Kërko

Në Tokën Shenjte hapet Koha e Ardhjes Në Tokën Shenjte hapet Koha e Ardhjes 

Në Tokën Shenjte hapet Koha e Ardhjes

Nesër, hyrja solemene e Atë Paton, Rojtar i Tokës Shenjte, në Betlehem, në prag të Kohës së Ardhjes. Ngjarje e madhe për gjithë të krishterët e qytetit, që është krejt i zbrazur nga frika e Covid-19.

R. SH. - Vatikan

Krishtlindje pa shtegtarë në Tokën Shenjte. Si asnjëherë! Covid-19 e ndaloi dyndjen e shtegtarëve në Tokën e Krishtit, gjë që nuk ka mundur ta bëjë as lufta. Betlehemi e Palestina jetojnë një çast të dhimbshëm. Krizës shëndetësore i shtohet kriza ekonomike, e lidhur ngushtë me mungesën e turizmit e të shtegtimeve, që janë jetë për këto vise. Betlehemi, i plagosur nga pushtimi izraelit, është bosh, pa vizitorë, me dyqanet e suvenireve  e të artikujve fetarë të mbyllur e me ekonominë  plotësisht të shkatërruar.

E tash që nisin kremtimet e Krishtlindjes, shqetësimi kryesor është të jetohet festa duke respektuar plotësisht rregullat dhe kufizimet e  detyruara. Prova gjenerale do të jetë nesër, 28 nëntor, me hyrjen  solemne në Betlehem, natën e Kohës së Ardhjes. Ky, shqetësimi kryesor i Atë Patton, Rojtar i Tokës Shenjte:

“Është gjithnjë hyrje solemne, me bashkësinë e Betlehemit. Do ta bëjmë një pjesë udhe në këmbë, për të arritur deri te Bazilika e Lindjes së Krishtit, për të përshëndetur autoritetet e për të nisur, pastaj, me solemnitet, kretimin e Kohës së Ardhjes. Do të ndezim, atëhere, qiriun e parë, duke e marrë flakën në Shpellën e Lindjes së Krishtit. E kjo është shumë  solemne për ne. Do të jetë edhe provë për Krishtlindjen, sepse nuk do të ketë shtegtarë. Por ndërkaq është bashkësia e krishterë vendase, famullia e Betlehemit, famulli mjaft e madhe për ne, me 5000 besimtarë latinë e, përveç tyre, do të jenë edhe të krishterët e kishave të tjera, sepse klima në Tokën Shenjte është mjaft ekumenike, në kuptimin që njerëzit, ndjehen të krishterë, para se anëtarë të një kishe tjetër. Të shohim çka do të mund të bëjmë, sepse në Izrael ka akoma kufizime lidhur me njerëzit që do të mund të marrin pjesë në kremtime. Pastaj duhet t’i ndihmojmë të ruhen e të mos ndodhë që dita e gëzimit të shndërrohet në ditë vaji! Më 4 e  5 dhjetor do të kemi edhe një çast tjetër, shumë të rëndësishëm. Do të jetë hyrja solemne e Patriarkut të ri, Imzot Pierbattista Pizzaballa në Jeruzalem, hera e parë e hyrjes së tij si Patriark i Varrit të Shenjtë. Është një ceremoni shumë e bukur, domethënëse. Partiarku pritet në vendin më të shenjtë të gjithë krishterimit e, të nesërmen, kremton Meshën në Bazilikën e Varrit të Shenjtë. Më pas, hyrja solemne në Betlehem, Natën e Krishtlindjes, më 24, e kremtimi i Meshës së Mesnatës në Kishën e Shën Katerinës. Prandaj thashë se kremtimi i nesërm do të jetë provë gjenerale për ditët festive që na presin!”.     

27 nëntor 2020, 14:11