Kërko

Vatican News
Shën Virgjili (Vigjili), ipeshkëv i Salisburgut Shën Virgjili (Vigjili), ipeshkëv i Salisburgut  (Joachim Schäfer - Ökumenisches Heiligenlexikon)

Më 27 nëntor kalendari kishtar kujton Shën Virgjilin

Shën Virgjili është një nga figurat më të njohura ndërmjet murgjërve irlandezë që shtegtuan nëpër botë "për Krishtin". Njihet si apostull i Karincies dhe pajtor qiellor i Salcburgut në Austri, ungjillëzues i Karincies, Stirisë e Panonisë dhe themelues i kuvendit të Shën Kandiditi në Alto Adigje (sud Tirol) të Italisë.

R.SH. - Vatikan

Më 27 nëntor, kalendari kishtar përkujton Shën Virgjilin (Vigjilin), ipeshkëv i Salisburgut,  i shekullit VIII. U lind në një familje fisnikësh irlandezë, por përqafoi jetën rregulltare, dhe u bë murg e abat. Pasi braktisi Irlandën, jetoi në Francë e në Bavari, ku u thirr nga vetë Duka, dhe u emërua ipeshkëv i Salisburgut.

  I nderuar më të gjallë, por më pas i harruar, Shenjti u rizbulua në dioqezën e tij të Salcburgut dhe u kanonizua më se pesë shekuj pas vdekjes. Kaluan edhe pesë shekuj të tjerë, para se emri i tij të shkruhej në Martiriologun Romak.

Virgjilio apo Vergilius është shqiptimi latin i emrit Fergal, siç shqiptohet në gjuhën keltike të Irlandës, ishullit që nuk iu nënshtrua kurrë Perandorisë romake e që u bë i krishterë përmes predikimit të Shën Patrikut, vdekur më 461.

Me të nisi jetën një Kishë, që këtu nuk u organizua mbi bazën e dioqezave e të famullive, por mbi bazën e manastireve e abatëve të tyre, prijës shpirtëror të murgjërve e të populllit. Edhe Virgjili eci në këtë rrugë. Lindi në Irlandë në fillim të shekullit VIII dhe shumë shpejt hyri në kuvendin e Akad-bo-Cainig, ku më parë qe murg e më pas Abat dhe ipeshkëv i palodhshëm, që u shqua për edukimin fetar të popullit dhe veprimtarinë e pakursyer në ndihmë të të varfërve.

Jetoi sipas rregullave shumë të rrepta të jetës murgare irlandeze, në përkim me jetën e vështir të popullsisë vendase. Është një nga figurat më të njohura ndërmjet murgjërve irlandezë që shtegtuan nëpër botë "për Krishtin".

Njihet si apostull i Karincies dhe pajtor i Salcburgut në Austri. Shën Virgjili është ungjillëzuesi i Karincies, Stirisë e Panonisë dhe themelues i kuvendit të Shën Kandidit në Alto Adigje të Italisë. U varros në katedralen e tij, e u harrua.

Katër shekuj më vonë, katedralja u shkatërrua nga një zjarr i papritur e, kur nisën punimet për rindërtimin e ndërtesës, u gjet arkivoli me trupin e tij krejt të paprishur. Dukej sikur flinte.

U fol për mrekulli e njerëzit rranë nga të katër anët për t’u lutur para trupit të njeriut, vdekur katër shekuj më parë, që dukej si i gjallë. Figura e ipeshkvit të Irlandës doli nga heshtja: populli kërkoi të shpallej shenjt menjëherë.

Procesi kanonik filloi në vitin 1230 e më pas dëshmitë për shenjtërinë e e jetës së tij u nisën për në Romë. U shpall Shenjt nga Gregori IX më 1233. Emri i tij u shkrua në Martiriologun romak më 1740. Shën Virgjili vijon të nderohet nga populli e të bëhet burim i shumë ngjarjeve të mrekullueshme.

27 nëntor 2020, 11:36