Kërko

Vatican News

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XXVII të vitit liturgjik

Ungjilli i sotëm paralajmëron meshtarët e krerët e popullit se po gabojnë udhë në përpjekjen për ta çuar Jezu Krishtin drejt vdekjes. Biri i Zotit ua thotë këtë me anë të shëmbëlltyrës së vreshtarëve gjakësorë, marrë nga kreu 21 i shën Mateut...

R.SH. - Vatikan

Në atë kohë, Jezusi u tha kryemeshtarëve dhe krerëve të popullit: 33 “Dëgjoni shëmbëlltyrën tjetër: Ishte një zotshtëpie që kishte mbjellë një vresht. E thuri me gardh, punoi shtrydhësin e rrushit, ndërtoi kullën, ua dha vreshtarëve ta punojnë për gjysmë dhe shkoi në vend të huaj. 34 Kur u afrua koha e të vjelave, dërgoi te vreshtarët shërbëtorët e vet për të marrë frytin që i takonte. 35 Vreshtarët i kapën shërbëtorët: njërin e rrahën, një tjetër e mbytën e një tjetër e vranë me gurë. 36 Prapë dërgoi shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, porse edhe atyre ua bënë ashtu. 37 Në fund dërgoi të birin duke menduar: ‘Do të kenë nderim ndaj djalit tim!’ 38 Porse vreshtarët, kur e panë djalin i thanë njëri-tjetrit: ‘Ky është trashëgimtari! Ejani ta vrasim dhe neve do të na mbesë pasuria e tij.’ 39 E kapën, e qitën jashtë vreshtit dhe e vranë. 40 Tashti, kur të vijë i zoti i vreshtit, çka do t’u bëjë këtyre vreshtarëve?” 41 Iu përgjigjën: “Të këqijtë do t’i zhbijë keqas e vreshtin e vet do t’ua japë vreshtarëve tjerë, të cilët do t’i japin frytin posa të vijë koha e të vjelave”. 42 Jezusi u tha: “A nuk e lexuat asnjë herë në Shkrimin Shenjt: ‘Guri që ndërtuesit e qitën jashtë përdorimit

u bë guri i këndit; kjo është vepër e Zotit, se ç’mrekulli në sytë tanë!’ 43 Prandaj - po ju them - juve do t’ju hiqet dore Mbretëria e Hyjit e do t’i jepet një populli që i prodhon frytet e saja!”.

Të lutemi së bashku

E konsiderojmë të mirëqenë gjithçka o Jezus:

i mirëqenë hiri yt

mundësia, që na jep

për të pasur një jetë të re,

shndërruar nga dashuria Jote;

e mirëqenë edhe fjala jote, që është dritë për hapat tanë,

urti e çmuar për kë kërkon udhën e jetës;

të mirëqena edhe dhuratat, që na bën,

duke filluar nga talentet e dijet

që na ke vënë në duar.

 

E kështu, mendojmë se jemi ne zotët e çdo gjëje;

qytetarë me të drejta të plota në botën e re, që Ti e përgatit,

me merita – pse jo – për ne janë fjalët e Tua,

pandaj mendojmë se ne na takojnë frytet e gjithçkaje na ke besuar.

 

E, megjithatë, nuk është aspak kështu.

jemi vreshtarë, jo pronarë të vreshtit.

E një ditë, do të japim llogari

për arrogancën tonë,

për sa na është dhënë

që të gjithë të përfitonin,

për frytet që Ti, me të drejtë

prisje prej nesh.

Një ditë, do të japim llogari

për traditën e fesë në të cilën kemi lindur,

për thesaret që na janë transmetuar,

për çdo të mirë që e kemi pasur

krejt afër, në duart tona.

04 tetor 2020, 12:13