Kërko

Vatican News
Kardinali Hollerich në Schengen Kardinali Hollerich në Schengen 

Evropa e sulmuar. Kardinali Hollerich(COMECE): “Vëllazërimi, kjo përgjigjja që i japim terrorizmit”

Intervistë me kardinalin Jean-Claude Hollerich, kryeipeshkëv i Luksemburgut e kryetar i Komisionit të Episkopateve të Bashkimit Evropian (Comece), kushtuar gjakut të derdhur këto ditë në viset evropiane. “Nëse objektivi i terroristëve është të na ndajë, ne, Vendet e Bashkimit Evropian, por edhe të krishterët, ateistët, agnosticistët, myslimanët, hebrenjtë, të gjithë duhet të përgjigjemi me një “jo” të njëzëshme. Duhet të themi vendosmërisht se nuk do të lejojmë kurrë që në shpirtin tonë të fitojë urrejtja. E se, përkundrazi, duam t’i jetojmë vlerat, që e bënë të mundur projektin evropian. Duam ta jetojmë vëllazërimin, për të cilin foli e flet Papa Françesku. Nuk do të heqim kurrë dorë nga rruga e vëllazërimit!

R. SH. - Vatikan

“Është sulm kundër Evropës, i kryer nga një grup terroristësh. Grup i vogël, por i rrezikshëm. Objektivi i tyre ishte e është ta copëtojnë Evropën, të fuqizojnë forcat e së djathtës ekstreme e populiste, forca që nxisin përçarjen, duke u larguar gjithnjë më shumë nga vlerat, mbi të cilat u themelua. I ftuar për një bisedë telefonike nga agjencia Sir, Kardinali Jean-Claude Hollerich, kryeipeshkëv i Luksemburgut dhe kryetar i Komisionit të Episkopateve të Bashkimit Evropian (Comece), komenton   sulmin e terrorizmit, që i hapi plagë të reja Evropës. Që nga  prerja e kokës së profesorit të historisë Samuel Paty, tek goditja e të riut ekstremist në Bazilikën e Nicës e tek atentati  i Vjenës.

Hirësi, pse gjithë kjo urrejtje kundër Evropës?

“Sepse Evropa i tregon mbarë botës se fanatizmi nuk ka pikë kuptimi. Sepse Evropa është kontinent, në të cilin popullsitë e ndryshme ia dolën mbanesh të jetojnë së bashku, duke u marrë vesh mbi bazën e vlerave të përbashkëta. Sepse punuam për krijimin e qytetarisë evropiane e edhe sepse e krijuam, duke shembur muret kombëtare, që i ndanin popujt! Veç kësaj, në Evropë banojnë edhe shumë myslimanë e njerëz të feve të ndryshme e ne dëshmuam se është e mundur të ndajmë bashkë me ta çdo gjë të mirë. Natyrisht nuk mungojnë edhe grupet, si për shembull në lagjet periferike të qyteteve franceze, ku njerëzit nuk kanë arritur akoma të integrohen, por në përgjithësi, Evropa është sukses i të jetuarit së bashku, e kjo nuk u pëlqen aspak terroristëve. Ata nuk mund ta durojnë faktin se projekti, i themeluar mbi vlerat e përbashkëta, mund të realizohet e prandaj edhe sulmojnë!”.

Në gazetat janë dukur tituj e në mjetet e tjera të komunikimit, poste, në të cilat faji i vihet krejtësisht imigrimit e islamit….

“Nuk është e vërtetë. E këtë mund ta tregoj me shumë shembuj. Pas atentatit të Nicës, Bashkimi i myslimanëve të Luksemburgut më shkroi menjëherë një letër. Deshën të më shprehnin, si kryetar i Kishës katolike të vendit tonë, gjithë tmerrin e tyre para këtij akti barbar. Imami i Bordeaux pohoi qartë se edhe vetë Muhameti do të ishte turpëruar përballë sulmit të Nicës, duke kujtuar se Muhameti, gjatë jetës së tij, u kritikua shumë herë, por nuk i mori kurrë seriozisht këto kritika e, sidomos, nuk u zemrua prej tyre”.

Lidhur me këtë, shumë kujtojnë këto ditë se karikaturat fyese kundër një feje ose kundër myslimanëve, nuk e ndihmojnë luftën kundër terrorizmit. Mendimi Juaj?

“Mendoj se liria nuk mund të jetë absolute. Se liria e shprehjes duhet të llogarisë edhe çka mendojnë të tjerët, t’i njohë ndjenjat fetare të të tjerëve. E këtu besoj se do të ishte mirë të rimerrej në dorë enciklika e Papës Françesku “Fratelli tutti”, sepse tregon që, edhe në Francë, liria mund të ushtrohet vetëm  së bashku, vëllazërisht, përndryshe nuk ka barazi!”.

A ka ndonjë farë lidhjeje ndërmjet terrorizmit e pandemisë?   

“Mendoj se terroristët mund të kenë përfituar nga kjo kohë delikate, që po jetojmë. Evropianët janë të pushtuar nga ankthi. Janë të mbyllur në shtëpi. Kanë frikë. Nuk ndjehen mirë. Sëmundja vijon të qarkullojë. E ne e dimë fare mirë se ankthi mund të shndërrohet lehtë në agresion. Këtë duan terroristët! Duan përçarjen e shoqërisë evropiane!”.

Cila duhet të jetë, atëhere, përgjigjja, që i jep Evropa barbarive të fundamentalizmit?

“Mbi të gjitha, duhet të jetë përgjigje e njëzëshme, domethënë e gjithë Vendeve të Bashkimit, gjithë të krishterëve, ateistëve, agnostikëve, myslimanëve, hebrenjve. Të gjithë së bashku duhet të themi një “jo” të prerë. Duhet të themi vendosmërisht se nuk lejojmë të ngadhënjejnë urrejtja e dhuna. Përkundrazi: duam t’i jetojmë vlerat, që e bënë të mundur projektin evropian. Duam ta jetojmë vëllazërimin, për të cilin foli e flet Papa Françesku. Nuk do të heqim kurrë dorë nga rruga e vëllazërimit!”.

05 nëntor 2020, 09:55