Kërko

2020.10.23 Gesù - il comandamento più importante è Amare - Vangelo della XXX domenica 'A' 2020.10.23 Gesù - il comandamento più importante è Amare - Vangelo della XXX domenica 'A'

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës

Ungjilli na paraqet sot një nga faqet më të bukura të tij, fjalë që kanë përshkuar shekujt e akoma frymëzojnë jo vetëm të krishterët, por të gjithë njerëzit vullnetmirë. Akoma janë baza e kulturës, mbi të cilën ngrihen politikat shoqërore, që kujdesen vërtet për njeriun. Akoma janë nxitje për këdo, që dëshiron ta mbajë shtrënguar dorën e nevojtarit, familjar a jo. Por ja pjesa ungjillore të së dielës së 30-të të vitit kishtar, marrë nga shën Mateu, kreu 22...

R.SH. - Vatikan

34 Farisenjtë, kur morën vesh se Jezusi u mbylli gojën saducenjve, u bashkuan 35 dhe njëri sish [mësues Ligji], për ta vënë në provë, e pyeti: 36 “Mësues, cili është më i madhi urdhërim i Ligjit?” 37 Jezusi iu përgjigj: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde! 38 Ky është më i madhi dhe i pari urdhërim. 39 I dyti është i barabartë me të: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ 40 Në këto dy urdhërime varet i tërë Ligji dhe Profetët”.

Të lutemi së bashku:

Jo o Krisht, Ti nuk imponon

rregulla e norma pa fund

për t’u zbatuar me përpikmëri.

Për Ty, o Jezus, gjithçka bazohet

mbi dy urdhërime

që pastaj, janë një i vetëm, sepse kanë

një emërues të përbashkët: dashurinë.

Pa të s’duhen gjë

njëmijë e një surrogatot e shpikura

nga njerëz gjoja të përshpirtshëm

e nga farisenjtë e të gjitha kohrave.

Gjithçka është çështje dashurie,

dashuri për Zotin e për të afërmin,

dashuri që zë

jo ndonjë çast të shkurtër të kohës,

as ndonjë grimcë të papërfillshme të energjive tona,

por korp e shpirt, inteligjencë e vullnet.

Kur njeriu do me të vërtetë

nuk ka nevojë t’i japësh

kaq e aq udhëzime, kaq e aq këshilla.

Ai vetë e gjen, me fantazi dhe origjinalitet,

udhën e drejtë.

Kështu, me Zotin, dashuria e tij

kthehet në bindje dhe braktisje në duart hyjnore,

në adhurim e lavd, në jetë të gjallë dhe të drejtë.

E me të afërmin, do të dijë të përdorë gjeste e fjalë

që shprehin, në çdo rast, ëmbëlsinë e nënës,

dhembshurinë e babait, butësinë e mikut,

solidaritetin e vëllait, dashurinë kërkuese të mësuesit.  

24 tetor 2020, 08:39