Kërko

Tutti Santi Tutti Santi 

Domethënia e solemnitetit të Gjithë Shenjtorëve

Me festen e Gjithë Shenjtorëve Kisha na mëson se ‘Shoqëria e Shenjtorëve’ është bashkimi i të gjithë atyre njerëzve që besojnë në Krishtin: të atyre që tashmë kanë arritur në shtëpinë qiellore; të atyre që janë ende në Purgator e të atyre që vijojnë shtegtimin mbi tokë. Kremtimi i 1 nëntorit na kujton vëllezërit e motrat tona që kanë arritur në qiell, që janë me Zotin e mund ta shikojnë jetën në Hyjin, ashtu si Hyji është e përgjithmonë.

R.SH. - Vatikan

Festa e të Gjithë Shenjtërve na fton ta lartojmë vështrimin tonë drejt Qiellit e të mendojmë mbi domethënien e plotësinë e jetës Hyjnore që na pret. Përkujtimi i të vdekurve, me vizitën e varrezave e lutjen drejtuar Zotit për shpirtin e të të vdekurve, na fton ta përqendrojmë vëmendjen tonë mbi kuptimin e jetës e ta shikojmë vdekjen si udhë që na çon te njësimi më Zotin përjetësish.

 Shenjtorët janë të ndryshëm njëri nga tjetri

Shenjtëria nuk kërkon heroizma të jashtëzakonshme. Këtë ripohojnë të Gjithë Shenjtorët që kremtojmë më 1 nëntor, të cilët janë krejt të ndryshëm njëri nga tjetri. Ndërmjet tyre ka edhe shenjtorë të thjeshtë, domethënë njerëz të mirë, që i takojmë gjatë jetës e që nuk do të lartohen kurrë në nderimet e elterit. Janë njerëz normalë, në se mund të shprehemi kështu. Jetojnë qetë-qetë e, në dukje, nuk kanë asgjë të përbashkët me heronjtë e me heroizmin. Por në mirësinë e tyre të përditshme shkëlqen e vërteta e fesë.

Shoqëria e Shenjtorëve’ 

Kështu me festen e Gjithë Shenjtorëve Kisha katolike na mëson se ‘Shoqëria e Shenjtorëve’ është bashkimi i të gjithë atyre njerëzve që besojnë në Krishtin: të atyre që tashmë kanë arritur në shtëpinë qiellore; të atyre që janë ende në Purgator e atyre që vijojnë shtegtimin mbi tokë. Është Kisha e parë në tri stinë: në stinën e shtegtarëve mbi tokë; të atyre që kanë arritur në Purgator e që, edhe pse tani për tani vuajnë, janë të sigurt se do të shkojnë më pas në qiell; e në stinën e fatlumëve, të cilët tashmë janë në shtëpinë qiellore. Kremtimi i 1 nëntorit na kujton vëllezërit e motrat tona që kanë arritur në qiell, që janë me Zotin e mund ta shikojnë jetën në Hyjin, ashtu si Hyji është e përgjithmonë.

Po ç’ duhet të kuptojmë me fjalët ‘me ndërmjetësinë e shenjtorëve?

Shenjtorët në qiell mund të luten për ne. Në se, për shembull, Shën Atë Pio nga Pietralçina mund të lutej për ne kur ishte në tokë, aq më tepër mund ta bëjë këtë tani që është në qiell. E këtë mund ta themi për të Lumen Nënë Terezë e të gjithë ata që gëzojnë pamjen e Hyjit, duke nisur pikërisht nga Zoja e Bekuar e duke vijuar me engjëjt e shenjtorët. Ata, pra, luten për ne, ndërmjetësojnë për ne, për besimtarët, për famullitë, për dioqezat, për mbarë Kishën. E në këtë kuptim, themi se shenjtorët luten për ne e se secili nga ne ka shenjtin e vet pajtor qiellor. E është punë e mirë të merret emri i ndokujt që është në qiell, si pajtor i shenjtë.

Të gjithë jemi të thirrur të bëhemi shenjtorë, po si?

Shenjtëria është përmbushja e dashurisë. Kush ka më shumë dashuri për Hyjin e për të afërmin, ai është shenjt. Kështu e përkufizon Koncili II i Vatikanit. Thirrja për shenjtëri nuk u përket vetëm të zgjedhurve; është thirrje universale, që u drejtohet të gjithëve. Kështu na mëson Koncili në Dokumentin ‘Lumen Gentium’, e kështu propozon Kisha: t’u përngjasim shenjtorëve në situata, kohë e fusha të ndryshme të jetës. Ndërmjet tyre ka klerikë, e ne e dimë se janë të shumtë, si Toma i Akuinit, Gjon Bosko, Gjon Vianei; pastaj rregulltarë si Shën Benedikti, Shën Bernardi e tri Terezat ( Tereza e Avilës, Tereza e Krishtit Fëmijë dhe Tereza Bojaxhiu e Kalkutës).

Por ka edhe laikë: mjafton të mendojmë për Tomas Moron, Karlo Luangën, Maria Goretin (martire në moshën 11 vjeçe), Luigj e Maria Beltramin Quatroki (bashkëshortë të shpallur të lumtur), Berta Molën e sa e sa të tjerë. Libri i Besëlidhjes së Re, ‘Zbulesa’ e Shën Gjonit Apostull na kujton 144 mijë; një numër që nuk mund të përcaktohet më: njerëz të çdo populli, të çdo kulture e të çdo kombi, që këndojnë këngën e re të Qengjit të Hyjit, të Krishtit shpërblyes.

Është kjo thirrje për të gjithë neve. Të bëhesh shenjt në të vërtetë do të thotë të realizosh plotësisht atë që jemi, d.m.th bij të Zotit: në saje të vdekjes e të ngjalljes, Jezusi bëri shndërrimin më të madh që është vërejtur ndonjë herë, duke na krijuar mundësitë që, përmes hirit, të marrim pjesë në vetë jetën e Zotit. Nuk jam më unë që jetoj – thotë Shën Pali – por është Krishti që jeton në mua!

31 tetor 2020, 14:09