Kërko

 Santa Cecilia Vergine e martire Santa Cecilia Vergine e martire 

Më 22 nëntor kalendari kishtar kujton Shën Çeçilien, martire

Historia e martirizimit të saj, ndonëse jo pa mangësi, është nga më të plotat në historinë e martirëve. Shenjtja romake njihet edhe si pajtore qiellore e muzikantëve, sepse në rrëfimin mbi martirizimin e saj shkruhet, ndërmjet tjerash, se kur luante në organo, martirja këndonte vetëm për Zotin.

R.SH. - Vatikan

Më 22 nëntor kalendari Kishtar përkujton Shën Çeçilien, virgjёr e martire.

Çeçilja ishte një vajzë e re romake, nga familja bujare e Caecilii, e cila u dha një ndihmë të madhe bashkësive të para të krishtera gjatë persekutimeve të kohës, duke shfrytëzuar gjithë ndikimin dhe pasuritë e saj. Kështu patricja e re romake u takua me të krishterët dhe mori pagëzimin. E deshi Krishti aq shumë, sa në vend që të zgjidhte rrugën e pasurisë e të nderimeve, zgjodhi atë të martirizimit për fe.

E historia e martirizimit të saj, në Romë, në shekullin III, që ka ardhur me të gjitha hollësirat deri në ditët tona, gjë që ndodh rrallë herë me historinë e martirëve të tjerë të bashkësive të para të krishtera, është vërtetë rrëqethëse. Pësoi e duroi torturat më mizore, për të mos e mohuan Krishtin. Më në fund, persekutorët vendosën t’i prisnin kokën. E goditën tri herë me shpatë e vetëm pas goditjes së katërt koka u shkëput nga trupi.

Mbi vendin ku u varrosën reliket e shenjtes, u ngrit bazilika madhështore romake kushtuar asaj. Më 1599, kur u kap varri, trupi i shën Çeçilies u gjet në një pozicion të veçantë, krejt i patretur. Pikërisht kjo skenë është skalitur në mermer të bardhë, në vitin 1599, nga skulptori i famshëm Stefano Maderno. Artisti vuri në pah sidomos shenjën që kishte lënë shpata në qafën e Virgjër-Martire dhe pozicionin e gishtërinjve: tre gishtërinj të hapur në dorën e djathtë e një në të majtën duke desh të dëshmonte fenë e saj në Njësinë dhe Trininë e Hyjit.

Shën Çeçilia, që njihet si pajtore muzikantëve dhe e këngëtarëve, ka si simbol lilin (zambakun), organon, llautën dhe palmën e martires. Pradnaj ta lusim Shën Çeçilen të na mësojë të këndojmë me gjithë zemër, të na mësojë ngazëllimin, që na ngjall në shpirt mendimi se u shëlbuam.

22 nëntor 2020, 09:39