Kërko

 Vangelo XXXII Domenica Vangelo XXXII Domenica 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 32-të gjatë vitit kishtar “A”

Shëmbëlltyra që shën Mateu na paraqet në Ungjillin e kësaj së diele na thërret të jemi vigjilentë, të kujdesshëm, të zgjuar e të përgatitur për takimin tonë përfundimtar e vendimtar me Krishtin Zot e Shpëtimtar. Shëmbëlltyra ungjillore na flet mbi domosdoshmërinë e të ndenjurit zgjuar për të qenë të gatshëm për çastin përfundimtar, kur Zoti na thërret.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, së kësaj radhe, meditojmë leximet biblike të liturgjisë së dielës së 32-të, gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendari liturgjik.

Liturgjia e Fjalës e dielës së 32-të gjatë vitit kishtar “A”

Po i afrohemi përfundimit të ketij viti liturgjik e Kisha na fton ta drejtojmë vështrimin përpara, drejt realiteteve dhe të vërtetave të mbramë të jetës. Pali apostull në Letrën drejtuar Tesalonikasëve ( 4,13-18), Leximi II, shpjegon se cili duhet të jetë qëndrimi i të krishterit para vdekjes, e Jezusi, në Ungjill (Mt 25,1-13), thotë se si duhet jetuar në pritje të saj: “rrini zgjuar se nuk e dini ditën as orën!”.

Kështu, Ungjilli i kësaj së diele (Mateu 25, 1 -13), me shëmbëlltyrën e dhjetë virgjërave, të cilën na e tregon Jezusi, e përshkruan jetën e njeriut si një pritje, si kohë vigjilente, si ecje drejt takimit me Zotin. Me ngjarjen kureshtare të dhjetë vajzave, pesë të mençura, e pesë marroqe, Jezusi na nxit të jemi të urtë. Shëmbëlltyra e dhjetë vajzave na fton të jetojmë me urti, të jemi të vëmendshëm, të jemi vigjilentë e të gatshëm kurdoherë për takimin tonë përfundimtar me Zotin që vjen.

“Rrini zgjuar, prandaj, sepse nuk e dini as ditën, as orën”. Në fragmentin përfundimtar të rrëfimit ungjillor të shёmbёlltyrёs sё  dhjetë virgjërave, nga Mateu, Jezusi na kujton se të vigjilosh nuk do të thotë vetëm të mos flesh. Do të thotë kryesisht të jesh gati! I përgatitur. Prandaj, për takimin tonё me Zotin duhet të përgatitemi e tё jemi gati, si të ishte sot dita e mbrame! 

Kushti për të qenë gati në pritje të takimit me Zotin nuk është vetëm feja, por e gjithë jeta e krishterë, e pasur me dashuri e bamirësi ndaj të afërmit. Pram duhet fe e bamirësi, që të jemi gati për takimin me Zotin. Nëse na pëlqen të udhëhiqemi nga ajo, që na duket e rehatshme, nga kërkimi i interesave tona, jeta jonë bëhet e shterpët, e paaftë për t’u dhënë jetë edhe të tjerëve. E nuk grumbullojmë asnjë pikë vaji për llambën e fesë sonë. Llamba do të na shuhet në dorë, pikërisht kur të mbërrijë Zoti, ose edhe më parë akoma. Llamba është simbol i fesë, që e ndriçon jetën tonë.  Vaji, simbol i bamirësisë, që e ushqen, e bën të frytshme e të besueshme  dritën e fesë. Jetës pa bamirësi, i mungon drita e vërtetë.

Nëse duam të hyjmë në Mbretërinë e qiellit, duhet të jemi gati për takimin me Zotin. E nuk mjafton jeta e jetuar me fe, po tё na mungojë bamirësia. Kёtё nёnvizon shëmbëlltyra ungjillore e dhjetë virgjërave nga Ungjilli Mateut. E nuk duhet të presim çastin e fundit të jetës, për të bashkëpunuar me hirin e Zotit. “Duhet ta bëjmë këtë që  tani.

Prandaj, urti e vërtetë është të përfitosh nga jeta e vdekshme për të bërë vepra bamirësie, vepra të mëshirshme, pasi që, pas vdekjes, kjo nuk është më e mundshme të bëhet. Kështu na paralajmëron shёmbёlltyra ungjillore e dhjetё virgjërave. Kur do të zgjohemi për gjyqin e mbramë, kjo do të ndodhë mbi bazën e dashurisë së zbatuar në jetën tokësore, na kujton Jezusi pёrmes “imazhit tё bukur”, në pjesën Ungjillore të liturgjisë së dielës së 32-të gjatë vitit kishtar, të dhjetë virgjërave, vasha nderi të ftuara në festën e një dasme, mirëpo, pesë pre tyre përjashtohen sepse kishin mbetur pa vajin që shërbente për ti mbajtur të ndezura llambat e tyre nё çastin e ardhjes sё dhёndёrrit.

Vashat marroqe, na kujton shën Agostini, “nuk kanë marrë me vete vajin që në tregimin ungjillor është simbol i dashurisë, që nuk mund të blihet por merret si dhuratë, ruhet në thellësi e zbatohet në vepra”. Për shën Agostini, “kjo dashuri është dhuratë e Krishtit, e derdhur apo më mirë të themi e zbrazur në ne nga Shpirti Shenjt Hyj. Kush beson në Zotin-Dashuri bartë në vete urtinë e pamposhtshme, si një llambë drite me të cilën përshkohet nata përtej vdekjes, e arrihet në festën e madhe të jetës.

Nëse jemi vigjilentë e kërkojmë të bëjmë vetëm mirë, me gjeste dashurie, ndarjeje të përbashkët, shërbimi ndaj të afërmit në vështirësi, mund ta presim qetësisht ardhjen e Dhëndërrit; Zoti mund të vijë kur të dojë e gjumi i rëndë i vdekjes nuk do të na tmerrojë me terrinat e veta, sepse e kemi gati rezervën e vajit, që e siguruam me veprat e mira, të bëra ditë për ditë. Feja e frymëzon bamirësinë e bamirësia e ruan fenë. Nga Zoti do të gjykohemi mbi dashurinë që kemi mishëruar konkretisht në jetën e përditshme.  Prandaj, na mësojmë shëmbëlltyra e Ungjillit tё kёsaj sё diele se të urtë janë ata dishepuj të Jezusit që, duke e pritur ardhjen e tij, e cila mund të vonojë, madje shumë, nuk dremisin, rrinë zgjuar, të gatshëm, në shërbim të Zotit e tё afёrmit, me dritëzat ndezur.

                                                      Liturgjia e Fjalës së Zotit

     Leximi i parë   Urt 6,12-16

Lexim prej Librit të Urtisë

Urtia është ndritëse e kurrë nuk errësohet, dhe ata që e duan e shohin lehtë, ajo gjendet prej atyre që e kërkojnë. U del para atyre që e dëshirojnë që të bëhet e njohur prej tyre.  Kush ngrihet heret për ta kërkuar s’do të lodhet: do ta gjejë ndenjur para derës së vet. Sepse, edhe vetëm ta dëshirosh atë është përsosje mençurie, kush për atë rri zgjuar, shpejt do të jetë i sigurt. Ajo vetë endet andej-këndej për t’i kërkuar ata që janë të denjë për të, udhës u dëftohet me kënaqësi e në të gjitha mendimet e tyre vetë u vjen e para në takim. Fjala e Zotit.

Psalmi   63

Ref: Shpirti im ka etje për ty, o Zot

——————————————

O Hyj, Hyji im je ti,

qysh në agim të kërkoj.

Ka etje për ty shpirti im,

ty të dëshiron trupi im,

tokë e shkretë, e thatë, e paujë.

——————————————

Kështu erdha në Shenjtëroren tënde

për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.

Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta:

buzët e mia do të të lavdërojnë.

——————————————

Kështu do të të bekoj në jetën time,

e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,

do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme,

me buzë të hareshme do të lavdërojë goja ime.

——————————————

Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim,

në përgim natën do të mendoj për ty,

sepse ti je bërë ndihma ime,

prandaj do të brohoris nën hijen e krahëve të tu!

——————————————

 

Lexim i ditë 1 Sel 4, 13-18

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

Nuk duam, o vëllezër, t’ju lëmë në padijeni lidhur me ata që vdiqën, që të mos trishtoheni porsi të tjerët që nuk kanë shpresë. E njëmend, nëse besojmë se Jezusi vdiq dhe u ngjall, atëherë Hyji patjetër edhe ata që vdiqën, nëpër Jezusin dhe bashkë me Jezusin, do t’i marrë në lumturi.  Këtë po ju themi të themeluar në fjalën e Zotit: ne që jemi gjallë, që do të ndodhim gjallë në ditën e ardhjes së Zotit, nuk kemi për të qenë para atyre që kanë vdekur. Sepse vetë Zoti – kur të jepet urdhri, në zë të kryeengjëllit, në zë të borisë së Hyjit – do të zbresë nga qielli e më së pari do të ngjallen të vdekurit në Krishtin, dhe vetëm atëherë, ne që do të jemi ende në jetë, bashkë me ta kemi për të qenë marrë në re, në takim me Zotin, në ajër. Kështu do të jemi gjithmonë me Zotin. Pra, ngushëlloni njëri tjetrin me këto fjalë! Fjala e Zotit.

Aleluja Qëndro besnik deri në vdekje, thotë Zoti, dhe do ta jap kurorën e jetës. Aleluja

Ungjilli   Mt 25, 1-13

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tregoi nxënësve të vet këtë shëmbëlltyrë: “Atëherë Mbretëria e qiellit do t’u përngjajë dhjetë virgjërave, të cilat i morën dritëzat e veta dhe i dolën para dhëndrit. Pesë prej tyre ishin marroqe e pesë të mençura. Tashti, këto marroqet morën me vete dritëzat, por nuk morën vajin. Ndërsa ato të mençurat morën me vete bashkë me dritëzat e veta edhe vaj në enë. Pasi dhëndri u vonua, u kotën të gjitha dhe i zuri gjumi. Rreth mesnatës u dha lajmi: ‘Ja, dhëndri! Dilni përpara!’ Atëherë të gjitha virgjërat u çuan dhe i rregulluan dritëzat e veta. Atëherë marroqet u thanë të urtave: ‘Na jepni prej vajit tuaj se po na ndalen dritëzat.’ Të mençurat u përgjigjën: ‘Assesi! Që të mos na mungojnë neve dhe juve, më mirë shkoni te tregtarët e bleni për vete!’  Kur ato shkuan të blejnë, erdhi dhëndri e ato që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë dhe u mbyll dera. Më vonë ia behën edhe virgjërat tjera e thanë: ‘Zotëri, o zotëri, na e çel derën!’ Por ai u përgjigj: ‘Përnjëmend po ju them: nuk ju njoh!’ Prandaj: rrini zgjuar se nuk e dini ditën as orën!” Fjala e Zotit.

07 nëntor 2020, 11:51