Kërko

2020.11.11 Il cardinale Orani João Tempesta inaugura e benedice l'albero di Natale e il presepe nella chiesa della Madonna della "Glória do Outeiro", a Glória, Rio de Janeiro 2020.11.11 Il cardinale Orani João Tempesta inaugura e benedice l'albero di Natale e il presepe nella chiesa della Madonna della "Glória do Outeiro", a Glória, Rio de Janeiro 

Koha e Ardhjes na shpie në takim me Jezusin

Me të dielën e parë të kohës kishtare të Ardhjes, fillojmë përgatitjen shpirtërore për kremtimin e Krishtlindjes, pёr tё pritur Zotin që i përshkon udhët tona njerëzore dhe vjen vazhdimisht e pambarimisht në historinë tonë. Edhe udha e shëlbimit është e gjatë, e vështirë, e shpesh herë Zoti na duket se heshtë, por “unë – sikur këndon poeti indian Tagore – “ do ta mbush zemrën me heshtje të tij hyjnore. I qetë do të presë, porsi nata në vigjilje të saj plotë yje, me kokë ulur e durim”.

R.SH. - Vatikan

Me të dielën e parë të kohës kishtare të Ardhjes, fillojmë përgatitjen tonë shpirtërore për kremtimin e Krishtlindjes, nisim përgatitjen pёr tё pritur Zotin që i përshkon udhët tona njerëzore dhe vjen vazhdimisht e pambarimisht në historinë tonë, duke kërkuar një zemër të gatshme për të banuar, për t’u mishëruar e për të realizuar veprën e shëlbimit.

Nё kёtё periudhё Kisha na kujton se koha liturgjike e Ardhjes, qё paparin e pёrgatit lindjen e Jezu Krishtit, është për çdonjërin rast i volitshëm për të ripërtërirë në zemrën e vet dëshirën për ta takuar Zotin që vjen për të na ofruar shpëtimin e amshuar. Kёshtu, në këtë kohë të Ardhjes, të pritjes së ardhjes së Zotit e të përgatitjes për t’u takuar me Të.  Pra, së bashku tё ecim drejt Krishtlindjes. 

Të jetosh kohën kishtare të Ardhjes, domethënë të presësh Zotin që vjen. E pritja është kuptimi i vërtetë i historisë sonë personale, i lutjes personale, i shpresës personale të çdo njeriu. Pritja është sjellja themelore dhe qenësore e njeriut mbi këtë tokë, paqëndrueshmëria dhe vuajtja janë shtëpia e tij.

Ne i kalojmë ditët tona përherë të prirur drejt së ardhmes, me shpresë se do të përmirësohemi, se do të arrijmë diçka më të mirë. Por, të krishterët, duhet të presin diçka më tepër: atë “buzëqeshje ndriçuese të Jezusit”, që është caku i fundit i historisë që tani është “përplot me paqëndrueshmëri e vuajtje”. Mirëpo – siç shkruan shën Pali Apostull në Letrën e tij drejtuar Romakëve – “njeriu me afsh e pret dëftimin e bijve të Hyjit...., lirimin prej robërimit e shndërrimit për të hyrë e pasur pjesë në lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit”. Edhe udha e shëlbimit është e gjatë, e vështirë, e shpesh herë Zoti na duket se heshtë, por “unë – sikur këndon poeti indian Tagore – “ do ta mbush zemrën me heshtje të tij hyjnore. I qetë do të presë, porsi nata në vigjilje të saj plotë yje, me kokë ulur e durim”.

Kështu Koha liturgjike e Ardhjes është kohë e thirrjes nga ana e Jezusit Zot e Shpëtimtar. Ai na fton të shkojmë ta shohim, ta takojmë. Së pari, ne duhet të shohim Krishtin - njeri. Duhet ta njohim si qenie konkrete njerëzore, hebre, mësues, profet. Ta takojmë si foshnjën e Marisë, si birin e marangozit, si nazaretasin. Më pas, pasi sytë tanë të hapen dhe zemrat të pastrohen, do të shohim “gjëra më të mëdha”.

Ne do ta njohim jo thjesht si një mësues, por si Mësuesin, jo thjesht si një profet, por si Profetin, jo thjesht si një bir njeriu, por si Birin e njeriut, të parafolur nga profetët. Do ta shohim jo thjesht si një bir i Hyjit, por si Birin e Hyjit, i Lindur prej Atit para të gjithë shekujve. Ne do ta shohim si Fjalë e Zotit në trup njerëzor, si Ikonë e Hyjit në formë njerëzore. Dhe së fundi, do ta shohim Atë si vetë Hyjin.

Hapi i parë në udhëtimin drejt Krishtlindjes është takimi me njeriun Jezus. Nëse dëshirojmë vertet të shkojmë, me siguri edhe do të shohim. Ashtu si Filipi e Natanaeli, që në Ungjillin e Shën Gjonit, shkojnë për të parë nëse mund të vinte gjë e mirë nga Nazareti, edhe ne, sipas premtimit të Krishtit, do të shohim “gjëra më të mëdha” nga sa presim. Do ta njohim se kush dhe çfarë është Ai në të vërtetë. Së pari duhet të shkojmë. Nëse nuk shkojmë, nëse nuk nisemi udhës, që na çon në Betlehem, nuk do ta shohim kurrë Hyjin e Mishëruar për shpëtimin tonë. Nëse nuk nisemi e shkojmë, nuk do të shohim kurrë. Por nuk mjafton vetëm të shkojmë te Krishti. Ne duhet ta shohim me të vërtetë. Shumë njerëz e panë Krishtin kur erdhi në tokë e mori natyrën tonë njerëzore, por jo të gjithë e panë Atë si Birin e Hyjit dhe Shpëtimtarin e botës.

Gjatë ditëve të Ardhjes, para Krishtlindjes, Kisha na ndihmon t’ia përgatisim vendin në zemrat tona Zotit, që vjen në kohë, në histori e në natyrën tonë njerëzore.

28 nëntor 2020, 12:47