Kërko

Vatican News
Shën Alberti Madh Shën Alberti Madh  

Më 15 nëntor kalendari kishtar kujton Shën Albertin e Madh

Shën Alberti, filozof e teolog, studiues i palodhur në kërkim të pikave të takimit ndërmjet shkencës e fesë, domenikan, doktor i skolastikës, dha mësim ndër katedrat më të shquara të kohës e, në universitetin e Këlnit, themeluar prej tij, pati nxënës Shën Tomën e Akuinit.

R.SH. - Vatikan

Shën Alberti është njëri nga mësuesit më të mëdhenj të teologjisë skolastike. Titulli, ‘i madh’ (magnus), me të cilin mbeti në histori, flet për gjerësinë e thellësinë e doktrinës së tij, të cilën e shoqëroi me shenjtërinë e jetës.

Shën Alberti, filozof e teolog, studiues i palodhur në kërkim të pikave të takimit ndërmjet shkencës e fesë, domenikan, doktor i skolastikës, dha mësim ndër katedrat më të shquara të kohës e, në universitetin e Këlnit, themeluar prej tij, pati nxënës Shën Tomën e Akuinit.

Lindi rreth vitit 1200 në Lauingen të Bavarisë. Njeri fisnik në trup e në shpirt, ishte i paracaktuar të ndiqte karrierën ushtarake e politike, duke ecur kështu në rrugën e traditës familjare. Por ai dëshironte më shumë të rrinte gjithë ditën mbi libra, sesa të rrokte armët e të ushtrohej në artin e luftës. Dëshira për studim iu thellua edhe më shumë, kur familja u transferua në Itali së bashku me mbretin Federiku II.

Ndërsa frekuentonte universitetin e Padovës, ku thellohej në shkencat natyrore, u njoh me të Lumin Jordanin e Saksonisë, epror i dytë i përgjithshëm i Domenikanëve, menjëherë pas Shën Dedës, që kishte shkuar në Padovë për t’u predikuar studentëve universitarë. Vendosi ta ndiqte, së bashku me nëntë studentë të tjerë, pasi mori nga duart e tij zhgunin domenikan. Vijoi studimin e u bë një nga njerëzit më të ditur të kohës, njohës i të gjitha degëve të kulturës deri në atë shkallë, sa të quhej Doktor universal e të meritonte titullin ‘i Madh’ që më të gjallë. U zgjodh provincial i Domenikanëve në Gjermani e më pas, ipeshkëv i Regensburgut, mision nga i cili u largua për t’iu rikushtuar mësimdhënies e predikimit.

Qe ndërmjetës e lajmëtar i paqes ndërmjet popujve e, në Koncilin e Lionit, dha kontributin e dijes së tij për bashkimin e Kishës greke me atë latine. Ndonëse në moshë të shkuar, ngjitej me shkathtësi djaloshare në katedër, por një ditë, ashtu si e kishte paralajmëruar Virgjëra Mari, për të cilën kishte devocion të posaçëm, kujtesa e tij papritmas u shua. Atëherë hoqi dorë nga dija e tokës e nisi të shikonte vetëm drejt qiellit, për ku u nis më 15 nëntor 1280. Trupi i tij pushon në paqe në kishën famullitare të Shën Andreut në Këln.

U shpall i Lum nga Papa Gregori XV në vitin 1622; Shenjt e Doktor i Kishës nga Piu XI, në vitin 1931; Pajtor i studiuesve të shkencave natyrore nga Piu XII, më 16 dhjetor 1941. Shenjti  bëri përpjekje të vazhdueshme për të vendosur paqen ndërmjet popujve të kohës së tij.

 

Benedikti XVI pёr Shёn Albaertin: gjithçka është racionale, pajtohet me fenë

Ndërmjet shkencës e fesë ka lidhje miqësore” – tha Papa i nderit Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme tё 24 marsit 2010, mbajtur nё Vatikan, gjatë së cilës preku një temë posaçërisht të dashur për të. Duke paraqitur figurën madhore të Shën Albertit, njeri me kulturë të jashtëzakonshme, me interesa të panumërta, që iu kushtua jo vetëm teologjisë, por edhe shkencave natyrore si dhe gjithë dijes së kohës së tij, Papa Ratzinger pohoi se, ashtu si ‘Doctor universalis’ – “Dijetari universal”, të gjithë njerëzit e shkencës, përmes prirjes për studimin e natyrës, mund të ecin në rrugën e vërtetë e joshëse të shenjtërisë.

Shkenca e feja nuk i kundërvihen njëra tjetrës, pavarësisht nga disa episode, për të cilat na flet historia. Këtë na e dëshmon Shën Alberti i Madh, domenikani, që jetoi në shekullin XIII. Njeri me kulturë të gjerë e me doktrinë të thellë, i bëri kushtet rregulltare vetëm pasi krijoi lidhje të fuqishme me Zotin e me Urdhërin e predikatarëve. Për të dëshmuar se teologjia dhe shkencat natyrore kanë dialoguar gjithnjë, Benedikti XVI vuri theksin tek mënyra, me të cilën Dijetari i Kishës, shpallur nga Piu XI, arriti të jetë njeri i lutjes e njëkohësisht, vëzhgues i vëmendshëm i fenomeneve të natyrës: “Ai ka ende shumë për të na mësuar. Një njeri i fesë e i lutjes, siç qe Shën Alberti i Madh, mund të kultivojë qetësisht studimin e shkencave natyrore e të përparojë në njohjen e mikro e të makrokozmosit, duke zbuluar ligjet e materies, sepse e gjithë kjo bashkëpunon për të shuar etjen dhe dashurinë për Zotin. Bibla na flet për krijimin, si ligjërim i parë, përmes të cilit Zoti, dija e pambaruar, Logos – na zbulon diçka nga vetvetja”.

Falë Shën Albertit – tha Papa Ratzinger – të vërtetat e fesë së krishterë u takuan me racionalitetin e Aristotelit, me kthjelltësinë e me qartësinë e tij në analizën e strukturës së realitetit, të vlerës e të qëllimit të veprimeve njerëzore: “E këto janë edhe meritat e mëdha të Shën Albertit. I studioi veprat e Aristotelit me përpikmëri shkencore, i bindur se gjithçka që është vërtetë racionale, është e pajtueshme edhe me fenë e zbuluar në Shkrimet e Shenjta”.

Shën Alberti – shtoi Benedikti XVI - kontribuoi praktikisht në formimin e filozofisë e të teologjisë, parë si dy dije të veçanta, që përkojnë në unitetin e së vërtetës e që, duke dialoguar, bashkëpunojnë plot harmoni në zbulimin e thirrjes së mirëfilltë të njeriut, që ka etje për të vërtetën. E ashtu si rregulltari domenikan, shumë të tjerë, në kërkimet e tyre shkencore, panë lidhjen e ngushtë të shkencës me fenë: Sa shkencëtarë, duke ecur në gjurmët e Shën Albertit të Madh, i çuan përpara kërkimet e tyre shkencore, të frymëzuar nga mahnitja e mirënjohja, në sa merreshin me botën e cila, e parë me sytë e tyre prej studiuesish e besimtarësh, dukej e duket si vepër e mirë e një Krijuesi të dijshëm e të dhembshur”.

Ndërmjet të mëdhenjve, që ecën në gjurmët e Shën Albertit, Joseph Rartzinger kujtoi astrofizikanin Enriko Medi, për të cilin është hapur çështja e lumnimit. Por, duke folur për Domenikanin e madh, Ati i Shenjtë nuk mund të mos kujtonte edhe veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme si shkrimtar, këshillat e urta që u dha papëve, aftësinë për të shprehur koncepte të larta, me një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme, sidomos gjatë predikimeve, që ishin aq tërheqëse, sa i bënin menjëherë për vete të gjithë ata, që kishin fatin t’i dëgjonin.

Më pas Benedikti XVI u ndal edhe tek puna e tij baritore si ipeshkëv, në krye të dioqezës së Regensburgut, ku gjatë shërbimit të tij ipeshkvnor, u rikthye paqja e pajtimi. Paqe e pajtim solli edhe në Kishë, duke u impenjuar për bashkimin e Kishës latine me atë greke, pas ndarjes, shkaktuar nga shkëputja e madhe e Lindjes, në vitin 1054.

E nuk harroi të vinte theksin edhe mbi miqësinë ndërmjet Shën Albertit e Shën Tomës, duke kujtuar se Alberti qe mësues i Teologut të madh nga Akuini e mbrojtës i mendimit të tij, kur ky u sulmua e u dënua padrejtësisht. Duke u njohur me jetën e Shën Albertit, nuk mund të mos reflektojmë edhe për dialogun e tij me Zotin që, posaçërisht në vitet e rinisë, e ndihmoi shumë të kuptonte cila ishte rruga, që duhej të ndiqte: “Shpesh, në vitet e rinisë, Zoti na flet e na tregon planin e jetës sonë. Ashtu si për Albertin, edhe për ne të gjithë, lutja personale, e ushqyer me fjalën e Zotit, ndjekja e Sakramenteve e udhëheqja shpirtërore nga njerëz të ndriçuar, janë mjetet për të zbuluar e për të ndjekur zërin e Zotit”. 

Veprat:
Vepra e plotë e Albertit u botua për herë të parë në Lion, në vitin 1651, nën kujdesin e Atë Pietro Xhemit, O.P.; për herë të dytë, në Paris, më 1890-99, nën drejtimin e Abatit të Kryedioqezës së Reimsit, Auguste Bornje. Shenjti trajtoi argumente nga më të ndryshmet, duke i dhënë përgjigje shumë problemeve të dijes së kohës. Më poshtë po radhisim titujt e traktateve, që la Alberti i Madh, sipas disiplinave të ndryshme shkencore:

Logjikë:
Shtatë traktate
Shkencat fizike:
Physicorum
De Coelo et Mundo
De Generatione et Corruptione
Meteororum
De Mineralibus
De Natura locorum;
De passionibus aeris

Biologji:
De vegetabilibus et plantis
De animalibus
De motibus animalium
De nutrimento et nutribili
De aetate
De morte et vita
De spiritu et respiratione

Psikologji:
De Anima
De sensu et sensato
De Memoria, et reminiscentia;
De somno et vigilia;
De natura et origine animae;
De intellectu et intelligibili
De unitate intellectus contra Averroistas
Philosophia pauperum

Morali:
Ethicorum
Politicorum
Metafizikë:
Metaphysicorum
De causis et processu universitatis

Teologji:
Commentario su Dionigi l'Areopagita
Commentario alle Sentenze di Pietro Lombardo
Summa Theologiae
Summa de creaturis
De sacramento Eucharistiae
Super evangelium missus

Esegjezi:
Commentari sui Salmi e sui Profeti
Commentari sui Vangeli
Sull'Apocalisse
Sermone (Predikime)
De quindecim problematibus
Vepra që besohet të jenë shkruar prej Shenjtit:
De apprehensione
Speculum astronomiae
De alchimia
Scriptum super arborem Aristotelis
Paradisus animae
Liber de Adhaerendo Deo
De Laudibus Beatae Virginis

Biblia Mariana
Compendium theologicae veritatis
De causis et proprietatibus elementorum
De erroribus philosophorum
De fato
De lapidibus
De praedicabilibus
De praedicamentis
In categorias Aristotelis
Super geometriam Euclidis.

15 nëntor 2020, 09:25