Kërko

Kardinali Hollerich Kardinali Hollerich

Hollerich, në takimin BE-bashkësi fetare: respekti për dinjitetin njerëzor të kthehet në masa politike

Në takimin online të Bashkimit Evropian me Kishat e kontinentit të vjetër, kardinali Hollerich, kryetar i Comece-s, kujtoi impenjimin e politikës për të mirën e përbashkët, në respekt të dinjitetit të njeriut. E kemi për detyrë t’i shpëtojmë jetët e njerëzve në det, theksoi ai.

R.SH. - Vatikan

Një nga shtyllat e Bashkimit Evropian “është respekti absolut për dinjitetin e çdo njeriu. Ai duhet shndërruar në masa politike”. Këtë nënvizoi kryetari i Komisionit të Episkopateve të Bashkimit Evropian (Comece), kryeipeshkvi i Luksemburgut, kardinali Jean-Claude Hollerich, në videokonferencën e këtyre ditëve ndërmjet Brukselit dhe bashkësive fetare të kontinentit. Takimi, që parashikohet nga Traktatet evropiane, u zhvillua më 27 nëntorin e kaluar, online, për shkak të koronavirusit.

Ndër të tjera, kardinali Hollerich kujtoi impenjimin “për të mirën e përbashkët”, si në Bashkimin Evropian, ashtu edhe në mbarë botën. Për këtë, ai vuri theksin mbi lidhjen e ngushtë ndërmjet Evropës dhe Afrikës dhe theksoi “detyrën për të shpëtuar jetën e njerëzve në det”, të migrantëve e refugjatëve në barkat e shpresës, përndryshe “Evropa do ta bjerrë shpirtin e saj në Mesdhe”.

El Yazidi: “terrorizmi synon të na ndajë”

 “Ishte takim konstruktiv, me dialog të hapur”, komentoi pas takimit online Heinrich Bedford-Strohm, përfaqësuesi i Kishës Ungjillore në Gjermani. Në të u reflektua mbi pandeminë, pasojat e saj e vështirësitë, që po kalojnë shumë njerëz e familje. Në videokonferencë ishin të pranishëm tetë eksponentë fetarë nga bashkësitë e ndryshme të krishtera, nga bashkësitë hebraike e ato myslimane, si edhe zv.presidenti i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas.

Abdassamad El Yazidi, sekretar i përgjithshëm i Këshillit Qendror të Myslimanëve, në Gjermani, nga ana e tij, deklaroi: “Takimi ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare dhe Bashkimit Evropian është gjithmonë pozitiv”. Pastaj, një reflektim mbi pandeminë, që po vë në dukje ç’është në gjendje të bëjë njerëzimi, në të mirë e në të keq. El Yazidi nguli këmbë t’u jepet mbështetje dhe shpresë brezave të rinj. E së fundi, shqetësimi për sulmet kundër bashkësive fetare, që kohët e fundit po shtohen pak si tepër në Evropë. “Duan të na ndajnë - pohoi lideri mysliman - por ne duhet të tregojmë më shumë unitet dhe respekt për njëri-tjetrin”.

30 nëntor 2020, 16:05