Kërko

Entuziami popullor pas zgjdhjes së Joe Biden Entuziami popullor pas zgjdhjes së Joe Biden 

Përshëndetja e ipeshkvijve të SHBA-ve: tani është koha e unitetit

Kryeipeshkvi Gomez përgëzon kandidatin demokratik, si fitues të zgjedhjeve: “Pas presidentit të ndjerë John F. Kennedy, është presidenti i dytë i SHBA-ve, që e deklaron haptazi fenë katolike”

R. SH. - Vatikan

Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të SHBA-ve, kryeipeshkvi i Los Angeles José H. Gomez, lëshoi këtë deklaratë mbi zgjedhjet  presidenciale që, sipas  njoftimeve fillestare të mediave amerikane,  duhet t’i ketë fituar kandidati demokratik Joe Biden:

“Falënderojmë Zotin për bekimin e lirisë. Populli amerikan shprehu vullnetin e tij në këto zgjedhje. Tani është çasti që liderët tanë të bashkohen me frymën e unitetit kombëtar e të jenë gati për të dialoguar e për t’u angazhuar për të mirën e përbashkët. Si katolikë amerikanë, përparësitë tona  dhe misioni ynë, janë të qarta. Jemi këtu për të ndjekur Jezu Krishtin, për të dëshmuar dashurinë e tij në jetët tona dhe për të ndërtuar mbretërinë e Tij mbi tokë.  Besoj se në këtë çast të historisë së SHBA.-ve, katolikët kanë një detyrë të veçantë: të punojnë për paqen, të nxisin vëllazërimin dhe besimin reciprok e të luten për një frymë të re patriotizmi në vendin tonë.

Demokracia kërkon për të gjithë ne të sillemi si njerëz të virtytshëm e të vetëdisiplinuar. Kërkon të respektojmë shprehjen e lirë të opinioneve  e ta trajtojmë njëri-tjetrin me dashuri, si njerëz të qytetëruar, edhe pse  mund të mos jemi fare njëmendjeje në diskutimet tona mbi çështjet e së drejtës e të politikës publike.

Me këtë frymë, pohojmë se Joe Biden i fitoi votat e duhura për t’u zgjedhur i 46-ti president i SHBA-ve. E përgëzojmë Zotin Biden dhe pohojmë se, pas John F. Kennedy-t, është presidenti  i dytë i SHBA-ve që e deklaron haptazi fenë katolike. Përgëzojmë edhe  senatoren e Kalifornisë, Kamala D. Harris, gruaja e parë në histori, që zgjidhet zëvendës-presidente.

I lutemi Zojës së Bekuar, Pajtore e këtij kombi të madh,  të ndërmjetësojë për ne. Na ndihmoftë  të punojmë të bashkuar për të realizuar  vizionin  e bukur të misionarëve dhe themeluesve të SHBA-ve: një komb pranë Zotit, ku mbrohet shenjtëria e çdo jete njerëzore e garantohet liria e ndërgjegjes dhe e fesë”.

08 nëntor 2020, 11:20