Kërko

2020.11.18 San Pietro apostolo e le chiavi 2020.11.18 San Pietro apostolo e le chiavi

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra II e Pjetrit, herezia

Vijojmë edhe sot të komentojmë Letrën II të shën Pjetrit, të cilën shumë e konsiderojnë disi të çuditshme dhe enigmatike. Pasi folëm për autorësinë e saj, sot do të përqendrohemi në përmbajtjen. Gjithnjë, sipas librit “Është ora e leximit të Biblës”, të meshtarit italian don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Megjithëse mbetet e hapur çështja e vitit në të cilin është shkruar, nëse pak para martirizimit të shën Pjetrit në vitin 67, ose nga fundi i shekullit I, teksti përmban gjurmë të qarta të apostullit dhe të Kishës së tij, të cilëve u duhej të përballeshin me një kundërshtar të ri: mësuesit e rremë.

“Ka pasur profetë të rrejshëm edhe në Popullin e Izraelit, sikurse edhe ndër ju do të ketë mësues të rrejshëm, që fshehurazi do të shtien herezi të dëmshme, do ta mohojnë edhe Zotëruesin që i shpërbleu dhe mbi vete do të sjellin dënimin që nuk do të vonojë. Shumë do t’i ndjekin epshet e prujta të tyre dhe për shkak të tyre do të shahet udha e së vërtetës. Ata në lakmimin e vet do t’ju shfrytëzojnë ju me fjalë gënjyese, porse dënimi i tyre është tanimë në veprim dhe shkatërrimi i tyre nuk kotet” (2 Pjt 2,1-3)

Shkruar a jo nga shën Pjetri, Letra e tij e parë ngjan me një enciklikë papnore, ndërsa këtu jemi para dekretit të parë të Sant’Uffizio-s (Zyrës papnore kundër herezive, aktualisht, Kongregata për Doktrinën e Fesë)! Vërtet, për herë të parë, përdoret fjala “herezi” me kuptimin, që do të ketë më pas, në gjithë historinë e Kishës.

Në greqishten klasike, fjala do të thotë “zgjedhje, përzgjedhje, prirje drejt diçkaje, ose dikujt, propozim”; në greqishten aleksandrine, pra, edhe judease, fillon të përdoret edhe për doktrinat filozofike, fetare e politike e në Giuseppe Flavio-n (historian romak me orgjinë judease, shekulli I pas Krishtit) ka kuptimin e “sektit”, pavarësisht se nuk përfshin dënimin zyrtar, ose mosaprovimin e heshtur. Vetëm pas Letrës II të shën Pjetrit, kjo fjalë do të fillojë të marrë kuptimin e dënimit dhe të rrezikut, që të krishterët e njohin fort mirë e që do të kushtëzojë rëndshëm historinë e Kishës e të fesë së krishterë.

Gjykimi, i qartë dhe i pakundërshtueshëm, lë të kuptohet se këta profetë të rrejshëm, për të cilët flet shën Pjetri, nuk janë aq mësues të doktrinave jo ortodokse të krishtera, por ata që Jezu Krishti i përkufizonte me këto fjalë: “Janë profetë të rrejshëm, që vijnë tek ju me lëkurën e deles, por brenda janë ujqër të egër”. Janë pra, hipokritët, ata që predikojnë mirë, por veprojnë keq.

Prandaj, Letra nuk synon aq të flasë për teologjinë e për lirinë e interpretimit, por dëshiron të dënojë ata, të cilët, duke u veshur me doktrinë (si me lëkurën e deles), i lejojnë vetes qëndrime të denja për kafshët e egra e madje, edhe mburren me to. Gjykimi i shën Pjetrit është i paapelueshëm e kapitulli i dytë i Letrës mund të konsiderohet, së bashku me kapitullin 23 të Ungjillit sipas Mateut, ndër kritikat më të furishme të gjithë Besëlidhjes së Re. Ja si përfundon:

“Vërtet, nëse ia dolën njëherë të ikin nga ndyrësitë e botës me anën e njohjes së Zotit dhe Shëlbuesit tonë Jezu Krishtit, por prapë rishtas ngatërrohen në to dhe munden nga ato, gjendja e tyre e fundit bëhet më e keqe se e para. Këndej, më mirë do të kishte qenë për ta kurrë të mos e kishin njohur udhën e drejtësisë se, pasi e njohën një herë, ia sjellin shpinën urdhrit të shenjtë që u qe dhënë. U ndodhi çka thotë fjala e urtë: ‘Qeni u kthye në të vjellat e veta’, dhe: ‘Derri i larë u kthye të zhgërryhet në llom’” (2 Pjt 2,20-22)

Autori i Letrës flet fillimisht për mëkatin e engjëjve, pastaj për atë të njerëzve në kohën e Noehut e, së fundi, për banorët e Sodomës e Gomorrës. Këto mëkate e ato të profetëve të rrejshëm kanë të përbashkët diçka, që vazhdimisht e në mënyrë të përsëritur, quhet “pasioni i ndyrë i mishit”. Po cilët ishin këta mësues të rremë, në kohën e Shën Pjetrit? Për këtë do t’ju flasim në emisionin e ardhshëm.

19 nëntor 2020, 08:21