Kërko

Vatican News
Martiri Vietnamiti Martiri Vietnamiti  (Missions étrangères de Paris)

Kalendari 24 nëntorit kujton Shën Andreun Dung-Lak dhe martirët e Vietnamit

Së bashku me Andreun Dung-Lak kujtohen edhe 116 martirë të tjerë vietnamezë, që e dëshmuan besnikërinë e tyre ndaj Krishtit gjatë historisë së ungjillëzimit të Vietnamit. Fara e hedhur në vitin 1617 në Tonkin nga Atë Aleksandër de Rodes, dha fryte të begata. Andreu u shpall i Lum nga papa Leoni XIII.

R.SH. - Vatikan

Me 24 nëntor kalendari kishtar përkujton Shën Andreun Dung-Lak dhe martirët e Vietnamit. Andreu Dung-Lak lindi në Vietnam, në vitin 1795, nga prindër paganë. Duke qenë tepër e varfër, familja ia shiti një kateksiti të krishterë, që e mbajti pranë në misionin e Vinh-Tri, ku e pagëzoi dhe e shkolloi. Si u bë edhe ai katekist, vendosi të fillojë studimet teologjike dhe, më 15 mars të vitit 1823 u shugurua meshtar.

U caktua famullitar në zona të ndryshme. Ndonëse në vend kishte shpërthyer persekutimi më i egër antikristian, ai e vijoi misionin e vet, duke vënë në rrezik edhe jetën. Gjatë sundimit të mbretit Minh-Mahn, u burgos disa herë për shkak të fesë. Por sa herë burgosej, të krishterët e lironin nga burgu, duke paguar shumën e caktuar për këtë qellim. E kjo nuk ishte aspak e lehtë, në një kohë kur ai që fshihte një të krishterë, dënohej me vdekje.

Më 10 nëntor 1839 Andreu u arrestua në Ké-Song e më vonë u lirua, pas pagesës së zakonshme. Ndërsa kapërcente lumin me varkë, u arrestua nga sekretari i prefektit, i cili e njohu. Më 16 nëntor 1839 u mbyll në qelitë e tmerrshme të burgut në Hanoi, ku iu nënshtrua një hetuesie të gjatë e të mundimshme. I ftuar të mohojë fenë e të shkelë Kryqin, u përgjigj se ishte gati të vdiste, por jo të mohonte. E dënuan me prerjen e kokës. Dënimi u zbatua më 21 nëntor 1839.

Së bashku me Andreun kujtohen edhe 116 martirë të tjerë vietnamezë, që e dëshmuan besnikërinë e tyre ndaj Krishtit gjatë historisë së ungjillëzimit të vendit. Fara e hedhur në vitin 1617 në Tonkin nga Atë Aleksandër de Rodes, dha fryte të begata. Andreu u shpall i Lum nga papa Leoni XIII.

Kryqi, simboli i Krishtit, arriti në Vietnam në shekullin e 16-të përmes veprimtarisë së misionarëve. Kështu rrënjët e Kishës u mbollën edhe në këtë skaj të Azisë, asokohe të ndarë në tri zona: Tonkin, Anam e Koçinçina. Bashkë me Kishën nisi edhe martirizimi i saj në shekuj, deri në atë shkallë, sa atë që kapte një misionar, qeveria e shpërblente me 300 para argjendi, ndërsa rregulltarët e arrestuar mbyteshin e flakeshin në lumë, pasi t’u ishte prerë koka. E shkalla e mizorisë kishte deri hierarkinë e vet: priftërinjtë vietnamezë priteshin në fyt, katekistët vuloseshin në faqe me vulën “fe e rreme”, besimtarët mund të shpëtonin vetëm në se e shkelnin me këmbë Kryqin në prani të një gjykatësi.

Kështu u hodh fara e të krishterëve vietnamezë, që u vadit me gjakun e martirëve: Papa Leoni XIII që para vitit 1900, shpalli të lum 70 martirët e parë vietnamezë; 20 të tjerë u shpallën të lum nën papninë e Shën Piut X; 25 tjerë nën papninë e Piut XII. Ndërsa grupi i 117 martirëve, që u përkujtohen më 24 nëntor, u ngrit në nderime të elterit nga Papa Gjon Pali II. U prin Andrea Dung Lac, një nga meshtarët e parë vendas që lulëzuan në Vietnam. Pas shumë arrestimesh e lirimesh, me pagesën e të krishterëve, martirit iu pre koka në vitin 1839. Kulti i tij është nga më të përhapurit në vend, por edhe historitë e martirëve të tjerë, ndërmjet të cilëve 8 ipeshkvij, flasin për besnikëri të patundshme deri në goditjen e fundit të xhelatit. E ky është edhe mesazhi i tyre për njerëzit e kohëve tona!

24 nëntor 2020, 10:21