Kërko

"Pjetri predikon në katakombe" i Jan Styka "Pjetri predikon në katakombe" i Jan Styka

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra II e Pjetrit, mësuesit e rremë

Sot do të përfundojmë komentin e Letrës II të shën Pjetrit, në të cilën apostulli sqaron cilët janë mësuesit e rremë të kohës së tij. Thamë të enjten e kaluar se mëkatet e këtyre profetëve të rrejshëm kanë të përbashkët diçka, që vazhdimisht e në mënyrë të përsëritur, quhet “pasioni i ndyrë i mishit”. Të ndjekim vijimin e analizës së meshtarit italian don Federico Tartaglia, në librin “Është ora e leximit të Biblës”.

R.SH. - Vatikan

Mësuesit e rremë janë ata, që, duke shkuar pas këtyre pasioneve, shkojnë pas joshjeve të trupit dhe e përbuzin Zotin. Ndoshta, është fjala për të kthyerit e rinj nga paganizmi në krishterim, por që nuk kishin aspak ndërmend të ndaheshin me zakonet e tyre seksuale, duke predikuar lirinë e shfrytëzimit të trupit edhe për të tjerët? Meqë këtu, kemi të bëjmë me përmendjen e qartë të Letrave të shën Palit, nuk mund të mos supozojmë se problemi, që pati trajtuar Apostulli i Popujve, kishte mbetur ende i pazgjidhur në bashkësitë e para të krishtera. Ja ç’u shkruante shën Pali galatasve:

“Vërtet, vëllezër, ju jeni të grishur në liri! Por, kini kujdes që kjo liri të mos bëhet shkak të jetoni si don trupi, por - me dashuri shërbeni njëri-tjetrit!... Dua të them: jetoni nën ndikimin e Shpirtit Shenjt e nuk do t’i kryeni dëshirat e mishit e të gjakut. Sepse mishi e gjaku me dëshirat e veta i kundërshtojnë Shpirtit e Shpirti i kundërshton mishit e gjakut: këta të dy janë në kundërshtim njëri me tjetrin që të mos bëni çka dëshironi” (Gal 5,13.16-17)

Shën Pali është më miqësor se autori i kësaj Letre, që i krahason mësuesit e rremë me qen e derra dhe flet për ta me kaq zemërim, sa vështirë të gjendet diku tjetër në Besëlidhjen e Re:

“Krenarë, mujsharë… shtazë të paarsyeshme të lindura prej natyrës për gjah e për çfarosje, shajnë çka nuk njohin. Do të mbarojnë siç mbarojnë shtazët: do të marrin shpërblimin e padrejtësisë. Çmojnë kënaqësi të bëjnë çfreni për pikë të ditës! Ndyrësi dhe turpësi! Kënaqen në gënjeshtrat e veta ndërsa gostiten bashkë me ju! Sytë e tyre gjithmonë të ngulur në ndonjë lavire, kurrë nuk ngihen me mëkat; ngashënjejnë shpirtra të lëkundshëm, zemrat i kanë të stërvitura në lakmime, bij mallkimi!” (2 Pjt 2,10.12-14)

Kush janë këta të mallkuar? Janë mësuesit e rremë të djeshëm e të sotëm, skllevër të kënaqësive të kësaj bote, të cilat i çojnë drejt shkatërrimit, bashkë me ata, që joshin e abuzojnë. Janë seksi, droga, paratë, pushteti… Edhe sot e kësaj dite, këto janë fjalët për t’i përshkruar, s’ka të tjera. E janë besimtarë, meshtarë, prindër, mësues, politikanë, gjykatës, të gjithë ata, që imponojnë me forcë autoritetin e tyre, për të fshehur ndyrësitë! Janë ata, që Papa Françesku i quan të korruptuar!

Letra e dytë e shën Pjetrit u drejtohet atyre, që duan ta ndajnë fenë nga qëndrimi i tyre moral, atyre, që përshkruhen si “gurra pa ujë, re që i mbart era… premtojnë lirinë e vetë janë skllevër të paudhërisë” (2 Pjt 2,17.19). Njerëz, viktima të pasioneve të veta, të cilëve u atribuohet një tezë cinike teologjike. Mësues të rremë, që tallen me besimtarët, duke u thënë se nuk ka ndryshuar asgjë, që nga krijimi i botës, prandaj, është e kotë të presin Zotin.

“Ku është premtimi i Ardhjes së tij? Sepse, qysh se vdiqën të parët tanë, gjithçka mbetet si në fillim të krijimit!” (2 Pjt 3,4)

Në fund të Letrës, bëhen përpjekje për të sqaruar se Zoti nuk është me vonesë dhe ftohen të gjithë të kuptojnë se një ditë e zakonshme është si një mijë vite për Hyjin.

Nuk e dimë nëse Letra ka pasur efektin e dëshiruar, nëse u ka dhënë përgjigjet e duhura të pasigurtëve në udhën e fesë dhe ka larguar të korruptuarit. Sigurisht që pati sukses stili polemik dhe përdorimi i anatemave, që më vonë, do të bëhet i zakonshëm jo vetëm në debatet morale, por edhe në diskutimet teologjike.

Natyrisht, e kemi për detyrë të indinjohemi, por vetëm kundër atyre, të cilët, qëllimisht, nuk bëjnë atë që u predikojnë të tjerëve, sepse Jezu Krishti na ka autorizuar të mos i durojmë hipokritët dhe ata, që bëjnë shkanduj, pra, të korruptuarit. Ata, që kanë mëkatuar kundër Shpirtit Shenjt.

Pa dyshim, kjo Letër nuk është e lehtë: lëshon rrufe të vërteta kundër falsitetit dhe gënjeshtrës; tonet e saj të dhunshme vijnë nga indinjata e atyre, që shkandullohen e shqetësohen. Edhe Jezu Krishti s’pati qenë aspak i butë me ata, që krijojnë shkandull:

“Është e pamundur që të mos vijnë shkandujt, porse, vaj për atë njeri, nëpër të cilin vijnë. Më mirë do të ishte për të t’i lidhej për qafe guri i mullirit dhe të hidhej në det se të shkandullojë njërin prej këtyre të vegjëlve. Ruajuni fort!” (Lk 17,1-3)

Edhe ne pra, siç na këshillon Jezu Krishti, le të ruhemi fort.

26 nëntor 2020, 08:33