që kalon, sepse e përmbush me dashuri e shpresë. Shenjtorët janë ata që kanë guximin të lenë gjithçka, për t’u bërë ‘miq të Jezusit’. Janë pikërisht ata që na bëjnë të shikojmë se feja nuk është një grumbull ndalimesh, një seri ‘jo’-shë ose predikimesh të trishtuara moraliste.

Në të vërtetë, feja është rrugë e zgjedhur me vullnet të plotë e me gëzim: lihet diçka, sepse është gjetur diçka më e mirë e më e çmueshme. Shitet gjithçka, për të blerë një thesar me vlera të pakrahasueshme: e ky thesar është takimi me personin e Jezusit; është takimi i syve tonë njerëzorë me sytë plot dashuri të Krishtit Zot, që i hapin jetës njerëzore horizont të ri, që tregojnë rrugën vendimtare të shenjtërisë e të amshimit.

Shenjti është ai që mahnitet nga bukuria e Zotit e nga vërtetësia e tij e përkryer aq, sa dalë-nga-dalë, shndërrohet plotësisht. Për këtë bukuri e vërtetësi, është gati të heqë dorë nga gjithçka, edhe nga vetvetja. I mjafton dashuria e Zotit, të cilën e provon në shërbimin e përvujtë e pa interes ndaj të afërmit, posaçërisht ndaj atyre prej të cilëve nuk pret kurrfarë shpërblimi.

Të bëhesh shenjt në të vërtetë do të thotë të realizosh plotësisht atë që jemi, do të thotë bij të Zotit: në saje të vdekjes e të ngjalljes, Jezusi bëri shndërrimin më të madh që është vërejtur ndonjë herë, duke na krijuar mundësitë që, përmes hirit hyjnor, të marrim pjesë në vetë jetën e Zotit. “Nuk jam më unë që jetoj – thotë Shën Pali – por është Krishti që jeton në mua!”. Shenjtorët nuk mund ta mbajnë për vete gëzimin e madh të takimit me Zotin, por dëshirojnë t’ua transmetojnë edhe të tjerëve bukurinë e fesë: e këtë e bëjnë me përvujtëri e paqe, me mëshirë e vërtetësi e me atë forcë plot butësi, që buron nga bashkimi me Krishtin, duke dëshmuar kështu se kush beson, nuk është kurrë i vetëm

Sot është Festa e bashkimit, në të cilën takohen shenjtorë e mëkatarë, që i shtrëngojnë dorën njëri tjetrit, në shtegtimin e pambaruar nga jeta, në jetë. Është festa e asaj feje, në të cilën u pagëzuam, në të cilën besojmë: “Besoj në shoqërinë e shenjtorëve", domethënë besoj në Ungjillin që e dëgjojmë, në shoqërinë e të varfërve, të atyre që punojnë për paqen, shoqërinë e të mëshirshëmve, të të persekutuarve, besoj në forcën e atyre, që e kanë shpirtin pa njollë, në shoqërinë e zemërbutëve, të vetmit që mund t’ia ndryshojnë faqen kësaj toke, ku banojnë së bashku të gjallë e të shuar, me historitë e tyre të këputura nga vdekja, a ende në vijim.

Në karvanin e pafundmë të kësaj historie, shikojmë sot të mirët, të drejtët, të kulluarit, ata që vuajtën më shumë e që u prijnë të tjerëve, që i tërheqin pas vetes përpara e drejt qiellit. E shikojmë edhe gjithë udhën e jetës sonë. Kush e ka zemrën të kulluar, ai prin në këtë rrugë; kush qau më shumë, shikon më larg, kush pati mëshirë, i ndihmon ata që janë në udhëkryq të rinisen.

Sot nuk është festa e ndonjë shenjti, por e të gjithëve, Festa e lumit të rrëmbyer të jetës, që sjell me vete baltë e margaritarë, fundërrina e iskra ari. Në secilin shohim gjurmën e secilit; në secilin,  diçka nga Shën Françesku, nga Gandi, nga Shën Nënë Tereza, nga martirët tanë të Lumë, nga Edith Stein… Në bashkësinë e shenjtorëve gjejmë forcën, pastërtinë, sytë e kthjelltë të Marisë së Nazaretit, që na shikojnë e na mbrojnë.

Sot brenda kësaj kornize janë portretet e të gjithë shenjtorëve. Secili ka shenjtorët e vet, ashtu si ka të vdekurit, të cilët do të mund t’i takojë përsëri, duke i vizituar atje ku bëjnë gjumin e mbramë, në pritje të zgjimit. Shenjtorët janë miqtë tanë të vërtetë. E në listat e tyre mund të shkruhen të gjithë: të varfër e të pasur, të butë, të mëshirshëm, ankimtarë, të pakuptuar, me sy të pastër e të papastër, që nuk guxojnë ta shikojnë tjetrin në sy. E ka edhe shenjtëri lotësh të atyre që qanë shumë e që janë thesari, i cili mbush plot arkivet e pafundme të Zotit.

Kjo Festë Shenjtorëve është rast edhe për të shikuar drejt së ardhmes,  asaj dite të lume, kur do të mund t’i ngjasim Zotit. Sepse Shenjtorët i ngjasin Atij. Sot kujtojmë e kremtojmë të Gjithë Shenjtorët. Nesër do të lutemi e të meditojmë për një mori miqsh e  familjarësh të shuar, e edhe për vdekjen tonë, e të kërkojmë një bashkim edhe më të fortë se vdekja, bashkim me shenjtorët! Ky meditim, mes varreve ngarkuara me lule e qirinj të ndezur për shpirtrat e të shuemëve, do të na i terë lotët e do të na nxisë të shikojmë lart, në qiell, ku shpresojmë t’i takojmë përsëri një ditë, në Shoqërinë e Shenjtorëve.

01 nëntor 2020, 09:22