Kërko

Vatican News
Përgatitje për Kohën e Ardhjes Përgatitje për Kohën e Ardhjes 

24 mendime për Kohën e Ardhjes: një për çdo ditë!

Kalendari vijon të bëhet gjithnjë më i hollë. Kaluan ditë, javë e muaj. Sivjet të ngarkuara me ankth. Fletë pas flete…Tashmë i ka mbetur vetëm një: ajo e dhjetorit. Fleta e Kohës së Ardhjes. Kohës së Pritjes! Koha e ëndrrave të ndriçuara nga drita e Kometës...

R. SH. - Vatikan

Kalendari vijon të bëhet gjithnjë më i hollë. Kaluan ditë, javë e muaj. Sivjet të ngarkuara me ankth. Fletë pas flete…Tashmë i ka mbetur vetëm një: ajo e dhjetorit. Fleta e Kohës së Ardhjes. Kohës së Pritjes! Koha e ëndrrave të ndriçuara nga drita e Kometës, që na tregon përsëri rrugën drejt Shpellës së Betelhemit, drejt takimin me Shëlbuesin e posalindur të Botës. E pikërisht për të na shoqëruar në këtë rrugë, zgjodhëm 24 mendime, një për për çdo ditë, deri tek dita kur qiell e tokë të rrëmbushen me jonet e himnit të Këshndellave.    

24 mendime për Kohën e Ardhjes: një për çdo ditë!

24 fraza. 24 mendime, që mund të na ndihmojnë ta ndjejmë më fort, vetëm a me familjen tonë, frymën e Krishtlindjes, festë me një kuptim mrekullisht të bukur, me një mësim të jashtëzakonshëm. Na mëson se nuk jemi vetëm, se e kemi një shpresë për ta rinisur rrugën tonë nga e para, se mund të rifillojmë të jetojmë, pikërisht kur e shikonim të ardhmen të mbytur nga errësira e të dorëzuar, pa asnjë shpresë, në duart mortore të virusit. Jezu Krishti vjen përsëri në botën tonë të molepsun. Vjen për ta  shëruar botën e sëmurë. Për të sjellë jetën, në botën ku sivjet u hapën aq shumë varre! Vjen për të ndriçuar terrin e jetës sonë të plagosur. Vjen me ftesën që të ndalemi një çast e të reflektojmë, në pritje. Çdo ditë. Sa herë të shikojmë kalendarin, që shkon drejt fundvitit, fund i cili shënon një fillesë të re, një shpresë të re, një besim të ri në jetën e në Vitin e Ri 2021. 24 fraza, të cilat na kujtojnë çdo ditë Fjalën e Zotit, deri kur të buçasë në mbarë botën himni “Lumni i qoftë Zotit në qiell e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë. Paqe e gëzim!”.

Para se t’i shkruanim këto fraza për Kalendarin e Kohës së Ardhjes, e pyetëm veten: “Ç’mund të shkruajmë në një kalendar të këtij tipi, që të  mund t’i çojmë një shpresë botës, në pritje? Asaj bote, e cila sivjet, më shumë se kurrë, nuk mund t’i durojë frazat e urimeve boshe? As frazat dëfryese?”. Menduam atëhere të zgjedhinm fraza ngushëlluese, që të ndihmojnë ta jetosh domethënien e vërtetë të Kohës që - siç e dini - na shoqëron deri në ditën e Lindjes së Krishtit, ashtu si shoqëron kometa Mbretërit  Dijetarë rrugë-pa-rrugë- deri te Shpella ku lindi Krishti Fëmijë.

Të nisim pra, nga e diela e Kohës së Ardhjes, me mendimet që na bëjnë ta rijetojmë Fjalën e Zotit - e me të - jetën tonë! Është ëndërr? Utopi? Ndoshta. Po ne na u duk e arsyeshme ta nisim kështu, sivjet, Kohën e Ardhjes, me 24 fraza të zgjedhura për një kalendar lehtësues për shpirtin e lodhur e të trishtuar të secilit prej nesh, në pritje të një rrezeje drite, që nuk do të vonojë….

29 nëntor 2020, 10:18