Kërko

Vangelo della domenica, Cristo Pantocratore Vangelo della domenica, Cristo Pantocratore 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Jezu Krishtit Mbret! “A"

Ungjilli Mateut na kujton njё frazë vendimtare të Jezusit: “Me të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua”(Mt 25,40). Këta vëllezër më të vegjël, të zgjedhur prej Jezusit, janë i urituri e i sëmuri, i huaji e i burgosuri, i varfri e i braktisuri, i vuajturi, që s’ka krah ku të mbështetet. Nё fytyrat e tyre mund të përfytyrojmë të vulosur, fytyrën e Jezusit, mbi buzët e tyre, edhe pse të mbyllura nga dhimbja, fjalët e Tij: 'Ky është korpi im!'” (Mt 56 26,26).

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 34-të gjatë e të fundit gjatë vitit kishtar ciklit të parë, sipas kalendarit të liturgjik të kishës, të cilën të diele, Kisha ia kushton solemnitetit të Krishtit Mbret.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Krishtit Mbret! “A”

Ja pra, festa e Krishtit Mbret, apo e diela e fundit e këtij viti liturgjik 'A', është bartëse e mesazhit të shpresës për të gjithë ne që duam ta besojmë e ta jetojmë Fjalën e Zotit. Jezusi premton se do të vijë si mbret i lavdishëm, për të mbyllur e gjykuar historinë tonë, si dhe atë të botës mbarë, e për të hapur kalimin e mistershëm në jetën e amshuar në Hyjin. Pra, Krishti është mbret, që sundon me dashuri e shpresë, pa u imponuar, por duke respektuar lirinë e njeriut.

Kjo festë liturgjike, themeluar nga Papa Piu XI më 1925, e mbyll vitin kishtar me një vizion të Krishtit Mbret të gjithësisë . Në qendër të skenës së kësaj feste, Ungjilli nga Mateu na paraqet Krishtin, Alfa e Omega, ulur mbi fronin e vet të madhërishëm, si Zotërues i historisë e i mbarë njerëzimit. Ai gjykon me mëshirë e në të vërtetë, Ai i ndanë të mirët prej të këqijve si aktin e mbramë të mbretërisë së tij tokësore e si gjestin e parë të Mbretërisë së tij të lavdishme Hyjnore, që ofron falje e shpëtim. Një poet thoshte se “jeta kuptohet duke e shikuar mbarimin e saj”, ne duke parafrazuar mund të themi se: “domëthenia e historisë kuptohet duke mbajtur para sysh kulimin e saj”. Mbarimi është edhe caku i jetës.

Zotit nuk i duhen gjë format hipokrite të devocionit, në se nuk vihen në jetë urdhërimet e Tij. Kёtё na kujton solemniteti i Zotit tonë Jezu Krishtit, Mbret i universit, që kremtojmё kёtё tё diele tё fundit tё vitit kishtar. E vërteta mbi fatin tonë të mbram dhe mbi kriterin me të cilin do të vlerësohemi është mesazhi i Ungjillit të kёsaj sё diele tё 34-tё gjatё vitit kishtar dhe i asaj, që njihet si ‘shëmbëlltyra mahnitëse e gjyqit të fundit’.

Nё shëmbëlltyrën ungjillore tё gjyqit të mbram nga Mateu, Jezusi na kujton si mund tё njohim, pranojmё e duam Atё nё jetёn tonё tё pёrditshme: Pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha i huaj e më përbujtët …” (Mt 25,35) e kështu me radhë. Kush nuk e njeh tani këtë faqe? Është pjesë përbërëse e qytetërimit tonë. Gjurmët e saj - hierarkia e vlerave, institucionet, veprat e shumta të bamirësisë - duken qartë në historinë e popujve me kulturë të krishterë.

Ungjillin sipas Mateut na kujton njё frazë vendimtare të  Jezusit: “Me të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua”(Mt 25,40). Këta vëllezër më të vegjël, të zgjedhur prej Jezusit, janë i urituri e i sëmuri, i huaji e i burgosuri, i varfri e i braktisuri, i vuajturi, që s’ka krah ku të mbështetet e nevojtari i flakur pa shpresë në një skutë. Nё fytyrat e tyre mund të përfytyrojmë të vulosur,  fytyrën e Jezusit, mbi buzët e tyre, edhe pse të mbyllura nga dhimbja, fjalët e Tij: 'Ky është korpi im!'” (Mt 56 26,26). Duhet të mësohemi ta mundim indiferencën me duar punëtore, shtrirë kah të varfërit, kah korpi i plagosur i Zotit: në të varfërit, në ligështinë e tyre, ka një forcë të pamposhtur shëlbuese: ata janë pasaporta jonë për Parriz. 

Është detyrë ungjillore të kujdesemi për ta, që janë pasuria jonë e vërtetë, e ta bëjmë këtë jo vetëm duke u dhënë një kafshatë bukë, por edhe duke thyer me ta bukën e Fjalës sё Zotit, bukë që u përket më natyrshëm se askujt tjetër. T’i duash të varfërit do të thotë të luftosh kundër të gjitha varfërive, shpirtërore e materiale. Prandaj, nëse ka gjë që vlen me të vërtetë, është ta duash Zotin e të afërmin, sepse gjithçka tjetër kalon. Nëse secili mendon vetëm për interesat e veta, bota nuk mund të mos shkojë drejt shkatërrimit. Kёtё na kujton solemniteti Krishtit Mbret.

Po Mbretëria e Hyjit, siç thotё Jezusi, nuk është e kësaj bote, madje vetë Krishti nuk e pranoi titullin e mbretit në kuptimin politik të kësaj fjale, por kjo mbretëri realizon gjithçka të mirë që ekziston në zemrën e njeriut e në histori. Në se vemë në jetë dashurinë për të afërmin, sipas lajmit ungjillor, atëherë i hapim rrugën sundimit të Zotit e mbretëria e tij vjen mes nesh. Por në se secili mendon vetëm për interesat e veta, bota nuk mund të mos shkojë drejt shkatërrimit.

Mbretëria e Hyjit nuk ka të bëjë me nderime e salltanete por, siç shkruan Shën Pali, është drejtësi, paqe e gëzim në Shpirtin Shenjt. Një mësim i fortë ky qё na kujton se Zoti e ka shumë për zemër të mirën tonë, prandaj, dëshiron që çdo njeri të ketë jetë e, posaçërisht, që më të vegjëlit të ulen të parët në sofrën, të cilën Ai e shtron për të gjithë. Prandaj nuk di ç’ të bëjë me hipokrizinë e atyre që thonë: “Zot, o Zot” e pastaj nuk i zbatojnë urdhërimet (cfr Mt 7,21). Hyji i pranon në Mbretërinë e tij të amshuar ata që përpiqen ditë për ditë ta venë në jetë fjalën e Tij.

 Je ti, o Zot, shpëtimi jonë. I lartuar mbi drurin e Kryqit, Biri i Zotit, Jezu Krishti Shpëtimtar sundon, shëlbon gjithësinë dhe çdo njeri. Çdo herë që bëjmë shenjën e kryqit, ne rrëfejmë se prej Krishtit na ka dhënë të gjithëve jeta e amshuar duke na mundësuar pjesëmarrjen në Mbretërinë e Tij Hyjnore.

                                                       Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë (Ez 34, 11-12. 15-17) 
Ju jeni grigja ime: Unë do të ndaj drejtësi ndërmjet deles e deles. 

Lexim prej Librit të Ezekielit profet
Kështu thotë Zoti Hyj: “Ja, unë vetë do t’i kërkoj delet e mia e do të kujdesem për to. Sikurse bariu që kujdeset për grigjën e vet kur gjendet mes deleve të veta të shpërndara, po ashtu edhe unë do të përkujdesem për delet e mia. Unë do t’i bashkoj nga çdo vend ku kanë qenë shpërndarë ditën e thellimit e të territ. Unë vetë do t’i mballoj delet e mia, unë vetë do t’i mrizoj – thotë Zoti Hyj. Të treturën do ta kërkoj, të ndarën do ta kthej, të thyerën do ta shërojë e mbështjellë, të ligështuarën do ta kërthndez, të majmen e të fortën do ta ruajë: do t’i kullosë me drejtësi. 
Kurse ty, o grigja ime, kështu thotë Zoti Hyj: Unë do të gjykojë me drejtësi ndërmjet deles e deles, ndërmjet deshve e cjepve.” Fjala e Zotit!

Psalmi 23 (22)
Ref: Hiri dhe mirësia jote do të më përcjellin, o Zot.

_____________________________

Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon
Nëpër fusha të gjelbra Ai më jep pushim,
më prin në ujëra të qeta, 
shpirtin ma përtërin.
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.
_____________________________
Po edhe në kalofsha nëpër luginën 
e hijes së vdekjes, 
s’trembem nga e keqja 
sepse ti je me mua: 
thupra jote dhe kërraba
për mua janë ngushëllim.
_____________________________
Ti ma shtron tryezën përpara
Ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kryet ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.
_____________________________
Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit
derisa të jem gjallë.
_____________________________

Leximi i dytë (1 Kor 15, 20-26. 28) 
Biri do t’ia nënshtrojë mbretërinë Atit, që Hyji të jetë gjithçka në të gjithë. 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Korintasve.
Vëllezër, Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është fryti i parë i të vdekurve! 
Kështu, pra, nëpër një njeri erdhi vdekja, përsëri nëpër një njeri vjen ngjallja prej së vdekuri. Dhe, sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën. Veçse, secili sipas radhës së vet: një herë fryti i parë, Krishti; pastaj, në ditën e gjyqit, ata që i përkasin Krishtit, pastaj mbarimi, kur Krishti t’ia dorëzojë mbretërinë Hyjit Atë, pasi të ketë asgjësuar çdo parësi, çdo pushtet e çdo fuqi. Sepse Atij i takon të mbretërojë derisa t’i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij. Armiku i fundit që do të asgjësohet, do të jetë vdekja. E kur t’ia ketë nënshtruar të gjitha, edhe vetë Biri do t’i nënshtrohet Atij që ia nënshtroi të gjitha, që Hyji të jetë gjithçka në të gjithë. Fjala e Zotit! 

V Ungjilli (Mt 25, 31-46)
Do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshëm e do t’i ndajë njërin prej të tjetrit. 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Kur të vij Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshem. Atëherë para tij do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t’i ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve. Delet do t’i vërë në të djathtën e vet e cjeptë në të majtën. 
Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës! Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë.’ 
Të drejtët atëherë do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur e të dhamë të hash, të etshëm e të dhamë të pish? Kur të pamë shtegtar e të përbujtëm, të zhveshur e të veshëm? Ose kur të pamë të sëmurë ose në burg e erdhëm te ti?’ Mbreti do të përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua.’ 
Pastaj do t’u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtën: ‘Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur, të përgatitur për djallin e për engjëjt e tij! Sepse isha i uritur e nuk më dhatë të ha, isha i etshëm e nuk më dhatë të pi, isha shtegtar e nuk më përbujtët, isha i zhveshur e nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg e nuk erdhët tek unë.’ 
Atëherë edhe ata do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur, a të etshëm a shtegtar, a të zhveshur, apo të sëmurë, ja në burg e nuk t’u gjetëm në nevojë?’ E ai do t’u përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado s’bëtë për njërin prej këtyre më të vegjëlve, nuk e bëtë për mua.’ 
Këta do të shkojnë në mundim të përjetshëm, kurse të drejtët në jetën e pasosur.” Fjala e Zotit!

21 nëntor 2020, 09:56