Kërko

Bazilika  e Zojës në Nicë Bazilika e Zojës në Nicë 

Nicë: në Meshën e Gjithë Shenjtorëve, kujtohen viktimat e atentatit

Dioqeza e qytetit francez kremton sot, në Bazilikën e Zojës së Bekuar, Meshën Shenjte për Solemnitetin e Gjithë Shenjtorëve. Gjatë kremtimit do të kujtohen edhe tre të vrarët në sulmin e 29 tetorit.

R. SH. - Vatikan

I kushtohet posaçërisht tri viktimave të atentatit gjakatar terrorist të së enjtes së kaluar në Bazilikën Notre-Dame di Nizza, Mesha për Solemnitetin e Gjithë Shenjtorëve, që do të kremtohet në orën 18.00, në të njëjtën kishë. Sipas një komunikate të dioqezës, do ta kryesojë  imzot André Marceau, në praninë e gjithë meshtarëve  të qytetit francez  si dhe atyre të famullisë së Zojës së Bekuar. Në kremtim, transmetuar drejtpërdrejt nga kanali televiziv katolik Kto, do të jenë të pranishëm vetëm besimtarët e famullisë. Nuk do marrin pjesë mediat, fotografët, gazetarët, për të respektuar, kështu,  normat kundër-Covid.  

Riti pendestar i pastrimit që, siç shpjegohet në komunikatë, kremtohet kur në një kishë kryhet ndonjë akt i shëmtuar, si vrasja, është i domosdoshëm për rifillimin e kremtimeve fetare në ndërtesën ku ndodh një ngjarje e tillë. Në kanalin e dioqezës së Nicës, botohet edhe lutja për viktimat dhe familjarët e tyre.

Hetimet vazhdojnë

Ndërkaq në Francë vazhdojnë hetimet, gjatë të cilave përfunduan në burg tre vetë, të dyshuar për lidhje me atentatorin, 21 vjeçarin tunizian, Brahim Aoussaoui. I  burgosuri i fundit, që u kap në shtëpinë e njërit nga të arrestuarit, është 33 vjeç. Hetimet vazhdojnë, për të sqaruar nëse pas vrasësit fshihen edhe terroristë të tjerë, ndonëse ai, aktualisht i shtruar në spitalin e Nicës,  pohon se ka vepruar i vetëm.

01 nëntor 2020, 10:27